HËNA…

0

ANA E ERRËT E HËNËS…KORRUPSIONI

Fejton

Njohësit e yjeve thonë se Hëna, planeti ynë, ka dy anë, të dukshmen dhe të padukshmen, të ndritshmen dhe të errëtën.

Të ndritshmen, asaj që çdo katërmbëdhjetë ditë ndërron formë; herë hollohet e hollohet sa bëhet drapër gati të korrë yjet, e herë mbushet e mbushet për tu shndërruar në “Hëna pesëmbëdhjetë” e për të joshur penat e poetëve dhe muzën e të dashuruarve.
E kush poet nuk i ka thurë vargje Hënës!
E kush i dashuruar nuk ka folur me të për të përcjellë dashurinë pa kufi!

E errëta, e errët ka qenë, është dhe do të mbetet ana tjetër e saj. Të paktën e errët do të mbetet për njerëzit e thjeshtë, se njerëzit e ditur ia dinë boll mirë të fshehtat…

Nga valët satelitore që vijnë e zbresin nga kamerat e televizioneve të mëdhenj e të vegjël, një mori e tërë “opinionistësh” e politikanësh të dëshpëruar po flitet zellshëm për skenarë vrasjesh të mbetura në mes të rrugës, për arrestime e dënime me “arrest shtëpie”, për sekrete hetimesh zbrazur rrugëve.

Nga tërë kjo pulari mediatike nuk merr vesh se kush kakaris më shumë, pulat apo gjelat e politikës.

Të duket sikur të gjithë, opinionistë e politikanë, kanë vënë përpara nga një dybek të mbushur me ujë dhe e tundin kush e kush të nxjerrë më shumë tëlyen. Nuk nxjerrin asgjë veç stërkala që pasi u përplasen në fytyrë rrjedhin rrobave sa i bëjnë qull.

Ajo që nuk flitet është “ana e errët e hënës”, burimet e pasurimit galopant ngjitur deri në aulën e parlamentit. Prokuroria  matet ta presë, jo me “mat shtatë herë e pre njëherë” por me “mat shtatëqind herë e mos pre asnjëherë”. Prerjes nuk i hullet askush, nuk e prek se “djeg e përvëlon”.

Shqiptarëve nuk mund tua zhvoshkësh kujtesën e tre dhjetëvjeçarëve të shkuar kur të gjithë hynë në “shekullin e demokracisë” me nga “dy divane” e “dy palë ndërresa”, me “një dhomë e një kuzhinë” apo “dy dhoma e një kuzhinë”…

Në një bisedë të lirë pas bisedës zyrtare midis Pangallos, asokohe Ministër i Jashtëm i Greqisë dhe Nanos, asokohe (1997) Kryeministër i Shqipërisë, fjala u ndal edhe tek shqetësimi i Kryeministrit për pritat në rrugë, zhveshjet e udhëtarëve në autobusë e në mjete transporti nën grykën e kallashnikovëve, prita deri me viktima me marrje jetësh e plagosje të rënda. Një mik imi, kompozitor i njohur shkodran, më ka ngjethur mishtë tek më përshkruante (në një intervistë me Të) plumbat e kallashnikovit mbi trupin e tij në autobusin e linjës Tiranë-Athinë dhe “bukën e dhënë” që e nxori nga koma dhe e risolli në jetë.

Pangallos, një filiz i njohur i familjes së madhe arvanitase, i thotë Nanos

“Mos u mërzisni! Kështu do të krijohen të pasurit e rinj edhe në Shqipëri. Të parë e mi, katër apo më shumë breza më parë, kishin “çelësat e Athinës ”. Karvanët nuk mund të kalonin Elefsinën pa paguar haraç. Kështu ne u bëmë të pasur. Ka kaluar shumë kohë dhe të gjithë grekët na quajnë të pasur, nuk merret kush me burimin e pasurisë sonë, e quajnë atë të ligjshme. Edhe tek ju, pas një apo dy brezash, kështu do të ndodhë, pasuria e krijuar me vjedhje, vrasje, mashtrime do të quhet e ligjshme…”

Thuhet si në legjenda se Onasi i famshëm, një ndër më të pasurit në botë, një ditë takohet me një shok të fëmijërisë, një njeri me autoritet të lartë në fushën e shkencës.

Tek pinin kafe shoku i thotë:

“Unë punova tërë jetën dhe nuk u bëra i pasur. Si vihet pasuria?”

Onasi buzëqeshi dhe i thotë:

“Pasuria nuk vihet me punë”…

Një specialist ndërtimi në mërgim, punë kjo nga më të paguarat, merr më shumë euro se sa merr zyrtarisht një deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai ka arritur të ketë një shtëpi të veten në vendlindje, e ka kompletuar atë në mënyrë modeste dhe i gëzohet sa herë shkon të shuajë mallin në Atdhe. Vetëm kaq i ka dhënë puna e tij me djersën e ballit shkrirë në llaçin me gëlqere dhe çimento. Ndërkohë që deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive…në vendin e tij kanë vila në bregdet e pasuri marramendëse depozituar në banka të Zvicrës.

Në Shqipëri komentatorë, politikanë, njerëz në rrugë, njerëz me vështrim në katrorin e vogël të televizorit shtëpiak flasin për “bishtin e dhelprës” sipas motivit “E lagu, s’e lagu” por askush nuk flet për dhelprën në gojën e së cilës jeton grahmat e fundit pula.

Në Shqipëri flitet për anën e dukshme të Hënës, atë që shkëlqen natën në qiell të pastër, nganjëherë edhe për atë që fshihet midis reve, por askush nuk flet për anën e errët të saj, gjysmën e padukshme.

Mbase Shqipëria do të nisë një ditë nga udhëtimi barkas e gjunjazi,  e do të ngrihet në këmbë. Kjo do të ndodhë kur njerëzit të kërkojnë të shohin në dritë të diellit “anën tjetër të Hënës”, pasurimin e pushtetarëve nëpërmjet vrasjeve, vjedhjeve, drogës, prostituimit, mashtrimit…

Kjo do të ndodhë kur prokurorët ta nisin hetimin tek “Ora e dorës njëqindmijë euro”, tek makinat e blinduara dyqind mijë euro, tek vilat në Gjirin e Lalëzit, Malin e Robit, Himarë, Razëm…tek “kryeministrat, gjyqtarët, ministrat, bosët e mediave…” dhuna pasurore e të cilëve është marramendëse.

Njohësit e yjeve thonë se ma sa mund të dalë në dritë të diellit “ana tjetër e hënës” aq do të dalë në dritë ana tjetër e medaljes së korrupsionit.

Të parën e mbrojnë ligjet e natyrës…

Të dytën e mbrojnë ligjet e pashkruara të korrupsionit…
Flitet se SPAK është në kërkim të një udhëtimi për të parë “anën tjetër të hënës”.
Mbase, po qe se dalin nga karantina e COVD-19…
Mbase…
Por edhe atëherë “ana tjetër e hënës” do ta ketë nxjerrë vaksinën mbrojtëse.
Për vete…

Abdurahim Ashiku

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.