Butrinti, qyteti antik nën menaxhimin e një subjekti privat

0

Qendra më e njohur arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re. Në ligjin e miratuar së fundmi, ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik.

Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).

Kjo do të ishte hera e parë që në menaxhimin e qytetit antik të Butrintit do të përfshihej drejtpërdrejt edhe një subjekt jo-publik.

Pas interesimit të mediave, Ministria e Kulturës shpjegoi se “Fondacioni” i ri do të krijohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me një partner strategjik, për të cilin ajo nuk dha shumë hollësi, por shtoi se “organizimi dhe funksionimi i “Fondacionit” do t’i nënshtrohen legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit të ri duhet të miratohet në Parlament.

Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare kanë ngritur shqetësime për një formë të tillë menaxhimi të Butrintit përmes fondacioneve jo-shtetërore.

Ministria e Kulturës pohon se “edhe pse sistemi aktual i menaxhimit ka siguruar i sforcuar mbrojtjen e vlerave kulturore të Parkut, ai nuk është fleksibël, nuk ka arritur pritshmërinë e tij dhe nuk garanton në perspektivë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore dhe natyrore”.

Ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare kritikon planin e qeverisë për t’ia kaluar në menaxhim Butrintit një subjekti të huaj. Z. Tare tha se, prej shumë kohësh ka shprehur këtë shqetësim bashkë me një numër të madh arkeologësh. Sipas tij, dhënia në menaxhim për një fondacion të huaj është mënyrë e gabuar për të menaxhuar pasurinë e vendit.

Z. Tare u shpreh se, Butrinti deri tani ka qenë një model suksesi në Shqipëri pasi i ka mbijetuar zhvillimit duke mos lejuar ndërtime brenda parkut dhe nga ana tjetër ka pasur të ardhura të konsiderueshme, duke përmendur dhe një shifër prej 1.5 milionë euro të ardhura në vit.

“Butrinti sot konsiderohet si modeli më i suksesshëm që ka pasur trashëgimia kulturore. Dhënia në menaxhimin për një fondacion të huaj nuk ka sens ose duhet shpallim që ky model është i dështuar ose ka diçka që kërcet dhe nuk bën sens”, u shpreh z. Tare.

Historiani thotë se, një praktikë e tillë nuk ndiqet në asnjë vend tjetër të Evropës dhe mund të praktikohet vetëm në vende në rrezik apo që janë në luftë. Ai propozon të ndiqet shembulli i Anglisë që ka krijuar fondacion për menaxhimin e trashëgimisë kulturore.

Z. Tare ngre dhe problemin e konfliktit të interesit pasi Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka kontraktuar dhe mbështetur financiarisht një kompani angleze “Prince and Pearce”, për të hartuar planin e menaxhimit të integruar të Parkut të Kombëtar të Butrintit.

“Nuk kemi luksin që t’ia japim të huajve në menaxhim Butrintin. Trashëgimia ka nevojë për një vizion të ri menaxhim. Në burokracinë e shteti shqiptar ka shumë pengesa në menaxhimin e trashëgimisë shqiptare. T’i mund të japësh një port me koncesion, por nuk mund të japësh trashëgiminë kulturore. I gjithë problemi nis me ligjin dhe krijon premisat që vetë AADF të krijoi një plan menaxhimi dhe ka një problem të madh me konfliktin e interesit”, u shpreh z. Tare.

Sipas tij një veprim i tillë mund të kthehet në precedent dhe të tjera fondacione të huaja të kërkojnë të menaxhojnë pasuri të trashëgimisë sonë. Ish-drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit tha gjithashtu se, vitet e fundit nuk kanë munguar investimet në trashëgiminë kulturore, por problemi ka çaluar tek menaxhimi.

“Kemi rastin e Finiqit, 10 km nga Saranda dhe nuk shkon njeri. Është një nga vendbanimet më të lashta në Ballkan. Problemi është rënia e autoritetit të Institutit të Monumenteve, pasi fatkeqësisht është futur çështja e tenderëve brenda në trashëgimi dhe kjo ka ulur cilësinë e restaurimit. Fakti që turizmi është rritur ka një mundësi që ku turizëm të orientohet drejt këtyre monumenteve”, përfundoi z. Tare.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.