BURGOSJA E GJYSHES

Rrëfenjë

E shkruar 14 vjet të shkuara.

Gjyshet tash shkojnë e vijnë.
Tre muaj në gjashtë muaj (!).
Vetëm kaq.
Bashkimi familjar ende është larg.
I duhet rrugë e gjatë të vijë “nga Evropa”…
Si në Evropë…

Disa javë më parë erdhën në Athinë katër deputetë: një i djathtë ( kryetar grupi ), një i majtë, një ministër minoritar dhe një i pavarur po minoritar. Kishin ardhë për të “lypur miqësi“ (them unë), për krijimin në rang parlamentar të shoqërisë së miqësisë midis dy vendeve, të lobeve të ndërsjella parlamentare (thanë ata). Në prezantimin para gazetarëve numëruan takimet me “zëvëndësa“, ministrash e parlamentarësh të lartë. Thanë se kishin ngritur edhe problemin e bashkimit familjar duke u thënë bashkbiseduesëve se në traditën shqiptare prindërit e moshuar rrinë me fëmijët në pleqërinë e tyre të thellë e duan që të vdesin në krahët e fëmijëve. Mirë bënë, megjithëse kjo është një traditë sa shqiptare po aq edhe ballkanese, domethënë edhe greke. Thanë një fjalë që dihej prej të gjithëve dhe ishte lakuar në të gjitha takimet e shoqatave dhe të tubimeve të tjera mbarë Greqisë.

Më parë kishte qenë kreu i pushtetit, Berisha. Edhe ai në takimin me emigrantët të njëjtën gjë kishte thënë.

Ata ikën. Baballarët, nënat, gjyshet, gjyshet mbetën këtu. Si gjithëmonë, jetimë në një kohë dhe në një vend që e quan veten evropian e thotë se i ka dhënë botës fjalën dhe modelin e demokracisë.

Po vjen dhjetori, krishtlindjet orthodhokse. Shteti grek për sadaka ka shpallur se nga 15 dhjetori deri më 31 janar do t’i lejojë emigrantët (bashkë me ta edhe shqiptarët) të udhëtojnë drejt Atdheut. Ata që kanë ndonjë kartë të skaduar apo në proces rinovimi, nuk kanë se si të mos u urojnë bamirësve të shkojnë në parajsë. E meritojnë derisa kjo e mirë bëhet në një kohë e moment solemn orthodhoks…

Por… ( gjithnjë ka një “por” që na lidh këmbë e duar ) të privuar nga kjo “dhuratë hyjnore“ janë ata që të ardhur legalisht apo ilegalisht maleve e pyjeve, pleqtë, baballarët dhe nënat, gjyshërit dhe gjyshet. Janë ata që takati nuk i mundëson të punojnë, të pastrojnë shtëpira, të rrahin çekiçin e të përzjejnë llaçin, që nuk marrin dot leje pune e sigurojnë ensimat e domozdoshme për të pasur në xhep një copë kartë, qoftë edhe të skaduar për të përfituar nga sadakaja shtetrore greke.

Në derën e zyrës së gazetës sonë, në Kaningos 24, të hënën trokiti një grua. Kishte lexuar në faqen e parë të gazetës nëntitullin e rubrikës “Pyetje e përgjigje për legalizimin” ku thuhej “Kam leje 6-mujore të vitit 2001, mund të përfitoj nga ligji i ri?“ dhe kërkonte një përgjigje.

Ishte 71 vjeç. Emrin ma tha por mbiemrin jo. Edhe në fotografi nuk pranoi të fiksohej. Para mikrofonit u “zbërthye“. Ato që tha  janë të njohura, i përjetojnë të gjithë ata që janë të lidhur me prindër që banojnë këtu apo në Shqipëri…

* * *

  1. Ashiku: Çfar moshe keni ?

– Shtatëdhjetë e një.

– Kur keni ardhë në Greqi ?

Kam ardhur në tetor të vitit 1998. Kam ardhur me vizë të rregullt nga ambasada greke.

– Në vitin 2001 keni aplikuar dhe keni marrë kartën 6 – mujore ?

  Po.

– Të cilën nuk e rinovuat ?

Jo. Me të, sipas urdhërave që janë dhënë kemi lëvizur sipas afateve kohore.

– Në Athinë me kë banoni ?

Me vajzën e cila është e martuar, me dy fëmijë. Djali i saj i madh është në shkollën e lartë në Larisa për inxhinieri elektrike. Tjetri është në shkollë për ekonomist. I vogli merret edhe me sportin. E quajnë Lorenc. Të madhin e quajnë Benardi. Vajza punon nëpër shtëpia si gjithë gratë. I shoqi perfekt në zanat. Merret me të tëra; hidraulik, elektriçist, axhustator. Çfarë i shikon syri ia kap dora. E quajnë Besnik. Vajzën e quajnë Majlinda.

– Paska emër të bukur, shqiptar. Ju si e keni emrin ?

Leman.

– Nga ka ardhur ky emër ?

Kështu ma kanë lënë të parët. Emër shqiptar. Thuhesh që halla e gjyshit tim quhej Alemia kurse mua ma kombinuan në Leman.

– Në Shqipëri çfarë pune ke bërë ?

Unë kam qenë nëpunëse në agjencinë e vaporëve të huaj në portin detar të Durrësit. Kam punuan nga ‘56-ta deri në ‘90-tën kur dola në pension.

– Sa e merr pensionin ?

Eh ! Shkon tek njëqindmijëshi, me të vjetrat.

  • Një vajzë keni ?

Jo, kam dy vajza. Njera është këtu e tjetra në Shqipëri, në Durrës.

– Me se merret vajza ?

Ajo nuk punon. I shoqi është në ministrinë e mbrojtjes, në ndërlidhje. Kanë dy djem. I madhi mbaroi juridikun dhe pret të sistemohet në punë. I dyti vazhdon për dentist, ka edhe një vit të marrë diplomën.

– Paske një familje që të gëzon e të mbush me gaz e hare.

Kemi punuar me drejtësi, me ndërgjegje kështuqë jemi krenarë. Përveç natyrës  nuk i trembemi asgjëje.

– Çfarë të shqetëson ?

Dua të lëviz një çikë, të shkoj në Shqipëri…

– Ju nuk punoni ?

Jo, jo, jo.

– Si do ta përjetoje një ligj në të cilin pridërit të bashkohen me fëmijët, që gjyshet e gjyshërit të shkonin sa tek njeri krah i nipërve dhe mbesave në krahun tjetër, pa pengesa ?

Këtë presim. Dëgjojmë që në Itali fëmijët i marrin prindërit kurse këtu kjo nuk bëhet. Nuk shohim ndonjë dritë, nuk kemi shpresë, na i kanë prerë rrugët. Nuk kërkoj libër shëndetësie, asnjë privilegj nuk kërkoj vetëm se të drejtën për të udhëtuar kur të dua të shoh fëmijët, të shoh fëmijët e fëmijëve, të çmallem. Na kanë ndarë për së gjalli…Lexova një ditë në gazetë  “Jeto baba sa të më dalë leja e qëndrimit”. Po pse, shkon kjo? Prindi mbi të gjitha është njeri, ka nevojë  për njerëzit e vet të dashur, të takohet, të çmallet…

– Faleminderit dhe ardhtë shpejt Dita e Dëshiruar.

Abdurahim Ashiku

“EMIGRANTI”, 2006

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.