16 shkurt 1966

0

Nostalgji

HOMAZH DASHURIE DHE RESPEKTI PËR PEDAGOGËT DHE SHOKËT E MI STUDENTË…

Me një kronikë diplomimi….
Me dy shkrime të 18 e 19 shkurtit 1966…
Me foto nga një negativ fotografik të asaj dite zbardhur plotësisht pas më se një gjysmë shekulli …
Mes nesh mësuesit tanë, pedagogë me tituj e grada shkencore që na deshën e i deshëm…

          “ADRESA JONË DO TË JETË FUSHA, MALI – ATJE KU MBILLET E KORRET, ATJE KU PRODHOHEN TË MIRAT MATERIALE”

Gazeta “Mësuesi”, e premte, 18 shkurt 1966

          “Do të shkojmë për të punuar në fshat, në zonat më të largëta të vendit, atje ku e kërkon interesi i partisë dhe i popullit”. Kjo shprehje, ky zotim solemn, është dëgjuar shpesh  këto kohët e fundit nga specialistët e rinj të bujqësisë, blegtorisë dhe pyjeve, që porsa mbaruan studimet në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë. Këtë dëshirë të tyre të zjarrtë, për të punuar në zonat më të thella e të vështira të vendit, në rrethet e Kukësit, Pukës, Librazhdit, Tepelenës, Përmetit, Skraparit etj. ata e kanë shfaqur në mbledhjet e fakulteteve. E shprehën edhe njëherë përpara pedagogëve, shokëve të tyre dhe punonjësve të tjerë të shkollës, në ceremoninë për shpërndarjen e diplomave, që u bë ditën e mërkurë në një nga sallat e Institutit.
          Kjo ishte një mbledhje e thjeshtë por entuziaste dhe njëkohësisht e përmallshme, pasi nga gjiri i kolektivit të madh u ndanë 173 agronomë, veterinerë, inxhinierë pyjesh dhe ekonomistë agrarë, të cilët fillojnë tani, në vitin e parë të pesëvjeçarit të IV, rrugën e vështirë të jetës. Ata shkojnë për të punuar në fshat, në kooperativa e ndërmarrje bujqësore, krahas shokëve të tyre të vjetër e të rinj, krahas atyre qindra e qindra kuadrove, që duke iu përgjigjur Thirrjes  të K.Q. të Partisë dhe të Këshillit të Ministrave, lanë zyrat dhe u hodhën ballëhapët në frontin e prodhimit, për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë sonë socialiste.
          Ky është kontingjenti i njëmbëdhjetë i kuadrove të larta që kjo shkollë e lartë bujqësore i ka dhënë vendit gjatë këtyre 15 vjetëve të jetës së vet. Instituti ka përgatitur mbi 1220 specialistë për degët e ndryshme të bujqësisë. Vetëm sivjet përgatiti një herë më shumë kuadro të larta bujqësore nga sa kishte gjithë Shqipëria para çlirimit.
          Shoku Gaqo Tashko i përshëndet të porsa diplomuarit në emër të rektoratit, të komitetit të partisë dhe të kolektivit të pedagogëve. Ai u uron shëndet e lumturi në jetë, e punë të mbarë e të frytshme për të mirën dhe begatinë e popullit tonë.
          Pastaj e morën fjalën të diplomuarit e rinj.
          – Sot po hedhim hapin e parë në një rrugë të re e të vështirë, në rrugën e jetës – thotë ndër të tjera agronomi i ri Abdurahim Ashiku – zotohemi edhe njëherë se do të punojmë me të gjitha forcat e dijenitë tona, pa kursyer asgjë, as edhe jetën tonë po të jetë nevoja, që ta justifikojmë plotësisht besimin që na jep partia dhe populli. Ky është premtimi ynë solemn dhe ju sigurojmë se do ta mbajmë deri në fund. Duke bashkuar zërin tim me atë të shokëve të tjerë që mbaruan studimet, shpreh gatishmërinë për të punuar në skajet më të largëta të Atdheut, në Vermosh të Dukagjinit, në Krumë e Shishtavec të Kukësit e kudo ku e kërkon interesi i përgjithshëm, atje ku të ketë më shumë vështirësi. Kjo do të ishte për mua dhurata më e vogël për partinë dhe popullin për të gjitha të mirat që na ka bërë, për kujdesin e tyre të vazhdueshëm, duke na krijuar të gjitha mundësitë, duke na hapur të gjitha dyert e dijes dhe të shkencës”.
          Ekonomisti agrar Ibrahim Tahiri shfaqi dëshirën për të punuar në rrethin e Kukësit. “Unë – thotë ai, – duke mbajtur parasysh parullën luftarake të partisë: “Në njërën dorë kazmën dhe në dorën tjetër pushkën” – si ushtar i denjë i partisë dhe i popullit, që më rritën dhe më edukuan, do të punoj me të gjitha forcat dhe aftësitë dhe do të vigjiloj; po të jetë nevoja edhe të sakrifikoj edhe jetën për ndërtimin e socializmit, për ta bërë Atdheun tonë më të begatshëm e të bukur, për ta mbrojtur nga armiqtë imperialistë dhe revizionistë të të gjitha kallëpeve.
          Të porsa diplomuarit i përshëndet më në fund, Ministri i Bujqësisë Pirro Dodbiba. Ai i porosit ata të punojnë sa më shumë për të vënë në shërbim të bujqësisë dijenitë që kanë marrë në institut dhe njëkohësisht të vazhdojnë të mësojnë për të rritur aftësitë e tyre, të mësojnë sa më shumë nga shkolla e madhe e jetës.
          Ceremonia mbaroi. Në korridoret dhe në oborrin e Institutit sheh shumë vetë duke u përqafuar njeri me tjetrin dhe duke dalë në fotografi.
          Dhe në këto momente ndarjeje ndër të tjera dëgjon edhe këto shprehje:
          “ Rrugë të mbarë; suksese në punë dhe në jetë!”, “ Mirupafshim! Adresa jonë është fusha dhe mali – atje ku mbillet dhe korret, atje ku prodhohen të mirat materiale

Korresp. “Mësuesi”

Gazeta “Zëri i Rinisë”: E shtunë 19 shkurt 1966

KUR DOLËM NË JETËN E MADHE…

Shënime të 16 shkurtit 1966 me shumë nostalgji për vete dhe shokët e mi bashkë studentë…
          Ka momente në jetë për të cilat është vështirë të shkruash. Mbaruam Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, u diplomuam dhe jemi vullnetarë të vemi ku e do e mira e atdheut. Sot kurorëzuam me sukses përpjekjet tona për dije, i dhamë fund një rruge dhe po fillojmë një tjetër, më të gjerë, që shtrihet në fushë dhe male, atje ku prodhohen të mirat materiale.
          Një tipar karakteristik i të gjithë shokëve të mi, tipar që lexohet në fytyrat e secilit, është vendosmëria për të ecur përpara, vendosmëria për t’i shërbyer atdheut kudo që ka nevojë. Të gjithë të diplomuarit kanë shprehur gatishmërinë për të punuar në zonat më malore, në Tropojë, Kukës, Mirditë, Mat, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Skrapar, Përmet dhe Tepelenë., atje ku është më vështirë, atje ku bujqësia dhe blegtoria janë socialiste ka nevojë më të ngutshme për të ecur përpara, për t’u forcuar dhe modernizuar.
          Pesëvjeçari i tretë na përgatiti, e tani pranvera e parë e pesëvjeçarit të katërt do të na gjejë në frontin e madh të punës, në çdo cep të atdheut, së bashku me fshatarësinë tonë për rritjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale.   

VENDI I RINISË ËSHTË NË VIJËN E PARË, NË FRONTIN MË TË VËSHTIRË

          Ky është refreni i mendimeve, i dëshirave të 114 kuadrove agronomë, frutikulturistë, ekonomistë agrarë, zooteknikë, veterinerë dhe inxhinierë pyjesh që u diplomuan këto ditë.
          Jam ulur në një cep të sallës së madhe të studimit dhe përpiqem të shënoj atë ç’ka buron nga zemra e secilit.
          Sekretari i komitetit të partisë së institutit tonë, Sinan Osmani, flet për vrullin e ri revolucionar që ka shpërthyer dhe përfshirë atdheun tonë për ndërtimin e socializmit, për gjestin patriotik të mijëra punonjësve të vendit tonë, që po lënë zyrat, qytetin dhe po shkojnë atje ku prodhohen të mirat materiale, atje ku mbillet dhe korret. Edhe ne tani radhitemi në radhën, gjithnjë në rritje, të specialistëve të lartë të vendit. Ajo që na preokupoi më tepër këto ditë është pyetja: ku mund t’i shërbejmë më mirë atdheut? Bujqësia është në fshat, në zonat fushore, kodrinore dhe në zonat e larta malore. Ajo tani po ngjitet me ritme të shpejta në shkallët e  zhvillimit të saj, si në gjerësi ashtu edhe në thellësi. Mijëra hektarë tokë po krijohen shkallë-shkallë në vendet më malore, atje ku për vite me radhë zhvillohej bimësia natyrale. Në këto shkallë, shkallët që e  çojnë  bujqësinë tonë sa më lart, shprehën gatishmërinë të gjithë të diplomuarit.
          – Unë jam nga Elbasani – thotë agronomi i ri i specializuar në degën e frutikulturës, Halil Sllami. Për mua do të ishte kënaqësi që të punoj atje ku e lyp nevoja e atdheut e në vendin më të vështirë. Unë shpreh gatishmërinë time për të punuar në zonat malore të Librazhdit dhe Gramshit. Atje mendoj se do të jap më shumë.
          – Unë jam nga Burreli, tha Muharrem Hasa. – Dëshiroj të punoj në rrethin tim në kooperativën më të largët e ku është më vështirë, por njëkohësisht, duke bashkuar zërin tim me gjithë shokët, shpreh gatishmërinë për të punuar edhe më lart, në veri, në Tropojë e Kukës.
          – Në Gusmar të Tepelenës linda, atje kalova fëmijërinë, atje dëshiroj të filloj punën si specialist i bujqësisë- thotë agronomi ekonomist Molotov Çela.
          – Dua të punoj në Kuç të Kurveleshit, – tha Seit Alikaj – Atje mendoj se mund t’i japë më shumë bujqësisë. Dëshiroj që kjo të bëhet patjetër realitet.
          – Jam nga Përmeti – tha agronomi ekonomist Ibrahim Tahiri – Në familjen time vëllai hapi një rrugë të re, në vitin 1957 ai kërkoi vullnetarisht të shkojë për t’i shërbyer atdheut  si mësues në Kukës. Kam dëshirë që këtë traditë ta përsëris edhe unë. Dëshiroj të vete në Kukës  në kooperativën bujqësore të këtij rrethi, nuk e di se në cilin fshat të këtij rrethi është më vështirë, por dëshiroj që të më  çojnë pikërisht atje.
          – E kam vështirë të zgjedh se në cilin rreth të shkoj – tha Skënder Gjoleka, nuk i njoh të gjithë rrethet, shpreh gatishmërinë që të shkoj në Tepelenë.
          – Jam nga Tropoja, dëshiroj të punoj në vendlindje  në kooperativën më të largët. Jam gati të shkoj edhe kudo tjetër – tha Ahmet Malaj, agronom ekonomist.
          – Jam nga Erseka. Shpreh gatishmërinë për të punuar në çdo kooperativë të këtij rrethi, por jam gati të shkoj në Skrapar – tha Skënder Diko.
          – Dua të punoj në pyjet e Mirditës – tha inxhinieri i ri Nikolla Gjoni, atje ku të ketë nevojë.
          – Në sektorin më të vështirë të pyjeve, ku të jetë nevoja, – tha Kujtim Hasimi.
          – Dua të punoj atje ku blegtoria ka nevojë të ngutshme për ndihmën e veterinerit – tha veterineri i ri Kristo Foteli – në vendet më të largëta malore.
          Dëgjoj i emocionuar mendimet dhe dëshirat e 114 kuadrove specialistë, shokëve të mi që këtë vit mbaruan studimet e larta. Desha të shkruaj për ëndrrat dhe dëshirat e të gjithëve, për gatishmërinë e tyre për të shërbyer në zonat malore të vendit tonë që nga Tropoja në Tepelenë, për gatishmërinë e Skënder Kuçit, Gaqo Grazhdanit, Fadil Demrozit, Muharrem Lokes. Ali Zykës, Pavllo Konomit, Daniel Sollomonit, Jorgji Katros, Loni Sollakut, Novruz Starovës, Dhionis Çakallit, Përparim Kodrës, Stavri Ndreçkçs, Mazllëm Hoxhës, Marie Limonit, Aliqi Terezit, Kristavgji Naçit, dhe shumë e shumë të tjerëve. Shprehja e dëshirës dhe e gatishmërisë së tyre është formuluar në letrën drejtuar gazetës “Zëri i Rinisë

                    SHËNIME NGA SALLA !

          Katër vjet e gjysmë më parë, në ditën e parë të shtatorit isha ulur në këtë sallë të madhe, diku andej nga fundi dhe bisedoja me dy tre shokë që njihja, me të cilët kisha mbaruar shkollën e mesme. Pas ceremonisë së fillimit të vitit të ri shkollor, na thanë të qëndronim aty se dikush do të na fliste. Leksioni i parë i përbashkët për të gjithë fakultetet që punimi i rregullores dhe statutit të Institutit Bujqësor. Pyetëm atëherë për shumë gjëra, për orarin, për provimet, zaçotet, seminaret, mensën dhe për shumë gjëra të tjera që i kishim dëgjuar nga të tjerët.
          Këta mu kujtuan sot (ndoshta njëkohësisht u kujtohen edhe shokëve të tjerë), në këtë takim me pedagogët dhe studentët, që është organizuar me rastin e dhënies së diplomave. Shumë ndryshime kanë ndodhur që atëherë, ne u rritëm, u poqëm, fituam shumë shprehi të jetës, që nesër do t’i çojmë në fshat, u bëmë specialistë të lartë.
          Flet rektori i Institutit, Gaqo Tashko. Na uron rrugë të mbarë në detyrën e re për lulëzimin e atdheut. Ne rritim këtë vit me 114 specialistë të bujqësisë, blegtorisë dhe pyjeve radhët e armatës së specialistëve që punojnë në të katër anët e vendit.
          Pastaj e marrin fjalën shokët e mi, Ibrahimi, Kristua… Ata shprehin në emër të gjithë shokëve dëshirat e secilit, që një ditë më parë i shfaqëm në mbledhjen e organizatës së rinisë për të punuar atje ku është më vështirë dhe ku e do e mira e atdheut.
          – Duam të jemi edhe në jetë luftëtarë e nxënës – kjo është dëshirë që lexohet në fytyrat e të gjithëve – Instituti do të na ketë neve  në prodhim përçuesit e së resë, eksperimentatorët, studiuesit e shumë problemeve teorike e praktike që shtrohen para bujqësisë. Dëshirojmë që me institutin e pedagogët të lidhemi në një nyje të pazgjidhshme dhe biblioteka shkencore t’i zgjerojë më shumë lidhjet me bazën.
          – Jeta i jepet njeriut vetëm një herë – ka thënë Ostrovski – theksoi ministri i bujqësisë, Pirro Dodbibiba – prandaj ai duhet të punojë në mënyrë të tillë që mos bëhet pishman për ato që ka bërë. Edhe ju- vazhdoi shoku Pirro Dodbiba – duhet të punoni kudo që të jeni, pa u lodhur, që ta çoni bujqësinë tonë  përpara. Ju keni nevojë shumë për të mësuar nga jeta, nga praktika, duhet të punoni që të jeni nxënës të praktikës, të së resë, ta futni atë sa më thellë e sa më shpejt në bujqësinë tonë.
          Pas shpërndarjes së diplomave, përsëri u mblodhëm së bashku ashtu si 4 vjet e gjysmë më parë, u mblodhëm bashkërisht në atë sallë. Zëvendës dekani i fakultetit të agronomisë, pedagogu Astrit Kallapodhi kërkon mendimin tonë rreth përmirësimit të punës mësimore dhe praktike në institut e na jep disa këshilla të vlefshme për punën dhe për jetën.

          NË JETË DUHET TË JESH GJITHNJË NXËNËS

          Të mërkurën dhe të enjten në dhomat tona, në ato dhoma ku dritaret deri natën vonë në ditët e provimeve të shtetit vështronin në errësirë si sy të ndezur, është prishur qetësia. Të gjithë përgatiten për udhëtim. Valixhet nuk i nxënë librat, dispensat e fletoret e konspekteve të leksioneve. Pako që qëndrojnë do të gjesh në çdo dhomë. Secili përgatitet që të marrë me vete sa më tepër literaturë teorike që do të jetë ndihmëse atje në fshatin më të largët ku do të punojë, ku pedagogu shokët janë larg dhe pyetjet memece, që natyra shtron para teje, duan zgjidhje.
          Më pëlqen por edhe më emocionon kjo skenë e largimit, sidoqë dhoma nuk ka atë pamjen e dikurshme dhe copa gazetash e fletë fletoresh mbulojnë dyshemenë. Është fillimi i një rrjedhe të re në jetë, rrjedhë e cila do të shpërndahet në çdo cep të atdheut.
          Bajrami është i shqetësuar. Baulen e ka mbushur plot e përplot.
          – Ç’ke? – e pyes.
          – Më duhen  edhe disa dispensa, por nuk po e gjej Cenin.
          -Tani sapo u ngjit lart.
          Ai përplasi derën dhe  ngjit përpjetë shkallëve. Bri baules së mbyllur me zor, ishin një grumbull librash dhe dispensash…
          Në jetë duhet të jesh gjithnjë nxënës, studiues…

          MIRUPAFSHIM !

          Në stacionin e autobusëve të interurbanit në Tiranë ka gjallëri. Njerëz që përqafohen me njeri-tjetrin, zëra, buri makinash. Atmosferë e zakonshme ndarjeje, që këto mëngjese u përsëritën me ngjyra të ndryshme…
          Kaloj mes shokëve e shoqeve të mi. Përqafime, urime për rrugë të mbarë, punë të mbarë. Dhionis Çakalli u nis për në Vlorë, Përparimi e Petraqi për në Korçë, Bajrami dhe Skënderi për në Ersekë, Muharremi për Burrel, Ahmeti dhe Zeqiri për Tropojë, Nikollë Gjoni për Mirditë, Andoni dhe Forja për Përmet…
          Pas pushimeve ata do të nisen atje ku e kërkon nevoja e atdheut.
          Mirupafshim!
          Adresa jonë është fusha dhe mali, atje ku mbillet dhe korret!

Abdurahim Ashiku,

Tiranë, 16 shkurt 1966

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.