Greqi, qeveria forcon masat për frenimin e epidemisë

0

Baret, kafenetë dhe subjektet e tjera të jetës së natës në Greqi u urdhëruan të hënën të mos u shërbejnë klientëve në këmbë, pasi një rritje e infeksioneve me COVID-19 detyroi qeverinë të forcojë masat për frenimin e epidemisë.

Greqia raportoi 110 raste të reja ditën e shtunë, duke shënuar bilancin më të rëndë ditor në dy muaj, si dhe 75 raste të tjera të njoftuara të dielën.

Zëvendës ministri për Mbrojtjen Civile, Nikos Hardalias njoftoi masat e reja dhe u bëri thirrje grekëve që të respektojnë rregullat e distancimit social.

Ai tha se njerëzit i kanë injoruar masat dhe e vuri theksin tek rritja e rasteve, duke shtuar se kufizimet për klientët që rrinë në këmbë do të rishikohen pas një jave.

“Në ditët e fundit kemi vënë re një lehtësim sa i takon implementimit të masave të distancimit social dhe ka pasur raste të grumbullimeve në masë. Kjo vërtetohet nga rritja ditore e rasteve me koronavirus”, deklaroi Hardalias.

Por punonjësit e industrisë së jetës së natës, të dëmtuar nga bllokada e pranëverës dhe mungesa e turistëve, thonë se masat mund të rezultojnë katastrofike.

Bari i vogël “Brettos” në Athinë shërben uzo, konjak dhe pije të tjera greke që prej vitit 1909, por menaxherja Ana Mijailovic thotë se me masat e reja nuk do të mund të paguajë as faturat, pasi bari i saj nuk ka tryeza në ambient të hapur.

“Dëmtohemi shumë. Ne nuk mund të presim shumë njerëz brenda dhe tani, me këto masa, ata do të jenë edhe më të paktë. Ndaj nuk di se si do të mund të paguaj faturat. Do të jetë shumë e vështirë me këto masa”, thotë Mijailovic.

Greqia ka në tërësi 4662 raste të konfirmuara dhe 208 vdekje nga COVID-19, një numër relativisht i ulët krahasuar me shumë vende të tjera evropiane.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.