DURIM VOGLI

0

DURIM VOGLI IA LUAN FENË…

Cikël humori

Bëmat e Durim Voglit, ikanakut që durimin e ka sa një kokërr orizi, po marrin dhenë.
– Ia luajta fenë! – i deklaron Durim Vogli Durim Madhit duke ia rrëmbyer gotën e rakisë e duke e hedhur curril mbi gojën e hapur si shpellë, duke mbledhur trumë duartrokitjet dhe brohoritjen e pijetarëve të lokalit. “Te gota”.
– Ti?! – t’ia luash fenë? Na çudite, pa pikë çuditëse. Dhe kur, sot, në ditën e Kurban Bajramit.
– Ia luajta që ç’ke me të. Djali im që sot e tutje nuk do të ndjekë më mësimet e fesë në shkollë.
– Çfarë feje more kopuk?
– Fesë ortodokse ore firaun.
– Si, se s’po të marrim vesh?
– A e din që në shkollë mësohet me mësues të veshur me veladon të zi feja ortodokse?
– E di, kush nuk e din.
– Aty ta kam, aty ndalu dhe hapi veshët.
– Ja ku më ke me gojë hapur e me vesh karravesh.
– Djali im që sot e për gjithë kohën që do të vazhdojë shkollën qytetëse, gjimnazin dhe liceun është i përjashtuar nga mësimi i fesë.
– Kush e përjashtoj?
– Unë, dora vetë.
– Si e përjashtove?
– Thjesht, me një deklaratë përgjegjësie, nga ato deklarata që bëjmë sa e sa herë jemi përballë nëpunësish bashkiakë.
– Ia fute kot! Si u përjashtuaka nga mësim një nxënës vetëm me një deklaratë përgjegjësie?
– Këtu ta kam. Duro se do të ta them krye e kokë.
– Hajde se na plase…
– Më kishte ardhur në majë të hundës me djalin. E kishte kthyer shtëpinë në kishë. Herë lexonte me zë të lartë e herë deklamonte si në teatër fraza të gjata që unë jo e jo, por edhe ai që ka dy klasë shkollë greke, nuk i merrte vesh. Ishte i detyruar të mësonte faqe të tëra nga bibla dhe ti deklaronte me zë të lartë. Lere këtë por shihja që lëndëve të tjera ua hante hakun, i kalonte me një të lexuar, me ca të shkruara në fletore dhe i vente njëra mbi tjetrën. 
Një ditë, me shqetësimin që më kishte mbërthyer jo vetëm grykët por edhe duart e këmbët, shkova në shkollë. Trokita në zyrën e drejtoreshës dhe pa pritur të thërriste “hyr” u gjenda ballë për ballë saj. E pashë që u tremb. Me siguri nga pamja ime, që zjarrin përbrenda e kishte shndërruar në tym e kish mbuluar tërë fytyrën.
– Urdhëroni! – më tha ajo në një pozicion gati për karate.
– Kam ardhur për djalin. – e zbuta zërin dhe i hodha një të qeshur fytyrës.
– Çfarë problemi keni?
– Djali im vazhdon mësimet këtu. Është në klasë të tretë. Me thënë të drejtën e shoh që lodhet shumë me lëndën kishtare, me mësimin e pjesëve përmendësh dhe po ia var mësimeve të tjera.
– Dhe çfarë kërkoni nga unë?
– Shiko zonjë! Unë jam gatuar, si të them, si ateist, megjithëse nganjëherë i drejtohem kur jam keq, me ndonjë lutje Zotit. I respektoj të gjithë besimet dhe besimtarët por kjo lënda e fesë në shkollë më duket si barrë e rëndë për një fëmijë në klasën e tretë të fillores. Sikur…
– Ju kuptova. Lënda fetare nuk është e detyrueshme në shkollë. Askush nuk është i detyruar ta ndjekë…
– Si nuk është i detyruar?
– Thjesht ju, me një deklaratë përgjegjësie, mund ta hiqni djalin tuaj nga orët e mësimit të fesë…
– Si, me një deklaratë? Një deklaratë kështu të thjeshtë si ata që bëjmë në polici apo bashki ?
– Po, një deklaratë të thjeshtë, këtu para meje. Urdhëro plotësoje…
– Si kështu? Po ka ndonjë problem djali për mos vajtjen në orën e fesë?
– Asnjë problem. Djali të mësojë mirë dhe kaq…
– Kështu ndodhi i nderuar Durim Madhi që tu harroftë mbiemri. Unë bëra deklaratën, e firmosa, ia dorëzova drejtoreshës dhe i thashë djalit të mos shkojë në orën e fesë. 
– Bravo! Unë nuk e dija këtë, prandaj thonë se njeriu plaket duke mësuar e rinohet duke dëgjuar.
Tre tavolina, tek lokali “Te gota”, u bashkuan dhe rakia rrodhi për shtatë palë qejfe. 
Durim Vogli atë ditë me të vërtetë “Ia luajti fenë”. Abdurahim Ashiku, alias Durim Madhi

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.