Gjuriç, çështja kryesore për Serbinë në takimin në Bruksel ishte ajo e asociacionit të komunave serbe

0

Koordinatori i shtetit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, tha për gazetarët në Bruksel se në takimin e sotëm u diskutua vetëm për pretendimet e përbashkëta financiare, pavarësisht përpjekjeve të palës serbe për të përfshirë në diskutim edhe asociacionin e komunave serbe. Hyseni tha gjithashtu se nuk mund të ketë datë të caktuar për se kur do të diskutohet asociacioni, pasi ende nuk ka dakordësi nëse do të diskutohet asociacioni i komunave serbe.

Ndërkohë, përfaqësuesi i palës serbe, Marko Gjuriç, tha se çështja kryesore për Serbinë në takimin në Bruksel ishte ajo e asociacionit të komunave serbe në Kosovë, si dhe nisja e zbatimit të marrëveshjes së rënë dakord në vitin 2013.

“Ne besojmë se normalizimi mund të arrihet vetëm me zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, në mënyrë që të fitojmë besimin ndaj njëri-tjerrit e të vazhdojmë me çështjet e tjera. Por pala e Prishtinës duhet të tregojë qartësisht se mund t’i mbajë angazhimet e marra nga periudhat e mëparshme, dhe që nuk po përpiqet t’i ndryshojë në ndonjë mënyrë politike apo të gënjeshtërt, dhe që të mbajë fjalën e dhënë këtu”, tha Gjuriç.

Përfaqësuesi serb vlerësoi ndërmjetësimin e BE-së, por këmbënguli që çështja e asociacionit është e vetmja mënyrë që të ketë përparime me këto diskutime. Ai tha se diskutuan edhe çështjet e pronave, një diskutim që mesa duket ka pasur edhe tone të nxehta.

“Kemi shumë respekt për përpjekjet e BE-së që ta ndërmjetësojë këtë diskutim, dhe u bëjmë thirrje vendeve anëtare që t’u japin mesazhe të qarta Prishtinës. Nëse duam të arrijmë përparime të vërteta me këto diskutime, marrëveshja e asocimit të komunave serbe duhet të nisë të materializohet.  Sigurisht, diskutuam dhe çështjet e pronave. Pati raste që atmosfera ishte shumë e vështirë. U hapën argumente emocionale. Pati çaste kur u kthyem shumë shekuj në të shkuarën. Të paktën, këtë bënë disa nga kolegët tanë për të shpjeguar se pse mendonim se disa çështje duhej të zgjidheshin sipas asaj që besonin ata. Ne u përpoqëm të jemi shumë racionalë dhe të përqendrohemi në metodologjinë, pra ngritjen e instancave shtetërore që mund të kenë aftësinë të zgjidhin çështjet e pronave”, tha kryenegociatori serb.

Ai theksoi se pa parë rezultate konkrete nga ana e Kosovës për Asociacionin e Komunave Serbe, dialogu me Serbinë mund të mos vazhdojë dot.

“Nuk mund të them që ishte diskutim pozitiv, por për sa kohë diskutohet, ka gjasa që të kemi përparime në të ardhmen. Mund të them se e ardhmja e këtyre takimeve do të varet nga mundësia e Prishtinës për të zbatuar marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nëse nuk e bëjnë, nuk shoh se si mund të japë dialogu ndonjë rezultat pozitiv në të ardhmen”, tha Gjuriç.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.