Bankat ruse mbas ofertave për blerjen e IPKO_s

0

Banka shtetërore ruse Sberbank ia ka “huazuar” paratë “TelekomSrbija” që ta bëjë ofertën më të mirë për blerjen e IPKO-s. Me këtë hap, Rusia dëshiron që, pothuajse hapur, të ketë hisen në atë që është fokusuar shumë në Ballkan – telekomunikacionin modern, pra internetin. Sberbank është banka më e madhe ruse, dhe njëra nga bankat më të mëdha në Evropë, dhe drejtuesit e së cilës, nga shërbimet inteligjente perëndimore thuhet se kanë qenë ose janë pjesë e shërbimeve sekrete ruse.

Në vizitën e fundit që Vladimir Putin ka bërë në Beograd (janar 2019), në mesin e një varg marrëveshjeve bashkëpunimi, është nënshkruar edhe memorandumi në mes bankës shtetërore ruse Sberbank dhe “TelekomSrbija”, ku në formë kredie, serbët përfituan 77 milionë euro nga SberbankGroup dhe 25 milionë nga Sberbank Serbia. Përveç në Serbi, kjo bankë ruse vepron edhe në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Udhëheqësi i “Komuniteti Siguria Kibernetike dhe Privatësia – CSP”, Mentor Hoxhaj ka deklaruar se,  vetëm investimi eventual serb në telekomunikacionin në Kosovë paraqet rrezik të lartë për sigurinë nacionale të Kosovës, sigurisë kibernetike dhe privatësisë.

“Në kohën kur ne kemi probleme jetike me Serbinë, kur pas kundërshtimeve shumë të mëdha të tyre në shumë fusha, por edhe në këtë të telekomunikacionit me vështirësi u pavarësuam, siç është marrja e prefiksit  +383, as që duhet të mendohet që t’iu lihet serbëve mundësia që ata të investojnë në çfarëdo forme në Kosovë. Aq më pak, kur bëhet fjalë për ta blerë operatorin kryesor të internetit, në të cilin janë të lidhura të gjitha institucionet shtetërore, por edhe ato të sigurisë. Nuk duhet lejuar mundësinë e rrezikshme që të ekspozohet mbikqyrja masive e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Mentor Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, kjo bëhet edhe më e rrezikshme kur prapa “TelekomSrbija” qëndron banka shtetërore ruse. Ai ka thënë se, Kosova nuk guxon të pranojë assesi që të bëhet pjesë e ndikuar në çfarëdo forme nga Federata Ruse.

“Kompania shtetërore serbe ‘TelekomSrbija’, sipas të dhënave të sigurta, ka marrë nga rusët në 3 vitet e fundit mbi 300 milionë euro në mënyrë që të investojë në hapësirën kibernetike në Ballkan. Në Bosnjë dhe Mal të Zi, kanë investuar në këtë fushë, dhe përveç që kontrollojnë një pjesë të mirë të internetit, kanë krijuar shumëmedia që krijojnë atë që sot quhet influenca malinje ruse”, ka thënëHoxhaj.

Përpjekjet e “TelekomSrbija” janë që ta shtrijë sa më shumë operimin e saj. “Kredia” e marrë nga rusët ishte në kuadër të projektit “Milion Plus” (2019), ku synohej përfshirja e më shumë se 1 milion përdoruesve të shërbimeve multimediale dhe internetit.

Sberbank e bleu në vitin 2012 degën e bankës austriake në Serbi “Volksbank”. Në këtë kohë, kryeministër i Serbisë ishte IvicaDaçiq, eksponenti më i rëndësishëm politik rusofil në Serbi.

Agim Musliu ka thënë se, lidhjet e Sberbank me shërbimet sekrete ruse janë bërë tashmë publike.

“Ka raporte publike ku thuhet se, inteligjenca perëndimore është njohur mirë me Sberbank, duke vërejtur marrëdhëniet e ngushta me Vladimir Putin dhe regjimin e tij. Sipas këytre raporteve, fondet që lëvizin përmes Sberbank përdoren rregullisht për të mbështetur operacionet klandestine të inteligjencës ruse, ndërsa banka përdor zyrat e saj jashtë vendit si një mbulesë për Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme ruse ose SVR”, ka thënë Musliu.

SergeiGorkov, ish-zëvendës kryesues i Sberbank ka mbaruar shkollimin në Akademinë Shërbimit Federal Rus të Kundër-Spiunazhit. Një kohë, ai ka qenë edhe drejtor i Sberbank, dega në Kazakistan, ku ka puuar edhe MarijanaVasilescu (kryesuese e Sberbank Serbia).

Gjysma e territorit të Bosnje dhe Hercegovinës (Republika Srpska) mbulohet me internet nga MTL, e cila në fakt është “TelekomSrbija”. Kjo është mundësuar me qëllimin e vetëm që të krijohet monopol në këtë fushë shumë vitale të sigurisë, ka thënë eksperti i sigurisë Agim Musliu.

“Shtetet e fuqishme në kuadër të arkitekturës së sigurisë, i kushtojnë shumë rëndësi edhe spiunazhit ekonomik. Kjo do të thotë se, ata i ruajnë asetet ekonomike nga investimet e huaja që kanë qëllime të cenimit të sigurisë. Veçmas, jemi dëshmitarë të qëllimeve ruse që, përmes investimeve të krijojnë edhe varshmëri politike. Fakti se Serbia është shumë e varur nga rusët, nënkupton se rusët kanë investuar shumë në Serbi”, ka thënë Musliu.

Sipas tij, serbët e rusët deshën që ta blejnë edhe AlbTelekomit, mirëpo në momentin e fundit Qeveria në Tiranë kishte thënë se kundërshton që kjo t’iu shitet serbëve.

“Megjithëse edhe AlbTelekomi ishte pjesë e DeutcheTelekom, nuk u lejua që operatori serb t’i shitet serbëve. Pra, edhe pse nuk kanë dhënë detaje, është e vetëkuptueshme që refuzimi i Edi Ramës kishte motive të sigurisë nacionale”, ka thënë Musliu.

Në anën tjetër, sipas raportimeve të mediave kosovare, në kuadër tërregullativës së ARKEP-it (Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), thuhet se “Autorizimi Individual i specifikuar për operatorin, nuk mund të shitet, jepet me qira, të transferohet apo të jepet si garanci, pa miratimin paraprak nga ARKEP. Asnjë ndryshim i kontrollit të operatorit (Autorizuarit), qoftë i drejtpërdrejt apo i tërthortë nuk mund të bëhet pa lejen paraprake me shkrim të ARKEP”.

Kjo lë të nënkuptohet se kompania IPKO Telecommunications LLC nuk mund të ndërrojë pronarin e saj, dhe nuk mund t’i shesë aksionet, tek një kompani tjetër, pa miratimin paraprak të ARKEP-it.

Gjatë vitit të kaluar, në Kosovë iu pezullua e drejta e operimit dy institucioneve mikrofinanciare, të cilat kishin shkelur normat e operimit me interesa shumë të larta. Mirëpo, sipas raportimeve të mediave, njëkohësisht dyshohej se prapa tyre qëndronin investitorë rusë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.