HALL…

0

ILIR META KA DALË E SHPËRNDAN FTESA PËR DASMË

Fejton

Ilir Meta sot, si Sali Berisha dje, e ka një hall.
Halli, hallit nuk i ngjan…

Ilir Meta, presidenti im, e ka një hall të madh.
Ka dasmë por nuk ka lajmëtarë.
Ka dalë vetë e shpërndan ftesa…
Nga mëngjesi në darkë, bile edhe në gjumë, vikat nga të mundë  e si të mundë, për “dasmë në bulevard”.
Vikat nga bedenat e kalasë së Presidencës…
Vikat me karta në dorë para dyerve të Prokurorisë…
Vikat me rrumbullaken shegë në dorë me dyqind koka në bark…
Vikat nën lule mimoze e dega shkoze…
Me zë, para duzina mikrofonash e ekrane telefonash…
Më 2 mars të gjithë në bulevard !
Të gjithë…
Të majtë e të djathtë…
Të njomë e të thatë…
Të pasur e të ngratë…
Ramën ta rrëzojmë…
Kushtetutën të mbrojmë…
Puçin ta sheshojmë…
E viva!

………………………………


E ndërsa e dëgjoj, e shikoj tek bën me gishta shqiponjën, më shkoi mendja tek një fjalë e urtë e “Universitetit të Dibrës”, tek ato fjalë që përmenden me rast e shtjellohen nga njerëz që ia dinë rrënjët dhe degët “tamlit”.
“Kur i zoti i shtëpisë del të shpërndajë vetë ftesat për dasmë, e ka një hall”.
Nuk e di a e ka dëgjuar Ilir Meta, dhëndër Dibre…
Nuk e di a e ka kuptue…
E kisha dëgjuar në dhoma të ngushta ku flitet e debatohet për gjëra nga më të ndryshmet.
Nuk isha thelluar.
Publikisht e dëgjova një ditë vjeshte të vitit 1964 në një mbledhje të gjerë popullore në Zall-Dardhë, në ditët kur diskutohej anë e kënd vendit për “Kushtetutën Berishiane”, siç e quante Ai dhe firmoste publikisht mbi kopertinën e saj.
Një filozof i së majtës, asokohe zëvendës i kryetarit të partisë së tij në burg, iu drejtua banorëve të Dardhës trevë auditor i veçantë i “Universitetit të Dibrës”:
“Kur i zoti i shtëpisë, siç ma tha një bashkëfshatar juaji, del vetë të shpërndajë ftesa për dasmë e ka një hall.”
Sali Berisha e ka një hall.
Sali Berisha ka dalë me librin e kushtetutës së firmosur me dorë e tij e ju fton për dasmë.
Saliu e ka një hall të madh.
Kushtetuta e tij është një Drin i turbullt. Mos e kaloni atë”.
Dy ditë më vonë Sali Berisha i ra “me vrap” Dibrës, nga Bulqiza në Peshkopi, duke shpërndarë me firmë “Kushtetutën” e tij.
Vrapoi e vrapoi…
Nuk piu kafe askund.
Nuk ia ofroi askush.
Nuk i dhanë.
As edhe një mik i tij të cilit ia kërkoi.
Miku iu përgjigj se po qe se vjen si mik i vjetër derën e ke të hapur. Po qe se vjen me shoqërues e me tutreçka, derën e ke të mbyllur.
Unë asokohe gazetar profesionist përcolla një shkrim me titull “Dibra nuk i dha kafe Sali Berishës”.
Të mos pish kafen e Dibrës është e rëndë…
Më sulmuan, madje ashpër, bile edhe në familje…
“Kushtetuta” e Sali Berishës, me votim popullor, më 6 nëntor 1974, RA…
Njëzet e gjashtë vjet më vonë, dimër 2020, Ilir Meta më kujton të njëjtën kohë.
Ilir Meta si binjaku i tij në parmendë, e ka një hall…
Të madh…
Shumë të madh…
Se ku e ka e din Ai, e dinë të gjithë.
A do ti kalojë Ilir Meta Kanionet e Osumit më 2 mars?
Nuk e di…
Askush s’e di…
As gazetat, televizionet dhe portalet e tij…
Shumë shi po bie…
Kanionet e Osumit janë turbullue…
Rrezik me i kalue…

Abdurahim Ashiku

25 shkurt 2020

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.