EGËRSI…

0

Fletë leximi për të ngujuarit nga korona-virusi

PSE KAQ EGËR ZOTI… N…?

Fejton

Një sulm ndaj Gjuhës Shqipe, sulm që nuk e kuptoj se pse bëhet e ku synon. Sulm allashqiptarçe, ala “Klubi i Selanikut”
E ndjej veten ligësht që më duhet të replikoj publikisht me zotin N. , drejtues i një partie politike shqiptare në Greqi i cili, nuk e di pse, ka ndërmarrë një sulm pakuptim ndaj asaj që është arritur me mund, djersë e sakrifica për mësimin e Shqipes nga fëmijët tanë në Greqi…
Zoti N. shkruan:
Zoti Lorenc…nos u perpiqni ne emer te patriotizmit Tuaj, te hidhni zjarr, sepse mund te digjeni personalisht nga keto zjarre, vullnetarizmin Tuaj e paguajne anetaret e Lidhjes se mesuesve qe vijne e bejne mesim falas ne shkollen ku ju fitoni evropula… mendohuni me shume kur te hidhni batuta ”patriotike,,……
Shkruan në “faqe libri” apo si njihet botërisht në face book.
Një çorbë gjuhësore do ta quante edhe një nxënës që ka mbaruar shtatëvjeçaren 4-5 dhjetëvjeçarë më parë. Nuk po merrem me këtë anë të rëndomtë të shkruesve analfabetë të Gjuhës Shqipe, po i përcjell ligjërimet në origjinal, në gjykim të lexuesit.


Në një emision televiziv një prej opinionistëve (nga ata të kudondodhurit me pagesë) tha se sharësit dhe kërcënuesit në face book dhe në twitter nuk mbajnë përgjegjësi… si të jenë deputetë (!) Në këtë kuptim i jap të drejtë zotit N. Ai nuk din se çfarë i shkruan dora dhe i flet goja. E mëshiroftë Zoti!
Sikur të ishte një nga ata sharësit rrugorë nuk do të merresha me të por kur mëson se zoti N. qenka nënkryetar partie, madje i një partie që e quan veten se është “shumë pranë emigrantëve” (e kush nuk thotë këtë!), që ka mbaruar Akademinë e Arteve dhe Muzikës, atëherë çështja është me të vërtetë për të vënë duart në kokë.
Zoti N., si të ishte në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, madje me pushtet deputeti kërcënon me “zjarre” :
“nos u perpiqni ne emer te patriotizmit Tuaj, te hidhni zjarr, sepse mund te digjeni personalisht nga keto zjarre…”
Një ligjëratë të tillë kërcënuese mund ta gjesh vetëm në fjalorë diktatorësh apo imitues diktatorësh.
Zoti N., pas kësaj sulmon me të njëjtin fjalor duke e quajtur kundërshtarin e tij vjedhës, një njeri që me shkollën e tij “fiton evropula…”
Zoti N. e mbyll ligjërimin e tij, ashtu si e ka filluar, me kërcënim: … “mendohuni me shume kur te hidhni batuta ”patriotike,,……”
Pas këtij kërcënimi monstruoz, kërcënim që nuk do ta mendonin dhe nxirrnin nga goja as qarqet më të egra antishqiptare, nuk ka se si të mos vijnë reagimet e mësuesve, anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, ndër të tjera duke treguar rrugën plot sakrifica të shkollimit shqip të fëmijëve të shqiptarëve emigrantë në Greqi, rrugë që nis që nga legalizimi, që nga viti 1998, e më pas me hapje kursesh për mësimin plotësues të gjuhës shqipe fillimisht në Selanik e më tej në Athinë tek “Porta”, “Shkolla shqiptare e Athinës”, Korinth, Kallabaka, Saranti, Volos etj.
Por a dëgjon zoti N.? Ai i sulmon edhe nënkryetarin e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi me një lum akuzash…
….”e keni harruar pa dashje apo qellimisht te na tregoni se nese keni fatura te parave qe kane paguar nxenesit neper keto shkolla, ndonje dokument ku kane vajtur keto para apo , apo grante te tjera monetare nga organizma nderkombetare qe jane akredituar per keto shkolla dhe nuk dihet ku kane shkuar…..mos duhet qe te publikoni keto dokumenta qe te mundemi te njohim me mire perpjekjet ”vullnetare,, te disa nga keto KOKA te arsimit shqiptar…… gjithashtu ”pa dashje,, nuk keni permendur as edhe nje numer se sa nxenes kane patur keto shkollat Tuajat…..”
Më tej zoti N. çudit të çuditurin kur deklaron se mësimet ”ZHVILLOHEN NE HAURET E KISHAVE AMERIKANE APO STALLAT E TJERA” (!)
Dhe pasi ul lapsin ngre veshët…
“…kam degjuar qe ne kete lidhje nuk pranohen ish pedagoge te Universitetit te Tiranes……eshte e vertete apo…..sa anetare ka kjo lidhje qe te mund te perfaqesoje gjithe inteligjencen shqiptare, dhe keta jane zgjedhur me votim kaq te rregullta sa jane te denje te perfaqsojne keto interesa kombetare…beni mire te na sqaroni ….”
Pas këtyre akuzave vijnë një lumë reagimesh të mësuesve që nga Selaniku, në Athinë e Korinth…
Vjen edhe reagimi i kryetar të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi i sulmuar egërsisht nga z. N…
“…Më vjen keq por si nënkryetar i një force politike shqiptare që aderon të na përfaqësojë ne Emigrantët në Parlamentin e ardhshëm Shqiptar, nuk ju falet të shpifni dhe të keqpërdorni postin tuaj për të hedhur baltë mbi ata shqiptarë që kanë punuar sado pak në dobi të komunitetit. Dhe mbi të gjitha është e pafalshme ta degradoni debatin tonë në plan personal.
Së pari për hir të së vërtetës theksoj se Shkolla Shqiptare e Athinës administrohet nga Unioni për Bashkëpunimin Shqiptaro-Grek një organizëm jo fitim prurës, krijuar në vitin 2006 nga ish nxënës të shkollës dhe ligjëruar nga gjykata e Athinës në vitin 2009. Në gjithë këto vite shkolla mbahet ekonomikisht, në sajë të sponsorizimit të biznesit BestXpert që ka vënë në dispozicion mjediset dhe bazën materiale, nga puna vullnetare e mësueseve tona dhe e jona personale si dhe nga kuotizacionet e anëtarëve.
Theksojmë se asnjë ndihmë ekonomike nuk kemi pasur në gjithë këto vite as nga shteti amë, as nga shteti Helen dhe as nga Bashkimi Evropian siç thoni.
Nëse ju keni fakte, jeni i ftuar ti botoni, përndryshe nëse keni sado pak ndjenjë përgjegjësie duhet të përgënjeshtroni shpifjet e mësipërme.
Së dyti theksoj se të ardhurat e mia familjare në këto vite janë nga biznesi im i suksesshëm Shkolla e Informatikës BestXpert ku kanë mësuar kompjuter dhe janë certifikuar me diplomat evropiane qindra nxënës. Theksoj se bëj një deklaratë fiskale me shumë zero dhe paguaj dhe tatimet përkatëse. Nëse është faj të kesh një biznes të suksesshëm që konkurron në tregun Grek atëherë deklarohem fajtor.
Nuk kam asnjë dëshirë ta vazhdoj më tej këtë debat në planin personal.
Uroj të jeni mirë dhe t’ju realizohet ëndrrat tuaja për karrierë politike por pa abuzime me Mësimin e Gjuhës Shqipe në Emigracion dhe pa përlyer emrin tim për përfitime personale.
Mos harroni se jetojmë në një shtet ligjor dhe për shpifjet tuaja të pa vërtetuara keni dhe përgjegjësi ligjore.”
Njohës i problemeve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Greqi dhe në mbarë Evropën, njohje e cila është e dokumentuar në katër libra të serisë “Njerëz që i dua” me rreth 2000 faqe dhe në një sërë artikujsh që ende vazhdojnë, i pranishëm fizikisht në auditorët modestë të shumicës së këtyre kurseve të mësimit plotësues, i pranishëm në katër seminaret e organizuara në Athinë, Selanik dhe Korinth, pjesëmarrës aktiv nëpërmjet paraqitjes së tre librave, dokumentime të punës së mësuesve shqiptarë në emigracion të cilët Dritëro Agolli i madh i letrave shqipe i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë”, përkatësisht në seminaret mbarëkombëtare në Durrës, Strugë, Mitrovicë dhe Prishtinë, pas fjalëve të shkruara nga zoti N. u befasova, siç nuk jam befasuar kurrë në jetën time.
E shkruar e zeza mbi të bardhë, e përcjellë nëpërmjet valëve të internetit në të gjithë botën pozicioni i zotit N. më tronditi. Pyeta veten se si është e mundur që një njeri që drejton një parti politike shqiptare në postin e lartë të nënkryetarit të partisë, një njeri që aspiron të jetë kuvendar në Kuvendin e Shqipërisë (Zoti na ruajt), të rrëshqasë kaq fort e të bije në batakun e zi të shpifjes dhe denigrimit pa asnjë lloj motivi vetjak e partiak?
Pyeta dhe përgjigjen e gjeta tek një ballafaqim tetë orësh në ndjekje të Gjyqit të 22 janarit 2010 gjyq përfundimin e të cilit e kam bërë publik në shkrimin “Gjyqi i gjuhës shqipe në Athinë”, shkrim që e gjen në publicistikën time, në librat e mi, në internet e në kujtesën e lexuesve të shumtë. Drejtoreshën e shkollës së Gravas në Athinë Protonotarjo dhe mësuesen e Gjuhës Shqipe në këtë shkollë Karkalla më 22 janar 2010 i vunë në bankën e të akuzuarave. Akuzues ishte një person i cili ishte dërguar nga Ministria e Arsimit dhe e Besimeve të Republikës së Greqisë për të zëvendësuar Protonotarion e pushuar nga puna pse kishte hapë një klasë për fëmijët shqiptarë për të mësuar gjuhën shqipe dhe një klasë për prindërit e tyre për të mësuar gjuhën e vendit të ri ku i solli fati. Akuzuesi, nën trysninë e opinionit publik përparimtar grek dhe përparimtar botëror që shpërtheu pas këtij skandali, kokulur deklaroi se i vinte turp për atë që bëri dhe u kërkoi ndjesë, para trupit gjykues dhe të pranishmëve të shumtë, drejtoreshës dhe mësueses shqiptare. Gjyqtarët, pas tetë orë gjykimi, pas mbrojtjes që u bëri atyre Avokati i Popullit Grek, pas tërheqjes së prokurorit, i shpalli ato të PAFAJSHME.
Shpresoj që zoti N. t’i lexojë dhe rilexojë disa herë ato që ka shkruar dhe të dalë me një NDJESË PUBLIKE, tu përkulet ulur në gjunjë drejtuesve dhe mësuesve të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi.
Mësuesit shqiptarë të mësimit plotësues në Greqi po e tregojnë veten se me të vërtetë janë RILINDËS, në një kohë dhe hapësirë tjetër nga ajo e Rilindësve të mëdhenj të Kombit Shqiptar.
Ata kanë zhvilluar dhe zhvillojnë mësim me ZEMËR, falas.
Për këtë vlerë të madhe të punës së tyre…në një shkrim tjetër…javën e ardhshme… këtu në “PLUS GAZETA ATHINA”…me titull… MJAFT MË ME “TË SHTUNA KOMUNISTE” !

Abdurahim Ashiku
Athinë, 7 mars 2012

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.