Ekipet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia vijojnë në Bruksel bisedimet

0

Ekipet e ekspertëve nga Kosova dhe Serbia vijojnë në Bruksel bisedimet mbi çështjet e të zhdukurve, të zhvendosurve dhe ato të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Të dielën ekspertëve pritet t’iu bashkëngjiten edhe drejtuesit e delegacioneve në nivel teknik, Skënder Hyseni dhe Marko Gjuriç, me t’u kthyer nga takimi i Uashingtonit.

E ndërsa ekspertët do të vijojnë bisedimet në këtë nivel, të hënën pritet që të mbahet edhe takimi i tretë i nivelit të lartë politik, mes Presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit kosovar Avdullah Hoti, siç është lajmëruar, për temat e minoritetit serb në vend dhe ato të çështjeve financiare dhe të pronësisë.

Brukseli parashikon vijimin e dialogut për normalizimin e mardhënieve mes dy vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, dialog ky i cili zgjat prej 9 vitesh, dhe që rifilloi në qershor, pas një ndërprerje gati dy vjeçare. Për atë që quhet “marrëveshja e Uashingtonit” nga Brukseli zyrtar është thënë vetëm se mirëpresin çdo aktivitet që do plotësonte në mënyrë pozitive përpjekjet e Dialogut të Brukselit. Ky i fundit sipas BE-së është e vetmja platformë ndërmjetësuese që synon të arrijë një marrëveshje gjithpërfshirëse mes dy palëve, ligjërisht të detyrueshme, dhe që synon mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura mes dy vendeve, para anëtarësimit të mundshëm të tyre në të ardhmen në gjirin e BE-së.

Ndërsa dialogu në nivel teknik do të ndërmjetësohet të shtunën dhe të dielën nga Përfaqësuesi i Posaçëm Miroslav Lajçak, të hënën, për takimin e nivelit të lartë pritet të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme, njëkohësisht zvPresident i Komisionit Evropian, Joseph Borrell.

Siç është thënë dhe më herët, BE synon të rrisë numrin e takimeve në nivel politik deri në dy takime në muaj, për të bërë përpjekje drejt përparimit në këtë proces i cili zgjat prej gati një dhjetëvjeçari, pa ndonjë arritje për t’u shënuar.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.