Nga data 18 maj pritet të ketë të tjera lehtësime për qytetarët. Ndërsa është njoftuar se do të hapen edhe konviktet e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Njoftimi është bërë nga Rezidenca Studentore Universitare, e cila thotë se do të zbatohen rregullat strikte që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
Njoftimi i Rezidencës Studentore Universitare
Duke iu referuar situatës në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga Covid 19, ju bëjmë me dije për vendimin e marrë në lidhje me rihapjen në shërbim të studentëve të godinave akomoduese të RSU2.
Duke filluar prej datës 18 maj, godinat e Sektorit Inxhinieri pranë Rezidencës Studentore Universitare Nr.2 do të rihapen për studentët, por duke zbatuar me përpikmëri rregullat strikte të vendosura, sipas protokolleve dhe udhëzimeve bazuar në vendimet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Udhëzimet e përcaktuara do ti gjeni të afishuara pranë godinave akomoduese, të cilat duhet të përmbushen me rigorozitet përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.
Stafi i RSU2 do të jetë në çdo moment në gatishmëri për çdo nevojë të mundshme.
Duke ju uruar më të mirat për ju dhe familjet tuaja, shihemi më 18maj!