Epidemia e Covid-19-s si na gjeti, si po sillemi me të dhe si do të përfundojë…

0

Nga prof. dr. Ahmet Kamberi

Sot Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve të botës dhe pothuajse e gjithë Europa është sulmuar nga një armik i padukshëm, i quajtur Covid-19, i cili përpiqet të futet në trupin e njeriut, të mësyjë qelizat e tij, në mënyrë të veçantë qelizat e rrugëve të frymëmarrjes, të futet brenda tyre, të shumohet duke u ushqyer me përmbajtjen e këtyre qelizave derisa t’i shkatërrojë ato dhe të vdesë edhe vetë kur ky ushqim t’i ketë mbaruar, në qoftë se forcat mbrojtëse të organizmit nuk do ta kenë vrarë më parë atë. Por i shumuar brenda trupit të njeriut të prekur prej tij, ai mund të nxirret përjashta me piklat e lëngut kur ky njeri teshtin ose kollitet; i gatshëm dhe i etur të sulmojë këdo tjetër që mund të arrihet nga këto pikla, ose kur ato dikush i prek me dorë kudo ku ato mund të jenë pikëluar dhe prek me ato duar gojë, hundën a sytë e tij. Ky, dhe sidomos, varianti SARS-Covi-2, është një vrasës i egër kur gjen një armikpritës që e mirëpret. Këtij sulmi mund t’i bëhet ballë, por vetëm duke zbatuar me përpikëri rregullat dhe taktikat që i përmbahen strategjisë së luftës kundër tij. Gjendja ku ne jemi sot është një epidemi që sapo ka nisur. Do ta lëmë të ngjitet rrufeshëm në majë të malit e pastaj të fillojë të zbresë, apo pengëzat e vëna nga autoritetet shëndetësore dhe qeveria do t’ia ulin vrullin dhe ta bëjnë atë të ngjitet me ngadalë në majë të një kodre të ulët dhe të zbresë po me ngadalë. Ky shpërthim mbarëbotërorë i këtij lloj infeksioni po ndodh për herë të parë dhe askush nuk din aq mirë se cilat do të ishin mënyrat më pak të kushtueshme si për frenimin, ashtu edhe për mospërhapjen e tij. Por mësimet e vlefshme të nxëna nga shpërthimet e mëdha infektive të mëparshme kanë mundësuar marrjen e masave shëndetësore, mjekësore e shtetërore që në vendet e prekura para nesh janë shoqëruar me rezultate të mira. Pritet që edhe te ne ky tip masash, të marra në përshtatje me kushtet e vendit tonë të shoqërohen  me pengimin e hyrjeve të reja të infeksionit, ashtu si edhe me frenimin e shpejtësisë dhe gjerësisë së përhapjes së tij. Kur epidemi nis të zhvillohet, ajo nuk mund të ndalohet, por dëmet e saj mund të zbuten dukshëm shumë.

Ç’është epidemia?

Epidemia është gjendja kur, në një vend të caktuar dhe në një kohë të caktuar, virusi ka nisur të infektojë njeriun dhe të përhapet me shpejtësi nga një njeri te tjetri derisa të përfshijë të gjithë masën e njerëzve që janë armikpritës të tij. Kur të ketë përfshirë maksimumin e armikpritësve të shkaktarit të infeksionit, epidemia ka arritur majën e saj. Pas kësaj numri i njerëzve armikpritës të virusit fillon të pakësohet dalëngadalë derisa ata të rrallohen së tepërmi, ose të jenë mbaruar. Më pas virusi struket në folenë e vet, që mund të jetë një kafshë a një shpend, të rimarrë veten, ose të vetëtransformohet dhe kur të gjejë rastin të nisë një agresion të ri. Kur epidemia arrin të shpërthejë në një shumicë vendesh të botës ajo shndërrohet në pandemi. Europa është sot në qendër të pandemisë së Covid-19-s dhe ne jemi brenda saj.

Kush mund të jetë armikpritësi i virusit?

Njerëzit nuk mund të preken të gjithë nga një infeksion virusal a bakterial. Për këtë duhen disa kushte. Së pari organizmi i dikujt mund të mos ketë zotësinë ta luftojë infeksionin, kryesisht kjo nga dobësia ose dobësimi i sistemit të tij vetëmbrojtës (imuniteti). Ky dikushi është pra i gatshëm ta mirëpresë armikun e tij – virusin, jo nga dëshira por nga pazotësia për ta luftuar atë. Por edhe ky dikushi, nuk është medoemos i prekshëm nga virusi. Që të ndodhë kjo ai duhet të ketë një kohëzgjatje të mjaftueshme kontakti me virusin, si edhe të marrë një dozë të mjaftueshme të papërballueshme prej tij. Njerëzit me dobësim të sistemit të vetëmbrojtjes së organizmit nga sëmundje të ndryshme, ose nga të ftohtit, ata që janë duke u mjekuar me barna si kortizoni ose me barna për mjekimin e tumoreve, janë armikpritësit më të mirë të virusit. Por edhe të tjerë mund të jenë armikpritës të virusit siç janë ata me sëmundje të bronkeve e mushkërive, ata me diabet dhe ata me sëmundje të zemrës e enëve të gjakut, kur kanë kontakt të zgjatur dhe marrin doza të mëdha virusi. Madje edhe ata me sistem vetëmbrojtjeje të mirë të organizmit mund të shndërrohen në armikpritës, kur bien në kontakt të përsëritur e të zgjatur me virusin dhe marrin doza të bollshme të tij. Por askush nuk e din se sa të fortë e ka sistemin e tij vetëmbrojtës të organizmit të vet, përveç atyre që janë vaksinuar. Veçse asnjë nuk është vaksinuar deri më sot nga një vaksinë kundër Covid-19-s, të paktën te ne jo, sepse një vaksinë e tillë vetëm se po tentohet të prodhohet. Nga ana tjetër ajo ka një rrugë jo të shkurtër për të dalë në treg, se duhet t’i nënshtrohet disa rregullave teknike. Pra, askush, përveç kategorive që përmenda më sipër nuk mund ta dijë se nuk mund të bëhet armikpritës e rrjedhimisht viktimë e Covid-19-s.

Ç’na mëson historia e epidemive të mëparshme?

Bota ka kaluar shumë epidemi deri më sot. Murtaja, lija, kolera dhe tifoja ekzantematike, ethet e verdha, fruthi, sifilizi etj. kanë qenë në kohët më të hershme disa nga epidemitë më vdekjeprurëse që mbahen mend. Në kohët më të reja gripi spanjoll i vitit 1918 p.sh. preku rreth 500 milionë njerëz e prej të cilit vdiqën rreth 100 milionë. Në 1957-1958 gripi aziatik (virusi H2N2) shkaktoi rreth 2 milionë vdekje në gjithë botën. Në vitin 1968-1969 gripi i “Hong Kong-ut” (virusi H3N2) u shoqërua me rreth 1 milionë të vdekur. Në vitin 2009-2010 “Gripi i Derrit”  (virusi H1N1) megjithëse u kufizua në pak vende të globit, shkaktoi rreth 500 mijë të vdekur. Në vitin 2000, fruthi preku rreth 40 milionë njerëz, prej të cilëve vdiqe rreth 800 mijë vetë.

Ajo që duhet të kuptojmë është se nga kjo epidemi e Covid-19-s, nuk pritet të ketë më pak se të paktën ato epidemi që kanë shkaktuar numrin më të vogël të vdekjeve, që gjithsesi nuk do të jetë i vogël. Në një vit në Shqipëri vdesin rreth 22 mijë njerëz, por Covid-19 mund ta tejkalojë këtë numër vetëm në disa javë. Këtë nuk e them për të trembur njerëzit, por për të kuptuar seriozitetin e gjendjes dhe për të kuptuar se sa e nevojshme është që të përvetësojmë këshillat e autoriteteve shëndetësore, si edhe të zbatojmë masat shtrënguese të Qeverisë.

A mund të ndalohet epidemia?

JO! Nuk mund të ndalohet, në qoftë se nuk do të ketë së shpejti një vaksinë specifike për të.  Por mund të përzvoglohen ndjeshëm dëmet e saj për jetën e njerëzve. Ruajtja dhe mbrojtja e jetës së njerëzve mbi çdo gjë tjetër!

Si mund të bëhet kjo?

Tani të gjitha vendet, të nxitura dhe të udhëzuar nga OBSH-ja, janë angazhuar në luftën kundër Covid-19-s dhe kjo është shumë, shumë e rëndësishme edhe për ne.

Strategjia e përballimit të Covid-19-s mbështetet në tri shtylla: Frenimin e epidemisë, zbutjen e përhapjes së infeksionit në bashkësitë e ndryshme e në të gjithë popullsinë e mjekimin e të sëmurëve, si edhe vaksinimin e popullsisë së paprekur ende.

Frenimi i epidemisë

Frenimit të epidemisë te ne ka vetëm vlerë të pjesshme, sepse mbyllja e kufijve e ka ndërprerë mundësinë e ardhjeve të reja nga jashtë. Por mbetet të testohen e të testohen dhe të izolohen rastet e dyshuara.

Zbutja e përhapjes së infeksionit në popullsinë brenda vendit

Kjo është tani mënyra më e frytshme për ngadalësimin e përhapjes së infeksionit. Është shumë e rëndësishme për ta kuptuar këtë, sepse këtë nuk e ka aq në dorë Qeveria dhe shëndetësia, por e kemi kryesisht ne në dorë për ta bërë këtë.

Në fazën e tanishme të epidemisë, më e rëndësishmja nga të gjitha masat tjera është distancimi social, në të vërtetë distancimi fizik, sepse lidhjet me të tjerët ne mund t’i ruajmë nëpërmjet telefonit dhe mjeteve të tjera elektronike. Masat e Qeverisë për mbylljen e shkollave, mbylljen e kafeneve e restoranteve, kinemave, grumbullimeve, shfaqjeve a koncerteve etj., si edhe kufizimin e daljes në rrugë, kanë për qëllim pikërisht këtë: distancimin social (fizik).

Pse është i domosdoshëm distancimi social (fizik)

Virusi nuk shkon më larg se një metër e gjysmë me piklat që ne nxjerrim nga goja ose hundët, kur flasim, teshtimë ose kollitemi. Prandaj është e domosdoshme të qëndrojmë mundësisht rreth 2 metra, por gjithsesi jo më afër se një metër e gjysmë larg njëri tjetrit kur jemi të detyruar të dalim përjashta për të blerë ushqime ose barna, ose për nevoja të tjera si kërkimi i ndihmës mjekësore, shërbimet postare e bankare etj.. Kështu edhe për ata që janë të detyruar të dalin në punë për shërbime ose prodhime. T’i anashkalojmë ata që flasin në telefon, ose bisedojnë me njëri tjetrin në rrugë. Të respektojmë të gjitha rregullat higjienike të këshilluara nga autoritetet shëndetësore, që nga larja e duarve e mënyra e ndalimit të piklimit gjatë teshtitjes e kollitjes, këshilla të cilat i shohim orë e çast në të gjitha televizionet.

Por nuk duhet të dalim në rrugë për qejf! Kushdo prej nesh duhet të kuptojë se kur ka rreth 70 të diagnozuar me Covid-19, ka qindra dhe ndoshta mijëra, që nuk e kuptojnë se janë të sëmurë, sepse e kalojnë lehtë atë, pa shqetësime të përfillshme. Por këto qindra ose mijëra të prekur në heshtje ose papërfillshëm, nga padija, ose nga refuzimi për të zbatuar distancimin fizik mund të jenë, ose të bëhen  përhapës të rrezikshëm të infeksionit gjatë 4-5 ditëve të para të sëmundjes. Prandaj përsëritjani këtë vetvetes: larg, larg, larg tjetrit sa herë që dilni në rrugë, sa herë të shkoni në dyqan në farmaci a jeni në pritje për t’u vizituar në poliklinikë, për të kryer një veprim në bankë a në postë. Pastaj mos harroni të mos prekni fytyrën me duar, të përdorni dezinfektuesin kur prekni sende ose vende që nuk janë tuajat dhe të lani duart sapo të keni mundësi për ta bërë këtë.

Kjo është mënyra më e frytshme për të ngadalësuar vrapin e përhapjes së infeksionit. Përndryshe epidemia do të ngjitet shpejt në majën e malit të saj dhe shërbimi shëndetësor e kujdesi mjekësor do të ngarkohet në të tillë mënyrë sa që nuk do të dijë se nga t’ia mbajë. Nuk do të jenë në gjendje ta përballojë vërshimin e të sëmurëve që do të kenë nevojë për ndihmë. Personeli mjekësor do të shohë me dëshpërim se si i ikin njerëzit nga duart. Shpirti i punonjësve të shëndetësisë, që po ju bëjnë sot të kuptoni se sa të çmueshëm janë, do të mbetej përjetësisht i plagosur. Në këtë rast të gjithë do të ishim të humbur. Do të prekeshim atje ku s’mban. Nëse nuk do të pësojmë gjë vetë, për veten tonë, do ta pësojmë edhe më keq,  do ta pësojmë te të dashurit tonë. Pastaj, do të guxojmë vallë të qeshim sa të jemi gjallë!? Nuk do të na hiqet nga mendja marrëzia që bëmë dhe do të na e thajë buzëqeshjen në buzë.

Dy fjalët e fundit për epideminë e Covid – 19-s

Nga historia e të gjitha epidemive të mëdha të mëparshme kemi mësuar se bashkë me nisjen e një epidemie, nis edhe një trazim i shoqërisë njerëzore që e shoqëron atë deri në mbarimin e saj po me të njëjtën ecuri.

Siç e pamë dhe po e shohim, në fillim sjellja e njerëzve, madje edhe ajo e qeverisë, ishte si ajo e gomarit “hë se jam në ëndërr…”. Nuk e besonin se po ndodhte, nuk e besonin se po vinte. “Teoricienë” të ndryshëm thanë se ne jemi të veçantë e gjithfarë teorish të tjera të këtij lloji. Shqiptarët në Itali, që e panë të parët se nuk ishte ëndërr por zhgjëndërr, ia mbathën prej andej për t’i shpëtuar infeksionit. Dhe për ‘i shpëtuar vetë infeksionit, ia sollën atë të dashurve të vet. Ata nuk u kujtuan të vetëkarantinoheshin, ashtu si dhe i kishin mësuar në Itali  se si duhej të vepronin. Por as autoritetet shëndetësore dhe qeveria nuk i detyruan ta bënin atë, se u mjaftuan me matjen e temperaturës së trupit kur ata hynë në kufi. Mirëpo temperatura e trupit nuk i tregon të gjitha. Ajo tregon praninë e sëmundjes tashmë të shfaqur, por jo inkubacionin e saj, që do të thotë se sëmundja do të shfaqet më vonë. Nga ana tjetër një numër të sëmurësh lehtë mund të mos kenë ngritje të përfillshme të temperaturës. Midis tyre shumica ishin të shëndoshë, veçse kishte edhe të prekur. Por në këtë fazë të gjithë ne vazhdonim avazin e “gomarit në ëndërr”. Nuk është se kjo ka ndodhur vetëm te ne, ka ndodhur gjithandej. Kështu ka ndodhur edhe në kohët e vjetra. Por njerëzit harrojnë, ose nuk duan të besojnë.

Kjo vjen nga fakti se perceptimi, interpretimi dhe përgjigjja ndaj kësaj ngjarjeje që zhvillohet gjatë një kohe të caktuar, janë të ndryshme dhe zgjasin deri në përfundimin e saj.

Kur erdhi rasti i parë e pastaj njëri pas tjetrit raste të tjera, njerëzia u hodh në sulm çoroditës. Dikush, i panikosur vetë, ua transmetonte atë edhe të tjerëve. Dikush gjeti rastin të mbillte panik se ashtu i vinte për mbarë për njëmijë arsye: Ku ndodhet karantina, ku ndodhet karantina, ku, ku, ku…? A thua se kjo do të ishte shpëtimi. Por karantina nuk mund të jetë një e vetme për gjithë Shqipërinë. Karantina nuk është spital. Ajo është një vendbanim i përkohshëm i njerëzve që vijnë nga vende me epidemi. Ata qëndrojnë aty deri sa të kalojë koha e mjaftueshme për të kuptuar se nuk janë të prekur, ose nëse dikush është i prekur  të izolohet e të mjekohet. Karantinë mund të shndërrohet çdo ndërtese sociale e volitshme, kurdoherë dhe kudo që të jetë e nevojshme. Kur numri i të ardhurve është shumë i madh, në karantinë shndërrohet shtëpia e tyre. Në Kavajë tha dikush! Dhe doli një kavajas e tha: në Kavajë!? Në Kavajë luan pushka po të sjellin karantinën këtu. Le ta çojnë në Pukë, se atje bie borë. Për të ardhur keq, por ja që ka edhe njerëz, që të trullosur nga nxitja dhe zhurma hutuese nga të katër anët, vijnë e mendojnë edhe kështu. Të gjitha këto, me dashje pa dashje, çonin ujë në mullirin e dikujt tjetër, që në përgjim, menduan se u erdhi dita të tregohen se dinë të qeverisin më mirë, se i kuptojnë hallet e varfanjakëve më mirë, se do ta zgjidhnin më mirë problemin e mjekimit duke blerë gjithë aparaturën e nevojshme mjekësore etj. etj.. Por pa i shkuar fare nëpër mend se në ditë kiameti mjerë kush gjendet në krye të pushtetit. Tashti që infeksioni ka marrë vrull, teori të panumërta lulëzojnë se si mund t’i ruhemi infeksionit se si mund ta mjekojmë me hudhra e karafil që tërbojnë lakuriqin e natës, po të doni edhe me glasat e grabitqarëve të tyre skifterëve apo të bufave, se si mund të mjekohet sëmundja me barna të ndryshme ende të paprovuara shkencërisht etj. etj. etj… pa fund. Sapo është botuar në revistën mjekësore amerikane rezultati i një studimi nga shkencëtarët kinezë, të cilët kanë provuar ta mjekojnë Covid 19-n me kombinimin e dy barnave antivirusale Lopinavir – Ritonavir dhe kanë arritur në përfundimin se në pacientët e rritur të shtruar në spital me Covid-19 të rëndë nuk u vu re ndonjë përfitim më i madh nga përdorimi i Lopinavir – Ritonavirit në krahasim me kujdesin standard të pacientëve të tillë (B. Cao, Y Wang, D. Wen, etj. New England Journal of Medicine, 18 mars 2020 dhe përditësuar, më 20 mars 2020. DOI: 10.1056/NEJMoa2001282).

Nuk janë të paktë ata që u japin mend të tjerëve, i japin mend autoriteteve shëndetësore, i japin mend qeverisë. Njëri i bie thumbit e tjetri patkoit. Ndërsa infeksioni përfiton dhe vazhdon punën e vet. Kafshon, kafshon, kafshon…Deri kur? Deri kur të mos i marrë goja më shumë dhe të fillojë t’i mbarojë ushqimi.

Kur infeksioni të ketë ardhur në këtë fazë, që t’i fillojë pakësimi i ushqimit (armikpritësit e tij), atëherë edhe njerëzia do të përshtasë sjelljen e saj me gjendjen e re. Si do të jetë kjo? Kur të vijë do ta shohim. Tani për tani po shohim sjelljen e sotme. Do të vijë edhe fundi i epidemisë. Do të vijë se s’bën. Por nëse asaj nuk i ngadalësohet vrulli dhe të mbarojë punë shpejt aq më keq për të gjithë. Kështu do të humbasim shumë jetë njerëzish, që përndryshe mund të kurseheshin. Ekonomia do të marrë tatëpjetën dhe shteti i leckosur do të mbetet lakuriq.

A ka një mënyrë për ta ndaluar këtë fund tragjik?

Po, ka! Por kjo kërkon solidaritet, jo kërkimin e fajtorit kur beteja është në zhvillim.

Nëse politikanët që kërkojnë të marrin pushtetin, ata duhet të solidarizohen me masat që po merren për të zbutur vrullin e përhapjes së infeksionit, u vjen apo nuk u vjen për shtat atyre. Në këtë mënyrë, në mbarim të betejës, do të kenë fytyrë t’i kërkojnë popullit t’i ngjisë në pushtet dhe të mund të marrin në dorëzim një shtet me lecka, por jo lakuriq.

Nëse biznesi do të gjejë gjuhën e përbashkët me qeverinë për ta ndihmuar në marrjen e masave për të zbutur vrullin e përhapjes së infeksionit, e sidomos në zbutjen e halleve të njerëzve të skamur, ose të rrënuar nga tërmeti i fundit, ai do të dalë pak i lagur në fund të kësaj beteje, por jo i qullur kokë e këmbë.

Nëse e gjithë shoqëria do të angazhohet në zbatimin e masave për të zbutur vrullin e përhapjes së infeksionit, në fund të betejës ajo do të dalë më e njerëzishme, më njeridashëse, më krenare dhe jo e katandisur si “mo zo më keq”.

Nëse familja do ti bashkohet masave për të zbutur vrullin e përhapjes së infeksionit, në fund të kësaj beteje ajo do të dalë me më pak humbje dhe me më pak dëshpërim dhe jo e shkatërruar.

Nëse çdo qytetar, i ri apo i moshuar, femër apo mashkull do t’i marrë seriozisht masat për të zbutur vrullin e përhapjes së infeksionit dhe do t’i zbatojë ato me rreptësi, sado të kota, të padrejta, të vështira a të paarsyeshme që t’i duken sot, në fund të kësaj beteje ai ose ajo do të ndjehet i/e denjë dhe krenar/e për betejën e fituar, sado me dhimbje, por nuk do të ndjehet qyqar ose qyqare.

Kur kjo epidemi të ketë përfunduar, të gjithë do të shohin në pasqyrë fytyrën e tyre, ashtu si ajo është paraqitur në të gjitha fazat e epidemisë. Shoqëria do të shohë veten në pasqyrë, ashtu si ajo do të jetë sjellë në të gjitha fazat e epidemisë. E kështu me radhë qeveria, biznesi, familja e çdo njeri i veçantë.

Por edhe gjithkush do të mund të kuptojë më në fund se sa e domosdoshme është për këdo, një sistem shëndetësor i mirëorganizuar, i mirëpajisur, e me personel të mirëtrajtuar. Dhe ndoshta, kur të jetë puna për të kursyer, nuk do të jetë ai të cilit do t’i sulen të parit.

Më së fundi, dikush ndoshta edhe do t’i drejtohet Ezopit, e ta pyesë se çfarë të bëjë. E ai do t’i përgjigjet ashtu thatë, thatë, por prerazi: “Pije detin! Pije detin!” zotëri, a zonjë, kushdo qoftë ai dikushi.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.