KOMSHIU IM XHAVIT MIFTARI, MJEKU I PARË INFEKSIONIST I DIBRËS
Elegji, e vonuar një vit, ndryrë në shpirt…
Ka ditë që më vjen e
më ulesh në kujtesë Xhavit Miftari. Më ulesh siç më uleshe në divan, në
kuzhinën e ngushtë, me një gotë raki e kafe, pjekur nga Natasha, siç ulesha në
divan, në dhomën tënde me ballkon, me një gotë raki e kafe, pjekur nga
Shahja…
Eh sa mirë shkonim komshiu im. Sa mirë shkonin Altini me Dufin. Sa dashuri
kishin me njëra tjetrën Alma me Erblinën aktoret e bukura të tetarit të
kukullave të shtëpisë së kulturës. Sa shpirtmadhe ishte nëna jote, NËNË e madhe
që rriti me mund e djersë një djalë si ti…
Të kam në kujtesë komshiu im kur dilje nga shtëpia, tek zbrisje dy shkallë e
ktheheshe mbrapsht, ngrije këmbën një shkallë më lart e lidhje këpucën, një
herë njërën e njëherë tjetrën, e zbrisje shik i veshur me atë trupin e drejtë,
fytyrën e qeshur që shpërndante mirësi.
I jetoj në shpirt çastet kur vinte për vizitë Seferi, kushëriri jot, shoku im
shofer në ndërmarrjen bujqësore, me të shoqen. Bubullinte shkalla nga zëri
bariton i Seferit tek ngjiste shkallët, zëri mikpritës i Shahes dhe nënës tënde, e qeshura jote…
“Kohë që nuk vijnë më”, më shkruante sot Alma, në përvjetorin e parë të ikjes
tënde…
Ishe jo vetëm komshiu por edhe doktori im i familjes. Kur u operova për tëmthin
nga doktor Arif Hasani e Lul Pilafi me reanimator Selim Horeshkën ma kishe
mbajt dorën tek koka sikur të ishe vëllai im e më vonë më tregoje që përveç
tëmthit më kishin hequr edhe dhimbjen e stomakut aq herë të biseduar bashkë.
Ishe i dashuruar shumë pas profesionit. Nga një klinikë e vogël me disa
shtretër hodhe themelet e një spitali të sëmundjeve infektive. E kam në arkiv
hedhjen e themeleve. E kam edhe shkatërrimin e tyre në vitet e mbrapshta që
erdhën si një virus vdekjeprurës, më i keq se ky që jetojmë sot. Nuk e kam në
foto kur u rindërtua e ti me bluzën e bardhë shkoje dhomë më dhomë duke
përcjellë shpirtin e madh të mjekut, ilaçi shërues i jetës tënde.
Nuk e di në se i kanë vënë emër të përveçëm spitalit, emrin domethënës XHAVIT
MIFTARI. Po qe se ia kanë vënë, nder i kanë bërë vetes. Po qe se nuk ia
kanë vënë, është koha që një bust Juaji me bluzë të bardhë hedhur krahëve të vendoset në hyrje të tij.
Ka ditë që më vjen në kujtesë Xhavit Miftari!
Ditë zie botërore!
Mos u bëfshin muaj!
Do të dëshiroja që këto ditë, në radhë me shokët e profesionit tënd, të ishe
edhe ti, mjeku i parë infeksionist i Dibrës që e ngjite disiplinën tënde
shkencore nga një pavijon i vogël në një spital modern, që le gjurmë që nuk
shlyhen kurrë.
Por ti ike. Ike shpejt. Ende mbi varrin tënd nuk është ripërtërirë për së dyti
bari e gonxhet e trëndafilit të lules së jetës tënde Almës, nuk kanë riçelë…
Një vit më parë kur ike më dhëmbi shumë. Më dhëmbi se isha larg e nuk mundesha
ta ngushëlloja bashkë me Natashën bashkëshorten tënde Shahen, djalin tënd
Menduin, vajzën tënde Almën. Alma, në përgjigjen ndaj ngushëllimit tim nga larg
ma thau pak lotin me atë që më dërgoi, jetën tënde si njeri e si mjek, atë që
ti e kishe ekspozuar me thjeshtësi dhe dinjitet…
“Xhavit Miftari ka
lindur me 5 gusht 1935 ne Çerenec të Dibrës. Para se të fillojë aktivitetin në
sektorin e shëndetësisë (1966) ka punuar për 3 vite rresht në sektorin e
arsimit dhe kulturës, ka hapur për herë të parë shtëpinë e kulturës në Shupenzë
në vitin 1955-1957. Në vitin 1961 -1966 kreu studimet në UT Tiranë dega mjekësi.
Më pas u specializua për sëmundjet infektive.
Disa nga aktivitet kryesore profesionale të tij janë: tifoja abdominale, klinika, referate në
sesione shkencore
mbi
epidemiologjinë e hepatitit viral, referate në sesione shkencore në bashkëpunim
me dr. Tush Balliu dhe dr. Selami Nazifi, komplikacionet e fruthit (buletini i
shkencave mjekësore), bruceloza në rrethin e Dibrës (me bashkëpunëtorë
Dr.E.Eltarin, B.SH.M), studimet mbi hepatitet virale dhe dizenterinë në Dibër
(1981-1985) në bashkëpunim me këshillin shëndetësor
të ministrisë së shëndetësisë, reference mbi historikun 50-vjeçar të shërbimit
infektiv ne rrethin e Dibrës (1945-1996) mbajtur ne maj të vitit 1995, mbi
kodin e etikes dhe deontologjisë mjekësore, mbajtur ne konferencën e parë të kujdeseve
infermierore në vitin 2005.
Në shtyp ka përcjellë se çfarë të marrim dhe të lëmë nga mjekësia popullore, botuar ne gazetat ”Ushtima e maleve ”dhe ”Rinia, gjendjet komatoze”, botuar ne revistën mjekësore, ngrirjet e trupit, botuar në gazetën “Ushtime e maleve”…
Ka mbrojtur gjuhën angleze ndër të parët dhe është vlerësuar mirë në Tiranë, ka qenë president i urdhrit të mjekut nga viti 2001-2008, ka qenë pedagog i shkollës mjekësore të mamive Peshkopi nga viti 1966 e deri në mbarim, është dekoruar nga Kuvendi Popullor në vitet 1990-1995 me motivacionin “Në shërbim të mirë ndaj popullit”, ka marrë titullin “Qytetar Nderi” i qytetit te Peshkopisë më datën 18.05.2012. Në vitin 2015 Bashkia Bulqizë (komuna Gjoricë) i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi”…”
E kërkova Xhavit Miftarin në arkivin tim fotografik. Nuk mund të mos
ishte mes më se dhjetëmijë filmave fiksuar në kujtesën kompjuterike. E gjeta në
një moment të bukur të jetës sime, në 40 vjetorin e ditëlindjes, në maj të viti
1981…
Ishte midis njerëzve të mi më të dashur, prindërve e njerëzve të gjakut, pranë e pranë në dhomë
shtëpiake, krah për krah njeri tjetrit. Të qeshur, të gëzuar, siç gëzonim
asokohe kur portat e shtëpisë i kishim me kompensatë që mbylleshin me një çelës
të zakonshëm, e në ditë të shënuara njerëzore të gjitha portat e shtëpive të
shkallës në pesë kate hapeshin…
E kapa foton ku ishe në krah me dy nga
komshinjtë një kat më poshtë, Myrtezain dhe Rinën, bashkë me familjarë të mi.
Bëra një prerje dhe e veçova në portret Xhavitin në atë buzëqeshjen e tij që
nuk i shkëputej nga buzët e atë rrezatim njerëzor që e veçonte nga të tjerët…
E sot, një vit pas, nuk mund të mos marr me vete e përcjell Xhavitin me “bluzë
të bardhë”, Xhavitin me dhembjen e Almës…
Anonime m’duken
ftyrat e njerëzve
qe nuk te njofin
e kisha dashte me iu fole për ty
qe edhe ata me ken dikushi…
Iku nje vit pa ty ba…
Nuk mund të le Almën në “ankesën” e saj
njerëzore:
26 korrik 2019
Shumë shpejt ma
more edhe mamin o ba
.
Qofshi në shkallët më të larta të xhenetit.
Fryma
dhe rrahja e zemrës time, ju që me dhatë jetën e që mbartët dhimbjen time.
* * *
E ndjeva detyrim shpirti, sot pas një viti ikje njeri pas tjetrit, ta çliroj
një rrjedhë loti, për komshinjtë e mi, Xhavit dhe Shahe Miftarin…
Ishin dhe mbetën njerëz për të cilët çdo fjalë mirësie të përdorësh është pak,
shumë pak…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 25 mars 2020