Gati projektligji për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese

0

Jo vetëm transporti publik por edhe për mjetet lundruese po shikohet mundësia që të përdoret bileta elektronike. Ky ishte propozim i deputetit socialist Ilir Beqaj në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, që u pranua nga zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli.

Jemi duke punuar një sistem kombëtar biletimi për autobusët, mendoj se një gjë të tillë do të ishte me interes ta bënim edhe për një pjesë të mjeteve lundruese. E kam më shumë merakun sepse mendoj se kështu besoj edhe ju si ministri jeni në gjendje të kontrolloni më shumë kapacitetet e shfrytëzimit të tyre. Nëse turizmin detar duam ta zhvillojmë dhe mund të kemi kapacitete të pamjaftueshme për ta monitoruar unë besoj se një biletimi elektronik do të mundësonte edhe kontrollin e numrit maksimal sa ai ka licencën”, u shpreh deputet i PS Ilir Beqaj.

Kuptohet që në këtë rast policia do e ketë shumë më të thjeshtë me regjistrin elektronik të biletimit pasi bën kontrollin vetë  dhe nuk ka nevojë as të hapi dokumentet në bord, nëse do të ndalohet mjeti. Kjo që po bëjmë është shumë e rëndësishme dhe propozimi i Beqaj do të merret në konsideratë”, pohoi zëvendësministri i Infrastrukturës. 

Ky diskutim në komision është bërë teksa po shqyrtohej projektligji “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese, turistike e të argëtimit, me motor me fuqi mbi 30 kë dhe me tonazh nën 150 GT”.  Ky projektligj synon rregullimin e mënyrës së regjistrimit të mjeteve lundruese duke krijuar dy regjistra elektronik të cilët do të jenë të aksesueshëm edhe nga institucionet e shtetërore.

Çdo subjekt që riparon apo prodhon mjete lundruese të ketë një regjistër elektronik që kontrollohet si një database shtetërore dhe sa herë që bën një veprim ai të shkojë tek regjistri, që administrohet nga një ent i caktuar, dhe pastaj qeveria vendos vetë se kush ka të drejtë të ketë akses”, tha Beqaj.

Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese është sistemi i parë që do të ketë si funksion regjistrimin elektronik të gjitha mjeteve lundruese shqiptare dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligj zbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia, ILDKP. Dhe regjistri i dytë do të quhet “Sistemi i posaçëm elektronik për lëvizjen e mjeteve Lundruese”, i cili do të vendoset në Kapitaneritë e porteve të cilat do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujerat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë. Kostoja për ngritjen e këtyre sistemeve është parashikuar 35 milionë lekë, dhe për pesë vjet vlera vjetore e mirëmbajtjes do të jetë 400 mijë lekë.

Ky projektligj është ndërmarrë edhe në kuadër të zhvillimit të turizmit detar, duke marrë përsipër përmirësimin dhe monitorimin e mjeteve lundruese, turistike dhe të argëtimit. Sipas relacionit rregullimi i kuadrit ligjor është i domosdoshëm duke marrë parasysh edhe kërkesën në rritje për hyrjen dhe qarkullimin në ujërat territoriale shqiptare të mjeteve lundruese turistike dhe ato pёr qëllime argëtimi.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.