Disa mendime për prindërit

0

Përpos kërkesave të shumta nga prindër që na kërkojnë ide dhe sygjerime mbi si të ndihmojnë fëmijët e tyre ta kalojnë me sa më pak pasoja këtë situatë izolimi, e vërteta e pa thënë eshte se mirëqenia e fëmijës varet nga mirëqenia e prindit. Një prind i paralizuar nga ankthi e pasiguria e ka të pamundur të funksionojë si faktor mbrojtës për fëmijën. Si rrjedhojë ky shkrim i dedikohet prindërve.

Prindi, në shumicën e rasteve, sot është në shtëpi dhe është transfomuar në një mësues, një kujdestar, një amvisë, mbase dhe lojtar ping-pongu por edhe burimi i vetëm për mbështetjen emocionale të fëmijëve. Sigurisht, këto role prindi i mbante në jetën e familjes edhe përpara se Covid-19 të organizonte jetët tona në formën që ka marrë sot në mbarë botën. Ajo që mungon sot është piketimi; mungojnë ato detaje në jetën e përditshme që orientojnë njeriun tek lundron përmes roleve të shumta që mban në jetë. Marrim shembullin e një mëngjesi të zakonshëm kur një prind pasi shoqëron fëmijën në oborrin e shkollës niset për në punë. Udhëtimi, qoftë me këmbë apo me automjet, nga shkolla e fëmijës deri në punë mundëson procesin e ndryshimit të rolit nga prind në profesionist, në një punonjës që hyn në ambientin e punës dhe i përshtatet punës ashtu sic përjetohet në atë ambient. Kjo gjë nuk ekziston sot për ata që punojnë nga shtëpia apo ata që nuk punojnë më. Mungesa e piketimeve përcaktuese, rrëmuja e thënë më thjesht, ka forcë te shkaktojë ankth në nivele më të larta se ato që njeriu natyrshëm përjeton dhe përballon në jetën e përditshme. Çfarë duhet bërë për të ulur nivelet e ankthit në këto momente?

Kujdes Lajmet

Përgjigja magjike nuk e ekziston, por ajo që është vënë re deri më sot është që informacioni mediatik dhe jo vetëm, është faktor stresi. Pa diskutim që duhet të informohemi mbi cfarë na rrethon, por për sa kohe? Përcaktoni një edicion informativ të ditës ku për 30 minuta merrni një ide të përgjithshme mbi cfarë po ndodh dhe pas kësaj vini kufij. Një tjetër shqetësim i kësaj fushe janë lajmet e rreme dhe si mund t’i spikasim ato. Pa diskutim që burimi i lajmit dhe siguria mbi integritetin profesional të këtij burimi rrisin besueshmërinë. A keni besim tek gazetari apo platforma mediatike që po e publikon një lajm? Kush tjetër e ka publikuar atë lajm? A eshte dhënë një arsyetim me rrjedhë llogjike mbi verifikimin e lajmit? Si ju duken fotografitë apo videot që e shoqërojnë?

Një lajm i shkruajtur në një mënyrë që stimulon ndjenjat tona në disproporcion me njohuritë apo gjykimin tonë, nuk ka për qëllim informacionin por reagimin tonë. Shikojeni për herë here të dytë dhe vendosni sa rëndësi do t’i jepni.

Kujdesuni per veten

Pa dyshim që vetëmohimi është një nga zakonet e njohura të të qenurit prind dhe në një moment si ky, natyrshëm i kthehemi zakoneve tona. Në këtë situatë kur gjithçka përjetohet brenda inkubaturës së banesës, një prind mund të arrijë në ezaurim fizik dhe emocional më shpejt se sa në jetën normale. Gjeni një kënd te shtëpisë ku për disa minuta apo për një orë në ditë mund të qëndroni pa j’u tërhequr vëmendja. Truri ynë ka nevojë të ketë edhe minuta të ditës pa asnjë stimul.

Lista e gjatë me cfarë do të donit të rregullonit ne shtëpinë tuaj, në dhomën e fëmijës, të afërmit që doni të kontaktoni, apo një trajnim online për të cilin më së fundi keni kohë, ka një veti të rritet vazhdimisht. Lista mund të negociohet, diçka mund të shtyhet për më vonë. Nëse vazhdon e bëhet më e gjatë, kjo listë planesh e detyrash mund edhe të mos vlejë aq sa na kushton në stres emocional.

Mos u mendoni pa ndalim

Nëse e gjeni veten duke u menduar më shumë se sa duke vepruar apo jetuar, mos vallë mendimet po ju torturojnë me shumë se sa vetë kërkesat e jetës? Një pjesë e mirë e njerëzve sot kalojnë shumë orë të ditës duke planifikuar se si do reagonin në raste rreziku të mundshëm por ende imagjinar. Keto imagjinata shpesh frymëzohen nga mediat apo nga komente te tjerësh në mediat sociale. Gjendja e alarmit konstant ka forcë ta dëmtojë shëndetin tonë dhe të familjes më shumë se sa humbja e një vendi pune, sado tronditës si fakt.

Mos harroni, ankthi ju gënjen! Nëse diçka është e sigurt apo e vërtetë, njeriu nga natyra reagon nëse mundet ose trishtohet kur nuk mundet të reagojë. Nëse ndjeni ankth nga një mendim, vëzhgojeni reagimin tuaj, frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës tek shtohen dhe, pas një pike, rrallohen. Pas kësaj, kujtojini vetes se ishte thjesht një mendim, jo realitet, dhe kaloi. E ndihmojnë ato mendime mirëqenien tuaj, apo e rëndojnë? Është koha per mbijetesë, për të përmirësuar cfarë mund të permirësojmë. Kurrsesi nuk e kemi lluksin ta rëndojmë veten me imagjinata negative e aq me pak ta gjykojmë.

Përsëritini sa më sipër me fëmijët…

Aktivizojeni edhe për fëmijët syrin kritik ndaj informacionit. Bisedoni me ta në një mënyrë ku ‘mendimet’ që krijojnë ankth të menaxhohen. Ndihmojini edhe ata të kenë një strukture dite ku përfshihet momenti i qetësisë. Evitoni të bëni rutinë një moment të veçantë. Plot familje kanë rite për ditë të veçanta si për shembull t’u lejojnë fëmijëve të flejnë në shtrat me prindin mbrëmjen e së premtes apo të flejnë deri vonë të dielën, apo një gatim që lidhet me ditë pushimi apo ditë feste. Këto momente të veçanta, duhet t’i ruani si të veçanta. Fakti që po jetojmë gjithçka brenda shtëpisë, nuk do të thotë se fëmijët nuk kanë nevojë për të ‘veçantën’, si dhe për rutinë.

Normalisht si prindër i mbroni fëmijët nga informacione që nuk janë të përshtatshme për moshën, fëmijët nuk e dijnë gjithmonë se çfarë përballon prindi. Në këtë situatë kjo gjë ështe e pashmangshme, sepse ka prekur çdo fushë të jetës, fëmijët dijnë pothuajse gjithçka. Si njerëz kemi aftësi për shpresë, rezistencë e ripërtëritje pas çdo stuhie në jetë. Fëmijët i kanë këto tendenca natyrshëm, por mënyra se si dikush reziston dhe ripërtërihet është diçka që i edukohet fëmijës në ndërveprim.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.