ALEKSI IM

0

ALEKSI IM, ALEKSANDRI IM !

Aleksi im…
Aleksi me theksin mbi “A”
Në A-në tonë të përbashkët,
familjare…
Aleksandri…
Jo ai i Maqedonisë,
pushtues vendesh, kulturash…
Aleksandri im…
I imi, i imi, i imi…
Gjaku im…
Nipi im…
Ashiku im…
Linde në kohë të vështirë,
Aleksi im…
Më 25 janar 2020
Atë ditë të mbajta në duar,
I vogël, grushte mbledhur
Sikur…
“Malin që s’bëzan”,
 të godisje doje,
si gjithë të sapolindurit
qarës, grushte mbledhur!
Tash, pas dy muajsh,
buçko je bërë nipi im,
faqembushur, sy qeshur…
Në shpirt na ke hyrë nipi im…
Nëna Tashës…
Gjyshi Duros…
Babi Ditit…
Mami Jonadës…
Papu Markos…
Jaja Valentinës…
Halla Erblinës…
Por mbi të gjithëve
Motër Ivonit…
Sa bukur të qëndron pranë,
Faqet ti nduk,
ballin ta puth,
kokën ta ledhaton…
Dhe ngrihet e vallëzon,
me “rosat notojnë” kërcen,
Oh sa mall kam për të gjithë,
Për Aleksin…
Ivonin,
Ebin,
Gurjonin,
Eralin…
Larg…
Nëntë male kaptuar…
Të shohim Aleksi im,
në teknikën e kohës,
skip a si i thonë…
Të shohim e me duar s’të prekim
Nuk mundemi,
Ekrani është i ftohtë,
shumë i ftohtë për tu nda…
Ti je,
larg, një rrugë qyteti larg…
Jo një mal,
as nëntë male,
Thjesht…
Një kapërcim rruge,
makinash e treni,
pesëqind hapa larg,
vetëm PESËQIND!
Ka pas ndarje në botë,
shumë ndarje,
mijëra, miliona ndarje.
larg e larg,
dete, oqeane, kaptuar.
Legjendat thënë i kanë.
Si kjo kurrë dhënë nuk është,
as shkruar.
Të jesh…
kaq pranë…
kaq afër…
Dhe…
Kaq larg…
Ti, nipi im,
dy muaj e ca ditë,
jetë…
më buzëqesh,
na buzëqesh
Mua si gjysh,
Natashës si gjyshe,
Ne,
në vend të qeshim,
të ngazëllehemi,
të hidhemi nga gëzimi,
të derdhemi nga lumturia
si uji nga burimi,
teposhtës së malit merr?
Qajmë,
lot derdhim.
Tjetër ç’të bëjmë?
Me ty në krah deshëm,
atje të jemi…
Këtu, pesëqind  hapa larg,
të vijmë,
të vish…
Të na shohësh,
të marrësh nga era jonë,
të hyjsh në sytë tanë,
të shkrihemi në sytë e tu,
nipi im…
Mbyllur jemi,
mbyllur fort,
hapësirë të kemi,
nesër kur…
këtë flamë të përballojmë…
Me siguri…
I thash papus tënd,
Si i thërret Ivoni,
malli e ka marrë
por
më shumë se ne
mbesë e nip qajnë,
dorën duan
shtrënguar fort.
Shëtitje të dalim,
Do të arrijmë
mik i thashë,
të shëtisim
në qafë ti rrokim,
të qeshim,
të lozim,
valle të hedhim,
Këngë të këndojmë.
Oh sa më ka marrë malli
Sytë që qiellin mbajnë,
mbesës t’ja puth fort.
Nipin shtrënguar krahëve,
me dashuri ta mbys,
të qeshim, të qeshim
nip dhe gjysh.
Nuk do ikim
nipi im.
Kur të shoqërosh motrën
nuse,
aty nuk do të jemi,
këtë s’ua premtojmë,
por,
kur në klasë parë të shkoni,
përdore do tu marrim…
Dhe jo vetëm,
Edhe në gjimnaz,
edhe në lice…
Edhe kur të qeshni,
edhe kur të gëzoni,
dashuroni…
Si të tha motra dje,
kur gishtat haje?
No – në anglisht.
Gishtin – në shqip
Faje – në greqisht
“Jo, gishtin mos e ha.”
Në tri gjuhë po rritet motra,
Edhe ti në tri gjuhë do flasësh:
gjuhën e vendit,
gjuhën e botës,
gjuhën e bukur shqipe,
të prindërve…
të gjyshërve…
Pranë do të na kesh,
Gjyshja do të mësojë,
shqipen ta shkruash,
shqipen ta lexosh,
shqipen ta këndosh,
mësuese brezash ka qenë,
në Shqipëri.
Unë nuk e njoha, nipi im,
gjyshin dhe gjyshen,
vetëm emrin ma kanë thënë,
Rexhep dhe Shame,
gjashtë vjeç e la nëna,
dymbëdhjetë vjeç babai,
stërgjyshin tënd,
Hajredin Ashiku.
Pa baba u rrit,
pa përkëdhelje nëne…
pa dorë shtrëngim babe
As gjyshin nga nëna s’e njoha,
gjyshen po…
Ajshen,
gjyshe e mira gjyshe,
malli më ka marrë…
Ti, Aleksi im,
i lumtur je, fat ke,
të katërt i njohe,
nëna Natashën,
gjyshin Duro,
jaja Valentinën,
papu Markon
ti puthësh,
malli i merr përditë,
të të puthin,
në krah tu rrish,
si pëllumb i bardhë,
peristeri im…
U rritsh Aleksi im…
Me baba,
me nënë,
me motër,
me gjyshër…
Nga ngujimi të përqafoj
GJYSHI DURO…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 12 prill 2020



Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.