FILMI DOKUMENTAR VERA…

0

UDHËTIM SI NË LEGJENDA PËR TU MËSUAR SHQIPEN FËMIJËVE MËRGIMTARË…

Rrëfenjë për mësuesen Vera Shkurti që çdo javë kapërcen mbi dallgët e detit për tu mësuar fëmijëve të mërgimtarëve të ishujve Tinos e Siros në Greqi të flasin, lexojnë shkruajnë e këndojnë gjuhën e bukur shqipe…

Fragmente nga zërat në filmin dokumentar “Vera, mësuese në dy ishuj”

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar, ish mësues

Vera…Në shkollë mësojnë e flasin gjuhën greke. Në rrugë me shokët e shoqet duke u kthyer flasin gjuhën greke. Në shtëpi prindërit nuk i gjejnë. Nuk i gjejnë sepse punojnë që nga mëngjesi deri në darkë..
Unë ikja që në mëngjes. E lija fëmijën tim. E përcillte vajza në çerdhe dhe kur kthehesha në darkë e gjeja në gjumë. Atëherë për çfarë komunikimi shqip mund të flasim kur unë nuk e shikoja me sy e jo më t’i flisja? Dhe kjo kur? Në periudhën që fëmija është i vogël dhe e mëson gjuhën. Për çfarë komunikimi shqip mund të flas?

*                       *                            *

Rasti e solli një mbrëmje të udhëtoj me taksi nga njëra lagje e Athinës në lagjen ku banoja. Qëlloi që taksisti të ishte arvanitas me dëshirë të madhe të flasë shqip…
Folëm gjatë gjithë rrugës duke e kërkuar shqipen në çdo kthesë e në çdo objekt që na kapnin sytë. Në fund ai më tha…
 -Na jeshëm skipëtarë një qind për qind, po greku na thithi. Nuk na la të vazhdonim skolinë dhe nuk mundëm me mësue dhe me shkrue gluhën tënë. Edhe juve kështu do t’ju ndodhë. Fëmijët tuej nuk e mësojnë gluhën e mëmës, nuk kanë disirë të këthenenë në Skipëri, do bënenë grekër si na…

Më mbetën jo thjesht në kujtesë por plagë thellë në shpirt fjalët e taksistit…
Prej atëherë pena e jetës sime u ndal dhe u shtri në temën e madhe të shkollimit shqip të fëmijëve në Greqi…
E kam shtrirë atë në qindra shkrime dhe në tre libra, librat: “Rilindësit e kohës sonë”, ”Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut, me mbi njëmijë faqe dhe qindra fotografi, posaçërisht për mësuesit, KËTA Rilindës të Rinj të Kohës Sonë, siç i ka quajt Dritëro Agolli. Ma tha në një bisedë me Të…
Duke udhëtuar me mësuesit, ndër vite u binda se ata me të vërtetë janë Rilindës të Gjuhës Shqipe në mërgim, rilindës veçanërisht në një vend ku shqipja ka provuar flakën e djegies dhe helmin e jetesës…
Tregimi im kësaj radha bën hulli drejt ishujve Tinos dhe Siros të grup ishujve Cikladhes, në Detin Egje, me penë dhe me kamerë, në realizimin e dokumentarit “Vera, mësuesja e dy ishujve”…
Kam shkuar disa herë në Tinos, “Ishullin e Mrekullive” si e kanë qejf ta quajnë grekët për shkak të një pikture…
Kam shkuar edhe në Siros, kryeqendrën administrative të ishujve të Cikladeve…
Udhëtimi i qershorit të vitit 2014 prihej nga një skenar për një mësuese që kapërcente detin si në legjenda, për tu mësuar fëmijëve të mërgimtarëve si ta shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën e të parëve të tyre.
Udhëtova me Arian Melonashin, gazetar i njohur i televizionit i cili erdhi nga Roma me të gjitha pajisjet e punës që fjalët ti shndërrojë në art e bëmave të mësueses Vera Shkurti tu japë jetë…
Premiera e filmit dokumentar u dha në Berat më 1 gusht 2014. U dha për mësuesit që morën pjesë në seminarin për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, mësues të ardhur që nga brezi polar e deri në brigjet e Mesdheut. U dha më vonë edhe në mjediset e Ambasadës shqiptare në Athinë…
Kaq.
Të deleguarit e Ministrisë së Arsimit të pranishëm në Berat e lan filmin dhe Verën në “kalendat greke”, nuk krijuan asnjë hapësirë për ta prezantuar atë në Tiranë për një publik që mund e duhej ta thoshte fjalën e ta ngrinte zërin që këta “Rilindës të rinj të gjuhës shqipe” të njiheshin e të vlerësoheshin nga shteti në detyrimin rrjedhë e nenit 8 të Kushtetutës…
Po përcjell, në një cikël shkrimesh, fjalët e Verës, meditimet e një mësueseje dhe vlerësimet për të nga autoritetet e ishullit, mërgimtarët dhe njerëzit e thjeshtë…
Mbase një ditë lexuesi i këtyre radhëve do t’i bashkojë fjalët me figurat që lëvizin e i japin jetë mësimit të gjuhës shqipe në ishujt Tinos dhe Siros të Greqisë…

*                       *                  *

Jam nga Vranishti i Vlorës, njëzet vite në mërgim…- e fillon tregimin e saj mësuesja Vera Shkurti…
Kur erdha për herë të parë nuk e dija se ku shkoja dhe nuk e mendoja se çfarë të bëja…
Dalëngadalë humbet veten…
Nuk e dija ajo që jam, ajo që duhet të isha…
Erdha për të realizuar ëndrrën e çdo njeriu të thjeshtë që të ketë një shtëpi. Ai ishte qëllimi. Ishte një qëllim i afërm sepse mendonim të shkonim, të punonim disa vite, të mblidhnim ato lekë që duheshin për të bërë një shtëpi dhe të ktheheshim përsëri në vendin tonë, në jetën tonë, në profesionin tim. Mirëpo nuk ndodhi kështu…
Domosdo që jam ndeshur me vështirësi. Ka pasur momente që kam menduar kthimin çka e kanë jetuar të gjithë emigrantët e çdo kohe që kur ikin lënë mbrapa vendin, marrin me vete nostalgjinë, dashurinë për vendin, për njerëzit, për gjithçka.
Kam shkuar në Shqipëri dhe jam kthyer përsëri… Për herë të dytë, po.  Pse, se nuk kam  gjetur vazhdimin e asaj jete që ndërtuam këtu…
Duket sikur i kanë harruar ata që janë atje. Kurse ju që ikët pse u kthyet prapa?
Në vitet e parë të emigracionit këtu nuk mund të mendoje një gjë të tillë se edhe nuk  kisha atë idenë që Greqia do të mbushej pëllëmbë edhe tokë me shqiptarë.
Mbas 97-tës, mbas humbjes së piramidave, ndodhi një emigrim i ri. Rrugët e ishullit të Tinosit ku banoj filluan të mbushen me fëmijë. I dëgjoja duke shkuar në shkollë bashkë me fëmijët e mi. Rritej numri i lindjeve sepse erdhi rinia. Atëherë këta fëmijë për gjashtë vjet nuk vonojnë dhe shkojnë në shkollë.
Në shkollë mësojnë e flasin gjuhën greke. Në rrugë me shokët e shoqet duke u kthyer flasin gjuhën greke. Në shtëpi prindërit nuk i gjejnë. Nuk i gjejnë sepse punojnë që nga mëngjesi deri në darkë..
Unë ikja që në mëngjes. E lija fëmijën tim. E përcillte vajza në çerdhe dhe kur kthehesha në darkë e gjeja në gjumë. Atëherë për çfarë komunikimi shqip mund të flasim kur unë nuk e shikoja me sy e jo më t’i flisja? Dhe kjo kur? Në periudhën që fëmija është i vogël dhe e mëson gjuhën. Për çfarë komunikimi shqip mund të flas?
Duke ikur bashkë me familjen siç emigruam ne, brezi im, bashkë me fëmijët, problemi kryesor ishte ku të linim fëmijët. Punonim po ku do t’i linim fëmijët? Sepse nuk kishte as gjyshen, as gjyshin me vete, as motrën, as vëllain.
Mendoj se për çdo ngjarje që ndodh duhet të piqen kushtet. Vitet e para ishin ato të përshtatjes. Shqiptarët nuk kishin dokumente, kishin frikë të dilnin përjashta. Më vonë shqiptarët fituan atë liri të paktën të shkonin në Shqipëri dhe të ktheheshin. Të merrnin edhe fëmijët dhe t’i çonin në Shqipëri e t’i merrnin prapë. Shikuan një ndryshim shumë të madh. Nuk janë më ata të frikshëm. Janë edhe të zotët e vetes por edhe kanë treguar edukatën e tyre me sjelljen e tyre, me punën e tyre, e kanë rritur respektin.
Ishulli i Tinosit, qyteti i Tinosit, nuk ka qenë kështu para njëzet vjetëve që kur kam ardhur unë. Bregdeti, buza e detit, të gjitha lokalet po ti krahasosh kanë ndryshuar krejtësisht pamjen. Këto në sajë të krahëve të lirë të shqiptarëve, të punës së madhe të tyre, të punës lirë të paguar. Na dhimbset që ne kemi punuar kaq shumë por është edhe një krenari për fëmijët tanë. Këtë ua theksoj edhe nxënësve të mi në klasë për tu dhënë mesazhin që prindërit tuaj e kanë zbukuruar ishullin. Me duart e tyre kanë zbukuruar rrugët, shtëpitë, sheshet…
Nuk do të gjeja dot fjalë të përshkruaja lodhjen e shqiptarëve. Më dhimbset. Prekem se si punojnë në mes të diellit, kur temperatura arrin dyzet gradë dhe ata çajnë gurin, kur frynë erë dhe nuk qëndron dot. Të fryjë erë dhe ata të punojnë në majë të skelës.
Pas kaq vitesh kisha gjetur edhe unë ritmin e punës time por e kuptoja se diçka më mungonte në vetvete. Më mungonte vetja ime. Vetja ime kishte humbur. Kishte humbur në atë jetën e përditshme të punës të një emigranti. Nuk ishte kjo ëndrra ime…
Ajo bëri që një ditë të shkoj në bashkinë e qytetit dhe të trokas në derën e kryetarit të bashkisë. Nuk e mendonte që unë të shkoja atje për një çështje të tillë. Mendoi se kisha ndonjë hall timin personal…
Stefanos Laguros, zëvendës kryetar  i bashkisë thotë…
Kërkesa nuk na ra si rrufeja në qiell të pastër. Kur jeton me një komunitet i cili ndodhet jashtë vendit të tij për arsye ekonomike është krejtësisht e kuptueshme një kërkesë e tillë. Për një komunitet të tillë pra, është sa i dëshirueshëm, po aq edhe i detyrueshëm, mësimi i gjuhës amtare. Duke qenë të bindur për këtë ide, si organizëm bashkiak, menduam që kërkesës së parashtruar ti përgjigjeshim pozitivisht. Kështu pra, me ndihmën e çmuar të drejtoreshës së arsimit fillor, zonjës Vlastari, si dhe me mbështetjen e madhe të drejtorit të shkollës publike numër 2, u bë më pas e mundur marrja e një vendimi të komisionit të shkollave, për dhënien e një klase, këtu në Tinos, që do ti shërbente fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës së tyre amtare për fëmijët që jetojnë këtu. E veçanta qëndron në faktin se shumë prej tyre i përkasin brezit të dytë të emigrantëve, pra nuk e kanë dëgjuar gjuhën amtare…
…Ishte një gjë shumë e bukur për mua ta realizoja në kushtet e mërgimit pasi së bashku me realizimin e mësimit të gjuhës shqipe do lidhja edhe diçka tjetër, atë që atyre u mungonte, lidhjen me rrënjët e tyre, me vendin, prindërit gjyshërit, stërgjyshërit, pse jo edhe popullin, historinë e vendit të tij, sepse ashtu dalëngadalë duke njohur veten në kuptimin e plotë ai do të jetë edhe më krenar për atë që është shqiptar.
Unë tërë jetën nuk kam për ti harruar ato çaste gëzimi kur drejtori i shkollës numër 2 z. Valakas më merr në telefon dhe më thotë të vini në shkollë dhe të firmosni dorëzimin e klasës për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe.
…Kishte ardhur momenti kur durimi sa vinte dhe pakësohej dhe unë doja vërtet që ta realizoja sa më shpejt. Qëllimi im ishte që ta filloja më 7 Mars.
Shkolla u hap më 1 prill 2012…

*                  *                  *

Nikos Albanopulos, zv. Kryetar Bashkie në ishullin Siros… Para dy vjetësh, Veronika trokiti në zyrën time, e më shprehu dëshirën për të hapur shkollën shqipe këtu, në Siros, me qëllim që tu mësonte bashkatdhetarëve  të vegjël gjuhën amtare. Si Zëvendës Kryetar Bashkie dhe president i Këshillit të emigrantëve, e çmova si një ide tepër interesante, një ide shumë të mirë. Kjo edhe për një fakt të thjeshtë sepse mendoj shumë mirë faktin se fëmijët e emigrantëve, jo vetëm fëmijët shqiptarë në Greqi, por si gjithë emigrantët në të gjithë botën, mos ta humbin kulturën dhe qytetërimin që përcjellin në vendin ku banojnë. Edhe shqiptarët kanë të drejtën dhe detyrën njëkohësisht, që të ruajnë origjinën e tyre, qytetërimin e tyre, e t’i mbajnë e lëvrojnë në vendet ku jetojnë. Për të gjitha këto arsye që parashtrova më sipër, menduam që kërkesës së Veronikës ti përgjigjeshim pozitivisht. Ishte detyrimi ynë ta ndihmojmë…
…Këshilli i Emigrantëve ka mundësi të japë ndihmesën e vet në problematikën e emigracionit ashtu si edhe ka bërë deri më sot, por vepra më e bukur e tij, mendoj se është hapja e shkollës shqipe këtu në Siros…

                              *                  *                  *

Ishte e dyta herë që udhëtoja dhe zbrisja në limanin e Ermopulit, qendrës së ishullit të Sirosit, një prej ishujve më të bukur të Cikladeve, kryeqendër e tyre.
Herën e parë udhëtonim pesë vetë: Unë, bashkëshortja ime Natasha-mësuese nismëtare e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi, kushërira e parë e saj Dylberja-mësuese, bashkëshorti i saj Abdullai- farmacist…
Na printe Vera Shkurti, mësuese e Tinosit…
Ishte maji i vitit 2012, më saktë 24 maji. Më 20 maj ishim midis nxënësve të Verës, në klasën e saj ku të shtunave e të dielave mblidheshin në dy ndërresa 72 nxënës dhe mësonin të shkruanin e të lexonin gjuhën e bukur shqipe…
Në Siros udhëtonim me dëshirën e madhe të Verës për të hapur edhe atje një shkollë shqipe si e saj, si të gjitha shkollat në Greqi ku mësohej gjuha shqipe.
Na priti Parashqevia, një vlonjate që të merrte gjak në vetull. Na ngjiti mbi qytet ku bëmë fotografi me pamje që nuk harrohen. Më pas, me makinën e saj na ngriti në qiell, na e dha Sirosin në pëllëmbë të dorës, na i tregoi tërë sekretet e jetës së saj në ishull ndër vite: “murin kinez” me gurë ku kishte punuar i shoqi, Proletar Rokaj me shqiptarët e tjerë, lokalin ku ajo shkonte “me bark për fyti” për ti siguruar vajzës të ardhmen, shtëpinë e saj ndërtuar me djersën e ballit, veprimtaritë në ndihmë të emigrantëve si anëtare e Këshillit të Emigrantëve në Siros…
(Foto me Parashqevinë)
Herën e dytë udhëtova në qershor 2014 me Arian Melonashin, njeriun që me kamerën e tij edhe gurin e bën të gjallë.
Na printe Vera…
Atje takuam shumë shqiptarë, të njohur më parë, të njohur rishtas, për ti mbledhë me zë dhe figurë në një film dokumentar ku fjala ishte për mësuesen e dy ishujve, Vera Shkurtin…
Ja rrëfenjat shkëputur nga figura e filmit…

                              *                  *                  *

Vera… Atë që nisa në Tinos e fillova edhe në Siros. Duhet të krijoja një njohje me shqiptarët. Për fatin e mirë njoha një shqiptare, një patrioten time, Parashqevinë, një grua shumë e shkathët, punëtore, buzagaze, e gojës…
Parashqevia… Vera më kërkoi ndihmë. Kur jam njohur me Verën ajo ka qenë në Tinos. Më kanë njohur disa kushërinj të mijtë në Tinos…
Vera… Për fatin e mirë Parashqevia duke qenë anëtare e Këshillit të Emigrantëve në Siros, një rastësi kjo, bëri që menjëherë të më vinte në kontakt me kryetarin e këshillit të emigrantëve në Siros…
Nikos Albanopulos, zv. Kryetar Bashkie në ishullin e Sirosit… Para dy vjetësh, Veronika trokiti në zyrën time dhe më shprehu dëshirën për të hapur shkollën shqipe këtu, në Siros, me qëllim që tu mësonte bashkatdhetarëve  të vegjël gjuhën amtare. Si Zëvendës Kryetar Bashkie dhe president i Këshillit të Emigrantëve, e çmova si një ide tepër interesante, një ide shumë të mirë. Kjo edhe për një fakt të thjeshtë sepse mendoj shumë mirë faktin se fëmijët e emigrantëve, jo vetëm fëmijët shqiptarë në Greqi, por si gjithë emigrantët në të gjithë botën, mos ta humbin kulturën dhe qytetërimin që përcjellin në vendin ku banojnë. Edhe shqiptarët kanë të drejtën dhe detyrën njëkohësisht, të ruajnë origjinën e tyre, qytetërimin e tyre, e t’i mbajnë e lëvrojnë në vendet ku jetojnë. Për të gjitha këto arsye që parashtrova më sipër, menduam që kërkesës së Veronikës t’i përgjigjeshim pozitivisht. Ishte detyrimi ynë ta ndihmojmë…
Vera… Isha e gëzuar që mësimi i gjuhës shqipe do të fillonte edhe në Siros por cilët do të ishin fëmijët që do të merrnin pjesë, ku do t’i gjeja? Ecja dhe shikoja patriotët e mi, dëgjova shqip dhe papritur në këtë rrugicë, në tavolinën këtu, shikoj një grup patriotësh të mi që flisnin e bisedonin me njeri tjetrin…
Artan Aniaj… E vërteta kështu është. Si zakonisht çdo mbrëmje ne mblidhemi dhe pimë ndonjë kafe, diskutojmë të rejat e ditës dhe çfarë bëhet në Shqipëri, edhe me politikë. Na tërhoqi pak vëmendjen sepse pa dy tre herë nga neve dhe e kuptuam…
Vera… Të flas apo mos të flas? Dëshira më bëri që t’i përshëndes…
Artani… Erdhi. Thotë përshëndes patriotët. I themi si jeni si kaloni. Na tha se jam nga Vlora. Kam një problem. Nuk është vetëm imi, problemi është edhe i juaji. Kam biseduar dhe interesohem për të hapur shkollën shqipe. Rrofsh, i themi…
Vera… Ishulli i Sirosit nuk ishte për mua i panjohur sepse në Siros shkonim shumë herë për të bërë dokumentet…
Nikos Albanopulos… Siros është liman i ndërtuar nga emigrantët. Me pak fjalë, deri në vitin 1821 Ermopoli nuk ekzistonte. Erdhën emigrantët dhe e ngritën nga zeroja. Qyteti u ndërtua në shumë pak kohë prej emigrantëve. Tek njerëzit e këtushëm pra, ekziston e rrënjosur ndërgjegjja historike, sipas së cilës me sot a nesër mund të vijë dita, që sërish edhe ne të kthehemi në emigrantë…
Përgjithësisht, mendoj që Këshilli i Emigrantëve ka mundësi të japë ndihmesën e vet në problematikën e emigracionit ashtu si edhe ka bërë deri më sot, por vepra më e bukur e tij, mendoj se është hapja e shkollës shqipe këtu në Siros…
Parashqevia… Në Bashki krenohem dhe them që hapëm edhe ne një shkollë shqipe. Më bëhet qejfi shumë që hapëm edhe ne një shkollë shqipe. Bëmë edhe ne diçka. Shkolla shqipe për mua do të thotë diçka, do të thotë shumë gjëra…
Vera… Kërkesa ime ishte një çudi për ata. Por a do të mundja unë që të vija nga Tinosi në Siros çdo të enjte, çdo të enjte, çdo të enjte…? Po sa, për një muaj, për dy muaj dhe sa do të vazhdoj të vejë e të vij?
Parashqevia… Më tha që po ta hapim do të gjejmë një njeri. Sa ta hapim dhe do ta gjejmë një mësuese. E hapëm me mendimin që do të dalë një njeri nga Sirosi. Me këtë mendim vjen Vera këtu…
Artani… E hapëm në një far mënyre që të gjenim një mësues këtu por kjo ishte shumë e vështirë…
Vera… Menduan se unë paguhesha dhe ndoshta edhe ato do të paguheshin por kur e kuptuan që ishte krejtësisht vullnetare u tërhoqën.
Në qoftë se unë do ta çelja, dhe për arsye ekonomike, sepse është rruga të vesh e të vish, kohe dhe ekonomike bashkë, ta mbyllnim…
Atëherë jo u detyrova por ishte nevojë.
Artani… Shumicën e rasteve ka humbur punën e saj që nga neve është shumë e vështirë ta bësh këtë sakrificë…
Vera… Faqja ime ka edhe të vështirën, edhe të bukurën. Ka të vështirën sepse nisem nga ora tre, në mes të ditës, me diell po edhe me erë, po edhe me shi, por problemi është se si do të kthehem. Mund të kthehem në orën dhjetë të darkës, mund të kthehem në dymbëdhjetë. Ka pas raste që kemi pritur me Parashqevinë deri në të gdhirë që të vijë vapori në orën katër dhe kam mbërritur në shtëpi në orën pesë e gjysmë, gjashtë.
Parashqevia…Vera këtë punë e bën se ka pasion dhe ka dëshirë, dhe e ka në mëndje dhe ka qenë një mësuese dhe do që të ngelet një mësuese. Është si puna ime që dua të hap një biznes, atje e kam mendjen, ku të bëj një diçka tjetër, është sëmundje. Edhe puna e Verës është puna e saj që do të merret e nxënësit. Nuk shplodhet edhe të shtunë e të diele. Sepse po qe se je nënë me fëmijë. Ajo e mbyll shtëpinë e saj dhe shkon me kalamajtë tonë…
Artani… E kemi bekim nga Zoti ne Vlonjatët. Jo se e kemi për mburrje por e kemi të brendshme. Na e ka bërë Zoti të merremi me këto gjëra…
Vera: Më shtyn vetja ime. Është ajo që dua të plotësoj atë boshllëkun e viteve. Kam vite në mërgim, kaq vite duke bërë një punë që nuk më shpreh, kaq punë që vlerat e saj nuk janë. Dua të shprehem ajo që jam dhe dua të bëj ato që dua të bëj.
Parashqevia… Jemi shumë të ndryshëm për sa i përket interesit. Vera vazhdon punën dhe vjen me xhepin e saj…

*             *                  *

Parashqevia… Unë dua që rrënjët tona mos të humbasin. Unë ika shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe në qoftë se unë nuk do t’i mësoj fëmijës time gjuhën, nuk do të arrij dot fëmija im t’ia mësojë fëmijës së vet. Dhe e mendoj që këta fëmijë duhet të flasin shqip me gjyshin e me gjyshen. Si mund t’u flasin fëmijët? T’u flasin greqisht? Të mërzitet gjyshi dhe gjyshja? Se do të mërzitet gjyshi me gjyshen…Nuk do të mërziten?
Vera… Unë vërtet mbaj anën e bukur sepse kthehem me mbresa, sepse e di shumë mirë se të enjten tjetër më presin fëmijët që të vete përsëri. Më presin në port. Dhe në mes të turmës së njerëzve janë dy fëmijë që më kërkojnë me sy se ku është mësuesja…dhe papritur më dalin përpara…
Një grek…
Ajo që bën kjo çupë, është me gjithë mend diçka e madhe pasi është e vështirë në këto kohëra që jetojmë të gjesh një njeri, që e bën pa asnjë lloj shpërblimi…

*             *                  *

Ky dokumentar i kushtohet të gjithë mësuesve të diasporës që mes sakrificash, duke përballuar vështirësitë e përditshme të jetës, gjejnë kohën e mundësinë të mbajnë gjallë shkëndijat e gjuhës amtare…
Kështu e mbyll syrin ekrani i vogël në rrëfenjën për Vera Shkurtin që kapërcen dallgët e detit për tu mësuar gjuhën e nënës fëmijëve shqiptarë në dy ishuj të Cikladeve në  Egjeun prush ishujsh.
E mbyll duke hap krahët në një përqafim që nuk është parë ndonjëherë për mbijetesën e gjuhës shqipe, mbijetesë që lart në qiellin e zotave të politikës shqiptare askush nuk e shikon, askush nuk e dëgjon, askush nuk e lexon, askush nuk merr laps e letër ta shkruaj…
Biseda vazhdon..
 Parashqevia… Unë dua që rrënjët tona mos të humbasin. Unë ika shtatëmbëdhjetë vjeçe dhe në qoftë se unë nuk do t’i mësoj fëmijës time gjuhën, nuk do të arrij dot fëmija im t’ia mësojë fëmijës së vet. Dhe e mendoj që këta fëmijë duhet të flasin shqip me gjyshin e me gjyshen. Si mund t’u flasin fëmijët? T’u flasin greqisht? Të mërzitet gjyshi dhe gjyshja? Se do të mërzitet gjyshi me gjyshen…Nuk do të mërziten?
Vera… Unë vërtet mbaj anën e bukur sepse kthehem me mbresa, sepse e di shumë mirë se të enjten tjetër më presin fëmijët që të vete përsëri. Më presin në port. Dhe në mes të turmës së njerëzve janë dy fëmijë që më kërkojnë me sy se ku është mësuesja…dhe papritur më dalin përpara…
Po xhironim filmin nën kureshtjen e shumë njerëzve kur një papaq si u thonë grekët motoçikletave të vogla si lodra fëmijësh ndalon jo thjesht për kureshtje sepse të tilla skena janë të zakonshme në një ishull grek turistik por i kishte bërë për vete Vera, donin që ta thoshin fjalën e tyre për Të. Ishte e natyrshme që mbi fytyrat e tyre të qeshura të ndalej syri i kristaltë i kamerës.
Dhe ja biseda e tyre e fiksuar në sinkron me zë e figurë…
I pari… Vera po bën diçka të rëndësishme.
I dyti… Ngadalë ore mik, ngadalë.
I pari…Dhe pa asnjë fitim, pa asnjë grosh, me pak fjalë.
I dyti… Dhe jo vetëm në një ishull.
I pari… Mos qesh, kjo është vlerë.
I dyti… Eh mirë, thuaje të shkretën.
I pari…  Pa fitim ore shok…e thashë.
I dyti… Ajo që bën kjo çupë, është me gjithë mend diçka e madhe pasi është e vështirë në këto kohëra që jetojmë të gjesh një njeri, që e bën pa asnjë lloj shpërblimi…
E tha që në fillim Vera së është bij e Vranishtit të Vlorës. Ishte e natyrshme që kamera e Melonashit të ngjitej luginës së ashpër të Shushicës, atje ku gropat e rrugës ta lëkundin tensionin.
U ngjit në kërkim të rrënjëve të dijes në atë zonë, rrënjë të cilat babai i saj i kishte ujitur e rritur pemën e dashurisë për shkollimin e fëmijëve tërë jetën si mësues…
Nuk e gjeti Ferjat Shurtin. Kishte ikur duke lënë gjurmët e vet ndër të tjera edhe  në librin “Rrënjët e dijes”…
Bardhosh Micaj arsimtar në Vranisht do të mbushte ekranin e vogël duke thënë…
Ferjat Shkurti ishte një mësues shembullor dhe një drejtor shkolle shembullor. Edhe dy motrat e Verës janë mësuese. Ajo ishte mëkuar me këtë profesion. E njihja formimin e kësaj vajze, pasionin si nxënëse shembullore dhe si mësuese e re. Dhe nuk mu duk çudi sepse ishte pjesë e karakterit të saj dhe e edukatës që kishte marrë.
Lexova një artikull në gazetën “Hora” ku fliste për aktivitetin e saj si mësuese e kurseve të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve. Dardha bie nën dardhë….
Vera…Unë besoj që fryma e babait tim, gjithmonë më ka udhëzuar, më ka drejtuar, më ka orientuar. Ishte një nga ata arsimtarë që e dashuroi profesionin e tij, që dinë jo t’i mësojnë fëmijët, por t’i orientojnë drejt dashurisë për dijen, për arsimin, për gjuhën, për vendin, për fshatin, për njerëzit…
E dashura vajza ime Vera,
Në përgjithësi jam mirë. Për të tjerët do ta marrësh vesh nga Lies.
Jam gëzuar shumë që je patriote, që je mësuese me të vërtetë siç kam qenë edhe unë. Ajo që bëre në Tinos, që hape shkollën shqipe të nderon dhe të hap perspektivë.
Të uroj punë të mbarë dhe shëndet.
Të përqafoj!
Babai Juaj
Ferjat Shkurti

14 prill 2012
Vera… Realizimi i ëndrrës time ishte edhe një ëndërr e babait tim. Brenda një ëndrre jetonte edhe një ëndërr  tjetër.
Unë sot u mësoj fëmijëve shqiptarë. Ata gjuhën e dinë sepse vijnë nga brezi i parë i emigrantëve. Por në qoftë se mendojmë dhe shkojmë përpara me imagjinatën pas njëqind vjetëve çfarë do të ndodhë? Në qoftë se ky brez i dytë shkëputet nga brezi i parë, nuk e trashëgon gjuhën në atë nivel, në atë cilësi, brezi tjetër akoma më pak, tjetri akoma më pak. Atëherë do ndodhë ajo që dalëngadalë gjuha do të humbasë.

*             *                  *

Para se t’i jepja dorën  zëvendëskryetarit të Bashkisë dhe Presidentit të Këshillit të emigrantëve të ishullit të Sirosit, z. Nikos Albanopulos,  e pyeta:
“Kur shkollat greke do të hapin dyert për mësimin e gjuhës shqipe ashtu siç janë hapur dyert për mësimin e gjuhës greke në Evropë, Amerikë e deri në Australi?”
“Kur Qeveria juaj do të lidhë marrëveshje me Qeverinë tonë”, më tha ai duke më shtrënguar dorën…
Nuk kisha se çfarë t’i thosha…
Qeveria shqiptare, ministrat shqiptarë të MASH apo MAS deri sot nuk e kanë bërë një hap të tillë…
Dhe nuk e di në se do ta bëjnë ndonjëherë…
Ky film dokumentar u shfaq në Berat në seminarin e 10-të mbarëkombëtar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë…
Të pranishmit nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit nuk e kërkuan CD-në për ta dhënë në një auditor të madh në Tiranë me praninë e autoriteteve më të larta të shtetit e pushtetit…
Televizionet kombëtare shqipfolëse ngrenë në qiell “tre dynymë luleshtrydhe” të ndonjë fermeri e harrojnë…
Se në Greqi ka një mësuese që udhëton dhe u mëson fëmijëve gjuhën shqipe në dy ishuj…
Se në Selanik ka një “këshill mësuesish” më të madh në numër, jo në një shkollë të largët komune por të kryeqytetit, të cilët që nga 7 marsi 2001 u mësojnë fëmijëve të shkruajnë e lexojnë gjuhën e bukur shqipe…
Se në Athinë, Patra, Korinth, Kalabaka, Kavalla, Arta, Dhomoko, Salamina…tashmë ka vite që ka marrë rrugë e zgjerohet dita-ditës mësimi vullnetar i gjuhës shqipe nga mësues që nuk ndryshojnë në misionin e tyre të madh nga Rilindësit e Mëdhenj të Kombit Shqiptar…

Abdurahim Ashiku 


Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.