COVID-19

0

E MORA APO SE MORA COVID-19…

Dilema Hamletiane e ditës

Sot dola…
E theva ngujimin, karantinën si i thonë…
Karantinë i thënçin, se karantinë nuk është…
Zbrita me ashensor nga kati i shtatë me kujdesin që të mos prek asgjë, mos le (dhe mos marr) asnjë shenjë mbi portë, mbi dorezat e ashensorit dhe të derës së pallatit…
Kalova rrugicat e dola në rrugën kryesore, Patission i thonë.
Autobusë, trolej, makina të vogla, maune të mëdha…sikur të ishte një ditë e zakonshme.
Njerëz në stacion në pritje të urbanëve. Tre gra ulur në stol, pranë e pranë njëra tjetrës. Krahët ngjitur. Vetëm veshjet i ndajnë nga trupi. Shyqyr që është mars e nuk është korrik.
Dola për të marrë bukë. Misri nuk kishte. Mora dy franxholla horiatiko, bukë fshati siç thuhet në gjuhën vendëse…
Pranë furrës së bukës është supermarketi “Skllavenitis”…
Tek dera një roje. Pa maskë, pa doreza, shqeto me rrobat e rrugës.
Në dorë mbante një shuk me ca letra gjysmë format ngjyrë të verdhë.
Kishte radhë para meje e kur u përballa me të, letrat u mbaruan.
– Prit, më tha me një zë urdhërues.
E prita një çerek ore.
Më në fund e mora letrën.
Shëtita nëpër supermarket me kureshtjen të shoh se si e sa janë marrë masat e përsëritura, përsëritura, përsëritura… për të mos marrë e mos dhënë virus.
Nuk e lexova se çfarë ishte shkruar në njërën e tjetrën faqe të letrës. Thashë ta lexoj në shtëpi.
Dola…
Kur kisha bërë disa hapa larg portës një zë më gjëmoi nga prapa.
– Zotëri ! Letrën, letrën…
E pashë me habi.
Ma kapi nga dora dhe u kthye me të shpejtë tek porta për ta bashkuar me të tjerat e për tua dhënë njerëzve në radhë.
Letra na qenka shumë përdorimesh…
Roja ta jepte në dorë. Me dorën  pa dorezë. Ta jepte pasi ua kish dhënë dhe ua kish marrë klientëve, jo dhjetëra por qindra, në mos mijëra, ditë për ditë…
Sa duar e kishin prekur letrën?
Njërin e pashë tek teshtiu mbi të.
Po sa teshtinë?
Sa u kollitën?
Nuk e di…
Dhe as nuk do ta di…
Ajo që di, ajo që mësova sot dhe u lemerisa, ishte një lojë e rrezikshme mbi jetën e njerëzve.
Në supermarketin “Skllavenitis” në rrugën Patission ajo letër është fole virusesh…
Virus nga më i rrezikshmi, KORONAVIRUS, që ka ulë në gju botën, që po merr jetë në të gjitha kontinentet, që po shkatërron ekonomikisht gjithë botën.
Sot në Itali u arrit rekordi ditor botëror, 627 të vdekur…
Hiroshima dhe Nagasaki, bomba atomike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i bie të jetë lule para jetëve dhe shkatërrimeve ekonomike që po jeton bota nga COVID-19…
Ika rrugicave për në shtëpi duke parë duart, duke pyetur veten “E mora apo se mora – virusin e tmerrshëm”…
Dilemë Hamletiane 2020 !
Nuk e di…
Mbase e kam marrë…
Mbase kam qenë me fat dhe nuk e kam marrë…
Sido që të jetë, sado që u lava kokë e këmbë, në trup dhe rrobat, më rrini larg.
Tash me të vërtetë vendosa të karantinohem…
Mos mu afroni…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 20 mars 2020

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.