ATHINË…

0

ATHINË, NJË DITË ME DIELL…

Meditim

Të diele 9 shkurt 2020, bëra një shëtitje nëpër rrugën “Athinas” dhe sheshin “Manastiraq” të kryeqytetit Helen.
Rruga ishte e qetë, si çdo të diele kur mbyllen të gjitha shitoret…
Edhe sheshi Manastiraq të njëjtën pamje kishte…
Mungonin blerësit e përditshëm, ata që i ngushtojnë kaq shumë pezodhromet sa të duhet të shtrëngosh bërrylat fort që të kalosh…
Ata që nuk mungonin, si përherë, ishin turistët, e folura e të cilëve, në qetësinë e rrugës, nga theksi apo fjalët, mblidhnin kontinentet.
Ata që nuk mungonin, si çdo ditë, ishin të pastrehët që kalonin ditët dhe netët shtrirë mbi shtresa kartonësh, mbuluar me copa batanijesh lloj-lloj ngjyrash, me një gotë plastike me disa qindarka…
U mata të bëj një fotografi në një nga pezodhromet e gjerë në krah të një ushqimoreje çasti ku shtatë shtretër ishin në radhë njeri pas tjetrit.
Nuk e bëra.
Ishte diçka e zakonshme që e shoh përditë rrugëve të Athinës e hyrjeve të kishave.
Nuk mund të bëj hap prapa tek kthehesha rrugës “Athinas”…
Dy shkrepje.
Njëra nga larg…
Tjetra nga afër…
Natyrë e qetë…
Një burrë, kokulur deri në thyerje qafe…
Në dorën e lëshuar… një gotë letër karton ku shkruhej “VENETI”…
Një qeskë të boshatisur…
Bri saj pesë kokrra të shpërndara kokoshkash…
Një këmbë e zbathur dalë tej shtresash…
Një engjëll me sytë  mbyllë…
Një fytyrë e pastër fëmije…
E bukur deri në madhështi…
E dëlirë deri në skajshmëri…
Flokë të gjata,
Të bukura…
Perri…
Nuk gjeta fjalë…
Portretit ti jap jetë…
Thirra Migjenin…
Më shkroi…
…Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën  përkundin lott edhe të fshamit…

Mjerimi punon, punon ditë e natë
tu’ i vu djersa në gjoks edhe në ballë…

Mjerimi s’ka gëzim, por ka vetëm dhimba
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh…

Mjerimi s’don mshirë…

Përditë shoh qartë e ma qartë
Dhe vuej thellë e ma thellë…

O si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij në zemër malit që s’bzan.
Unë – lugat! Si hije…

…”Zotni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!” Por njeriu – zotni notonte ndër mendime: Sezona e re vjen; sezona! sezona! sezona! dhe gjithnjë sezona: ndrron sezona, do të ndrrohet grueja, ai, fmitë – si e lyp sezona. Me këto mendime i okupuem, nuk e kish në mend lypsin e vogël, të cilin nuk e trazojshin aspak sezonat, por i cili mendonte në heshtje, tinzë, se sa mirë do të ushqehet ky zotni, sa pallto të ngrohtë, sa këpucë të bukura ka…
Dhe i shtypun prej këso mendimesh, tue tërheqë ma fort zotnin, i këndoi me za të naltë.
“Zozni, zotni, të lutem, zotni, ma fal ndoj send!”…

E tash, mbyllas, duke u larguar, thirra përsëri Migjenin…

“Merrnie e çonie në qytet këtë shtatore. Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputetit, e ndokujt tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndis klasike”.

Po njerëz, ju që dini të lexoni e të shkruani, që keni faqe në internet, facebook, instagram, You tube, adresa presidentësh, kryeministrash, ministrash, miliarderë, barkderrë… merreni këtë fotografi dhe dërgojuani, e në mos e marrtë kush, shpërndajeni rrugëve të vendeve ku mjerimi ka foletë…

Abdurahim Ashiku

Athinë 10 shkurt 2020

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.