PO ME GOMARIN PSE KRUHENI ZOTRINJ?
Fejton
- Mesazh për disa intelektualë që duke sharë tjetrin “gomar” e lavdërojnë atë.
Për mijëra vjet, Gomari ka ndihmuar njerëzimin pa u kursyer, mbase
(thelluar në histori) falë urtësisë së tij është kafsha e parë familjare e
zbutur…
E kush fshatar nuk e njeh këtë qenie të botës shtazore shndërruar në ndihmësin
më besnik të njeriut në… plugime, prashitje, transport me karrocë, transport
dru zjarri, barre për mulli, pse jo sot edhe shërbime në plazh, në guida turistike…
Gomarët janë kafshë mjaft inteligjente, pavarësisht keqkuptimit që është krijuar
rreth tyre.
Në burime të njohura thuhet se:
Skeleti i gomarit është gjetur pranë qendrave të banuara nga njerëzit
(vendbanimet Egjiptiane) rreth 4 mijë vjet më parë!
Një gomar mund të jetojë deri 50 vjet!
Gomari është disa herë më shumë i fuqishëm se një kalë apo mushkë me të njëjtën
peshë trupore!
Gomari ka një kujtese të pabesueshme. Ai mund të mbajë mend vendet ku kanë qenë
dhe gomarët e tjerë, për një periudhë prej 25 vitesh më parë!
Si rezultat i veshëve të gjatë, gomarët mund të dëgjojnë shumë herë më shumë se
kuajt. Në shkretëtirë një gomar mund të dëgjojë thirrjen (pëllitjen) e gomarëve
të tjerë, afërsisht në 100 km largësi.
Tek tufat me gomarë të egër, gomari që zgjidhet prijës i kopesë, i bën ballë
çdo rreziku me vetëmohim për të mirën e kopesë. Nëse tufa e gomarëve sulmohet
nga një tufë ujqish, prijësi i tyre do të qëndrojë dhe luftojë deri në
vetëflijim për ti dhënë kohë tufës që të largohet në një vend të sigurt.
Këto dhe shumë merita të tjera kanë gomarët, miqtë shekullorë të njeriut…!
I përcolla këto në përgjigje të një debati (e të debateve) në median e shkruar
dhe atë elektronike, në parla-ment e rrugë të disa njerëzve me “Dr.” para
emrit, që kur nuk kanë tjetër të nxjerrin nga kungulli mbi trup, i bërtasin
tjetrit me sa zë kanë në gurmaz…gomar!
E lexova sot edhe në një replikë të një “analisti” alias “tjerrës leshi mbi
furkë pa bashkë” kur thërriste “Mos më krahasoni me gomarin”…
Ka plotësisht të drejtë. Autori i shkrimit, duke e cilësuar “gomar”, bën gabim,
ia rrit vlerat, e lavdëron atë.
Ai nuk e meriton ta ngresh në lartësinë e kësaj qenie të urtë e të mençme
shtazore, ndihmëse dhe besnike e urtë e njeriut.
Abdurahim Ashiku