MONOLOG ME VETVETEN E DIALOG ME NJË KRYE-KRYE QË IK, E NJË QË… VJEN

0

Fejton

MONOLOG ME VETVETEN E DIALOG ME NJË KRYE-KRYE QË IK, E NJË QË… VJEN.

Thirrje krye-kryesh…
Rama: Kosova të na bashkohet.
Ramushi: Hiq taksën 5 euro.

Gazeta shqiptare 26 dhjetor 2019-kryetitull

Udhëtoj me makinë nga Athina në Kakavi.
Me makinë të vogël…
Me autobus…
Me të “voglën” i bëj hesapet mirë.
Dyzet e pesë euro, kasave një pas një, ta thajnë xhepin…
Po qe se udhëton vet i pesti edhe hahet…
Me autobus?
Pesëdhjetë euro vajtje e ardhje nga Athina në Tiranë e nga Tirana (po të duash zgjatu deri në Shkodër) në Athinë, llogari e pastër. As tollstejshën paguan e as strese rruge përjeton. I paguan kompania e transportit. Vetëm për kalimin e urës së madhe mbi detin e Rios paguan 67 euro. Dhe në total 145 euro…
Bileta? Po ajo e një dekade më parë. Pagesat në dhiodio nuk e kanë rritë….
Rrugë e gjerë sa tri makina vijnë e tri shkojnë.
Tunele kilometrikë sa lodhesh të numërosh, jo sekondat por minutat, derisa të shohësh dritën e diellit.
Një urë evropiane që lidh dy brigje deti.
Deti me traget kalohet për më se gjysmë ore.
Urën e kalon për dy minuta.
Zgjidh e merr !
Dikur, jo shumë vite më parë, kur nuk kishte as urë, as tunele, as autostradë evropiane për të shkuar e për tu kthyen nga Tirana duheshin njëzet orë.
Tash duhen dymbëdhjetë. Me gjithë pritjet doganore, andej e këtej…
Jo vetëm nga Athina në Janinë…
Edhe nga Janina brezit të mesëm të Greqisë, autostradës “Egnatia”. Kam udhëtuar njëherë me zinxhirin e xhepit hapur. Ka tunelin më të gjatë e më madhështor.
Edhe nga Athina në Selanik…
Edhe në të gjithë Greqinë, diagonal e tërthorë…
Keni dëgjuar (flas për emigrantët se shqipove kaq u bën) që dikush, analist apo kanalist grek të dalës dritareve të shumta të televizioneve e të padisë kryeministrin se u ka vënë taksë? Unë jo, të paktën në këto afro një çerek shekulli qëndrimi.
Dikur, kur kalonim nga diktatura në demokraci, në parlamentin e parë pluralist, Vejsiu, deputet i PD-së tha një fjalë për rahmet: “Edhe zogjtë nuk këndojnë pa pagesë”.
Atëherë na u duk çudi. Madje qeshëm sa na u mor fryma.
Kanë kaluar afro tridhjetë vjet dhe askush (nga ata lart, krye-kryet e kompani) nuk u kanë dhënë dum. Bile-bile i kanë mbushur mendjen vetes se “Zogjtë duhet të këndojnë pa pagesë”.
Kjo edhe për Haradinajn, edhe për Kurtin, edhe për analistë-kanalistët.
Në kapitalizëm çdo gjë që ndërtohet, çdo gjë që krijohet, shkrihet në pagesë, në interesa, në para…
“Rruga e kombit” ishte (dhe është) barra më e rëndë mbi shpatullat e një populli të sapodalë nga vetëvrasja historike, nga shkatërrimi i çdo gjëje që ishte bërë në një gjysmë shekulli djerse dhe gjaku.
Duhet të ishte bërë me kohë po në atë trase që është bërë tani. Duhet të ishte bërë për të tërhequr nga nëntoka tepër e pasur e trevave veriore kromin, bakrin, floririn.
E vlente…
Paguante vetveten…
Rriste ekonominë…
Nuk u bë.
Ashtu si nuk u bë “Rruga e Arbrit” që do të tërhiqte njëqind kilometra shkurt më se një milionë tonë krom nga vendburimet e Bulqizës, Batrës, Krastës, Theknës, Tërnovës, Selishtes…
U mendua të bëhej një hekurudhë. Vetëm për kromin. Jo për popullin e matit dhe të Dibrës që i kishin larë galeritë me gjak dhe djersë. Hekurudha Milot-Klos, në prag përfundimi u braktis, u shkatërrua…
Në këto afro tri dekada ne u mësuam të shkatërrojmë themele të thella e të ndërtojmë themele të cekëta që i hanë tërmetet.
“Rruga e Kombit” u ndërtua për interesa. Interesa materiale e sociale. U ndërtua që si çdo ndërtim të sjellë fitim.
Dikush, madje deri në shkallët më të larta të “Qarkut të trembëdhjetë” shqiptar, Krye-krye në ikje dhe Krye-krye në ardhje, fjala e parë që nxjerr nga goja është “Hiqni taksën!”. E thotë këtë Ramushi në ikje. E thotë Albini në ardhje (nuk e di kur më në fund do të vijë). E thotë edhe Thaçi neutral…
E thonë edhe disa analistë-kanalistë me Buxhalën e të tjerë…
Madje edhe ndonjë me emër “kinez”  e mbiemër “sulltan” interesi i të cilit për të dalë në det është “Rruga e Arbrit”. Me siguri, kur dibranët (edhe të asaj ane që ende nuk kanë ngulë një kazmë në zgjatim të rrugës) do të bërtasë e këlthasë çarëbullqijsh se i kemi vënë “taksë”, pesë euro për një orë udhëtimi (në vend të 7 orëve rrugëve copë e tejshkë), për 80 kilometra (në vend të 180 kilometrave) !!!
Këta i fal. Dhe u lutem ti falin të gjithë. Kaq dinë e kaq bëjnë. Mbase nuk kanë dalë kurrë nga Kosova, nuk kanë udhëtuar rrugëve të Evropës e nuk kanë paguar asnjë qindarkë tollstejshënve të saj.
Mbase…
I mëshiroj po qe se janë kaq të padijshëm…
Ramushin dhe Albinin nuk i fal.
Thjeshtë se dinë, madje më shumë se Rama e kompani, sepse kapitalizmin e kanë jetuar para nesh, kur ne ishim të mbyllur e ata të hapur.
As njërit dhe as tjetrit nuk duhet tu dhimbsen ato pesë euro që bërtasin me zërin në kupë të qiellit e protestojnë të hiqen.
“Rruga e Kombit” nuk është bërë si rrugë humanitare, si rrugë thjesht që lidh popullsinë shqiptare të Kosovës me atë të Shqipërisë, për ti nxjerrë në plazhin e Velipojës, Shëngjinit, Durrësit e deri në atë të Sarandës për pushime verore.
“Rruga e Kombit” është rrugë interesash ekonomike në radhë të parë. E si e tillë tashmë u bënë vite që e vërteton me rritjen e shkëmbimit të mallrave, me daljen në det, me qarkullimin e mërgimtarëve nëpër një rrugë më të shkurtër, me nxjerrjen në pah të vlerave kombëtare nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
“Rruga e Kombit” në ato përmasa është “Autostradë” drejt Evropës, autostradë bashkëkohore që Kosova e mori për ta bashkuar me Merdaren, Serbinë e më tej…
E gjithë Shqipëria, çdo shqiptar, deri tek pensionisti, sakrifikoi dhe i dha Kosovës rrugën e ëndrrave. Mbase, pas disa vitesh, do ti japë edhe hekurudhën.
Kaq besoj se ka bërë shumë. Më shumë se në çdo krahinë e çdo drejtim tjetër rrugor.
E pra, tash rrugën nuk ka pse e mirëmban me para nga xhepi i vet shkodrani, dibrani, korçari, përmetari, sarandjoti, vlonjati, myzeqari…
S’ka pse ta mirëmbaj vetëm Shqipëria por edhe Kosova.
Dhe një ndër format e mirëmbajtjes është të paguash shërbimin.
Ta paguash ose merr kthesën dhe udhëto rrugës së Fushë Arrësit, Pukës… të shohësh se sa euro do të të kushtojë…
Ka ardhur koha që llogaritë të hapen fletë për fletë.
Në Lurë thonë: “E drejta e kandari s’kanë hatër”
Sot “Gazeta shqiptare” kishte një kryetitull sarkastik:
Rama: Kosova të na bashkohet.
Ramushi: Hiq taksën 5 euro.

Dhe vetëm ajo…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 26 dhjetor 2019
 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.