BORA, KJO BARDHËSI QË NA ERDHI KUR SE PRISNIM
Meditim me
dashurinë e agronomit për vlagën e tokës…
Dhe të qytetarit për merakun e ditë, të kohës…
Athinë, 1 prill 2020
Meditova dy vjet të
shkuara kur shkurti mbushi malet me dëborë.
Shkrova BORA E SHKURTIT “FLORIRI I BARDHË I BUJKUT”
Shkurti i këtij viti kaloi pa një “flutur” bore mbi tokë, mbi fusha e male…
Edhe marsi…
Fatkeqësisht në vend të “fluturave të borës” shkurti e marsi erdhën me “grimcat
e padukshme të korona virusit”.
Na lidhën,
na mbyllën,
na vranë,
na ngujuan
si në ASNJË hasmëri që ka parë bota…
Dëbora “floriri i bardhë” i bujkut erdhi në prill, më 1 prill…
Ditën e rrenave…
Në Lurë thonë (pa rrena) trashësia arriti në 60 centimetra…
Në Vakuf, luginës së Drinit të Zi,
shih fotografinë, mateni me sy…
Le të bjerë, bereqet sjell…
Mbase edhe lajmin e daljes nga ngujimi.
Mbase…
Kjo borë erdhi si shpresë…
Mirë se erdhe!
Po përcjell një peizazh të bardhë…
Dhe një degëz me lule qershie…
Dëbora do të shkrijë…
Toka do të mbushet përsëri me lule…
Bujku do të plugojë e mbjellë…
Virusi do të ikë…
Kini besim…
Megjithëse këto rreshta po i hedh…
Më 1 PRILL…
* * *
Bardhësia e dëborës
ka mbuluar thuajse gjithë Shqipërinë, nga Veriu në Jug, maleve, madje edhe
fushave…
Mjetet e komunikimit masiv e kanë fiksuar objektivin rrugëve të zëna e rrugëve
me “kujdes në qarkullim”.
E natyrshme. Në kohë të tilla njeriu është i pari. Si fëmija në rrugën për në
shkollë e kthim në shtëpi ashtu edhe ai që del nga shtëpia për në punë, që
udhëton me automjet, që është në shërbim të njerëzve në spitale, polic në rrugë
e kudo ku është e nevojshme për ndihmë.
E kam një përvojë timen vetjake në dimrin e madh 1985 kur bëra një udhëtim të
gjatë maleve të Dibrës, fshat më fshat të Luznisë, Muhurrit e Selishtës për tu
gjendur pranë njerëzve. E kujtoj me nostalgji…
Po ndërsa kronikat dhe kronistët e mërdhirë sa u dridhet mikrofoni e u lëkundet
kamera nga dora, fokusohen në pamjet e bardha, pak për të mos thënë aspak e
thellojnë kronikën në vlerën e bardhësisë së këtyre ditëve, në atë që populli e
quan “Floriri i bardhë i bujkut”.
Dëbora e shkurtit, në ndryshim nga ajo e dhjetorit dhe e janarit, është borë e
butë, e mbushur me lagështi aq sa flokët e saj duken si zogj që bien nga
qielli.
Bujku, me gjithë ngushtësinë si blegtor për shkak të kufirit të të ushqyerit të
bagëtive, e pret borën e shkurtit me dëshirë, me mirëpritje.
Kjo lidhet me vlagën që depërton në tokë, që qëndron gjatë dhe është baza e
hapave të parë të zhvillimit të bimës. Kjo, veçanërisht kur punimi bazë i tokës
është bërë në janar.
“Punimi i janarit-vlaga e beharit”- thotë populli.
Bora e shkurtit mbush malet. Trashësia e saj që jepet nga kronikat televizive
në zonat malore është një sihariq për bujkun. Bardhësia e saj mbi male do të
ruhet deri në muajt më të nxehtë të vitit, korrik dhe gusht. Bora do të
shkrihet ngadalë duke mbushur burimet ujore rrjedha e të cilëve do të
përfundojë në arat e mbjella.
Por jo vetëm burimet ujitëse por edhe ata që lidhen me ujësjellësit, me ujin e
pijshëm në fshat e qytet…
Bora e shkurtit, shtresuar në male, është rezervuari më i madh natyror për jetën
e njeriut, kafshëve, bimësinë e egër dhe atë të kultivuar.
Bora e amulluar në male, veçanërisht tash kur niveli i ujëmbledhësve të
hidrocentraleve, jo vetëm mbi Drin, është afër pikës më të lartë, është një
sihariq për sistemin energjetik ujor. Malet e mbushura me dëborë, veçanërisht
ato të pellgut ujëmbledhës të Drinit të Zi e të Bardhë, të Valbonës e të
lumenjve të vegjël që derdhen mbi liqenet
e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës, janë një rezervuar gjigand hidroenergjetik
çka nuk mund të gëzojë vetëm prodhuesit e energjisë elektrike por çdo njeri që
ka mbi tavanin e shtëpisë së tij një llambë elektrike për tu ngjitur më tej tek
konsumatorët e mëdhenj të saj, por edhe për eksport.
Këto ditë në Shqipëri po bije borë…
Është momenti që kamera dhe shkronja e gazetarit të drejtohet tek vlera e saj.
Është koha që në studiot shurdhuese me emra nga më të çuditshmit në të gjithë
televizionet shqipfolës, të dilet nga temat tepër lodhëse për publikun me
motivin “e lagu apo nuk e lagu bishtin dhelpra e politikës”, të mblidhen
specialistë të fushës së bujqësisë dhe energjetikës, njerëz që të na mësojnë se
si “Arin e bardhë” të këtij shkurti ta shndërrojmë në prodhim bujqësor e
blegtoral, në energji elektrike për vatrat tona.
Ka shumë mënyra për ta mbledhë këtë “flori”, me lera në kullota për blegtorinë,
me ujëmbledhës për të ujitur qoftë edhe një dynym tokë, me… (pyesni bujqit,
atyre që ia dinë shpirtin tokës)
Do të desha që kësaj jave ndonjë televizion “kombëtar” t’i lexonte këto radhë
për të folur jo vetëm për motin si “përmbytje”
e për “dëmshpërblime”, por edhe për motin si dhuratë e natyrës për
bujkun, blegtorin, prodhuesin e energjisë elektrike, shëndetin…
Ekranit të televizioneve tona, zërit të radiove tona, germës së gazetave
tona… mendoj se i mungon shikimi “te këmbët”.
Këto shënime, nga larg, i bëra me dashurinë e agronomit për vlagën e tokës…
Abdurahim Ashiku