100 VJET

0

DIBRA DHE KONGRESI I LUSHNJËS

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar në mërgim

E shkruar pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, e përcjellë në një sesion shkencor emigrantësh në Athinë kushtuar Kongresit, e gjykova të vlefshme ta ribotoj tash në 100 vjetorin e kësaj ngjarje të madhe sepse, siç kam theksuar në mbyllje të kumtimit: Kongresi i Lushnjës, është si vera, si vera e kuqe – gjak i shqiptarëve në luftërat për liri e pavarësi, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë vlera merr.

Dhe jo vetëm ai, e tërë historia jonë, histori që na ndjek, na mban gjallë, na bën krenarë edhe pse jemi larg Atdheut…

*             *                  *

“ Sa herë që luftojshin malësorët tanë në Lanë të Lurës, ngrihesh e fluturonte mbi ta një shqipe e cila tue u rrotullue gërhiste egërshëm me zanin e saj të ashpër dhe sulej drejt frontit të serbëve. Kjo ngjarje e mrekullueshme ndodhëte përditë sa herë bëhej luftë, Tue e pamë malësorët tanë këtë shqipe që fluturonte përmbi krenat e tyne, pa u drashtë as nga plumbat e anmikut as edhe nga zhurma e luftës, përtriheshin me fuqi morale e e quejshin si shenjë ngadhënjimi fluturimin e saj dhe tue brohoritë “ Besa besë, asht dita jonë “ sulmojshin me tërbim mbi armikun, të cilin e shtyjshin, shtypshin dhe e dërmojshin…”

Janë këto shënimet e Ismail Strazimirit, të njeriut që mori pjesë me armë në dorë në tre luftëra, historikisht të mëdha për tërë Shqipërinë e në veçanti për Dibrën:

Të luftës epokale për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë nga pushtimi shekullor osman.

Të luftës për mbrojtjen e kufijve etnikë të shqiptarizmës nga synimet grabitqare të serbëve.

Të Luftës së Madhe Antifashiste Nacional – Çlirimtare të shqiptarëve, luftë e cila e radhiti Shqipërinë në krahun e fituesve të mëdhenj.

Patrioti dibran Ismail Strazimiri ra më 16 nëntor të vitit 1943 në Sllovë, karakollin historik të qëndresës së Eles Isufit, ra heroikisht duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve gjermanë.

Beteja e Lan Lurës, një karakoll në kalanë natyrore të Sinës e të Çidhnës, kala në të cilën u përkundën djepet e të parëve të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, ishte pjesë e betejës historike shqiptare me rrënjë në Kongresin e Lushnjës.

Atje lindi dhe mori dhenë kënga epokale e Djelmënisë Dibrane :

Drin, o lum i gjanë, Plaku i malësisë

A ke me ia lanë Dibrën Serbisë ?

Kurrë nuk durohet  kjo robëni

Dibra e Mojsiut asht Shqipëni

Çohi burra, çohi

Gjithë me besa besë

Për Dibrën luftoni

Me të madhen shpresë

Lurë o vend i naltë, vend i trimënisë !

Aty u banë fjalët, besa e lirisë:

Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit

Dibrani lirue, si ka qenë motit

Çohi burra, çohi !

Gjithë me besa besë !

Dhe lirinë festoni

Me të madhen shpresë !

Dibra historike, me lufta valë- valë,

Dera e Kastriotit, gjinit tand ka dalë.

Ke pasur kreshnikë, por ke edhe sot,

Ai për Shqipni, gjakun s’kursen dot.

Kur Lushnja  mblidhte në Gjirin e saj burra në zë nga e gjithë Shqipëria, Dibra ishte nën pushtimin serb, Dibra shëronte plagët e luftërave  të pandërprera, mblidhte armë dhe thante barutin për beteja të reja.

Konferenca e Londrës e kishte prerë tokën e shenjtë shqiptare sipas anatomisë së prerjes së berrave, vijës kurrizore. Qendra gjeografike shqiptare, Verduni shqiptar në qoftë se do të përmendim pikën baraspeshore të Francës, njërës prej fuqive më të egra  shqiptare të kohës, gjendej në anën tjetër të kufirit. Qytetet kryesore në kurrizin tokësor të Shqipërisë, ishin prerë me sëpatën e mendjeve të ndryshkura të krerëve të fuqive të mëdha. Nuk njihet, në asnjë vend të botës, që qytetet, qendrat e krahinave të priten e të lihen në njërën anë të kufirit e fshatrat, trupi i krahinave, të lihej  në anën tjetër. Dibra, Prizreni, Gjakova… qytete me histori të përveçme për  shqiptarët  mbetën nën Serbi, fusha dhe malësia e Dibrës, Prizrenit, Gjakovës…mbetën të gjymtuara nën… Shqipëri.

Një miku im, Myrteza Shehu,  familja tetëvetëshe e të cilit në shtator 1913, pas pushkatimit barbar nga serbët të babait të tyre Sheh Hysenit, patriot, shoqërues i Abdyl Frashërit  për në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një ndër udhëheqësit e kryengritjes së madhe popullore dibrane të shtatorit 1913 kundër pushtimit serb  dhe ëndrrës së tyre të moçme për të dalë fillimisht në Drin e më tej në Durrës, qe e detyruar të lejë pasuri e katandi dhe të ikte nga qyteti i Dibrës me “rrobat e trupit”, sa herë e takoja më përsëriste refrenin e një poeme të Gjergj Fishtës, poemë të cilën e kishte mësuar në shkollën fillore:

Padrejtësia e Londonit

E la Dibrën jashtë kufinit

S’kemi ndigjue nga asnjeri

Të ketë kufi nëpër vi

Nëpër vi e puren n’puren

Veç ke ti e në Prizeren

U vunë kufijt ven pa ven

Solla paksa, shumë pak, nga klima dibrane që parapriu dhe shoqëroi dhe pasoi Kongresin Historik të Lushnjës.

Dibra ishte nën pushtim. Lugina e Drinit, vargmalet nga Golloborda në Lurë e Arrën të Kukësit përbënin synimin e afërt të Serbisë, tashmë me një pagëzim të ri shovinist, Jugosllavi, kumbarë i së cilës ishte Parisi.

Nga majëmalet e Nëntë Maleve të Dibrës, jugosllavët  shihnin detin, shihnin daljen në Durrës dhe Shëngjin, shihnin ëndrrën e tyre të moçme, daljen në Adriatik, ëndërr të cilën do ta shuante pushka dibrane me barutin e thatë që solli Kuvendi i Madh i Lushnjës.

Në këtë Kuvend apo Kongres, siç ka hyrë në histori morën pjesë tre njerëz në zë në botën dibrane të asaj kohe.

Haki Stërmilli, shkrimtari demokrat, autori i romanit më në zë në vitet ’30-të, romanit “Sikur të isha djalë“, në shënimet e tij “Dibra në prak të historisë”, shënime të përfunduara më 3 prill 1940, fatkeqësisht ende në dorëshkrim shkruan:

“ Mu në këtë kohë, kur shqiptari ishte mbushun plot helm dhe vner kundër armiqëve të tij, një tufë patriotësh u mblodhën në Lushnje dhe, tue interpretue vullnetin e popullit, i thirrën botës e i thanë se Shqiptarët  do t’a përballojshin me vdekje çdo vendim që mund të nepesh në dam të tanësisë toksore t’Atdheut të tyne dhe se ata nuk premtojshin me ba asnji koçesion mbi kurriz të tyne. Kjo thirrje, që në realitet ishte klithma e zemrave shqiptare të plasuna e të ngufmueme prej dëshprimit, i shtangu anmiqt dhe ua rrudhu guximin, pse para tyne tash kish dalë një mur pengues. Menjiher ranë poshtë thikat e kasapëve, pse Shqiptari i shtrimë për dheu kish hovë dhe ish ngritë në kambë, me fuqi të jashtëzakonëshme.

Ky qe Kongresi i Lushnjës që u hap më 21 Kallnuer 1920 dhe që protestoi kundër traktatit të mfshehtë të Londrës më 1915 dhe kundër kërkesave të padrejta të fqinjve. E rrëzoi qeverin e Durrësit për vepra ilegale e arbitrare të kryeme prej saj, zgjodhi dërgatën Shqiptare për Paris, redaktoi një statut themeltar, zgjodhi anëtarët e Regjencës dhe ata të Senatit. Të gjitha këta vendime u zbatuen menjiherë dhe kabineti i formuem erdh e zu vend në Tiranë…

…Në Kongresin e Lushnjës më 1920 u vunë themelet e Shtetit të lirë Shqiptar…Dibra në këtë Kongres u përfaqësue prej Ramiz Dacit, Dine Maqellarës e Dine Demës…”

Ramiz Daci lindi në qytetin e Dibrës në vitin 1887. Mbasi mbaroi në Stamboll shkollën ushtarake “Ashiret“ vazhdoi karrierën ushtarake me gradën e oficerit. Ishte një ndër përkrahësit e zjarrtë të çështjes shqiptare. Kur u ngrit flamuri i Shqipërisë në Vlorë dhe Shqipëria u shpall e Pavarur, ai ishte aty. Në janar të vitit 1920 ishte një ndër përfaqësuesit e Dibrës në Kongresin e Lushnjës. Ishte deputeti i parë i Dibrës në qeverinë e re shqiptare. Në vitin 1922 u burgos në Peshkopi dhe në rrugë drejt Tiranës, u vra tek Ura e Qytetit të Skënderbeut prej mercenarëve të Ahmet Zogut, asokohe ministër i Brendshëm.

Dine Maqellara lindi në vitin 1875 në Maqellarë. Në vitin 1912, bashkë me disa atdhetarë të tjerë  doli maleve të Dibrës  për të kërkuar me armë në dorë lirinë e shqiptarëve. Ishte kundërshtar i ashpër i Esat Pashë Toptanit. Ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha kryengritjet kundër pushtimit serb. Në janar 1920 përfaqësoi Dibrën në Kongresin e Lushnjës. Vdiq në vitin 1928.

Delegatët e Dibrës në Kongresin e Lushnjës shkonin me krahë të ngrohtë. Në Dibër, në roje të tokës së të parëve, ata kishin lënë një njeri që populli e quante Arusha e Maleve, në krye të forcave kryengritëse shqiptare në Dibër ishte Gjenerali me Shajak, Eles Isuf Ndreu.

Arrasi, një fshat i vogël në grykëderdhjen e Setës në Drinin e Zi, fshat në Trojet e vjetra të Kastriotëve, do të shndërrohej fill pas Kongresit të Lushnjës, në qendrën e Prefekturës së Drinit, prefekturë e cila shtrihej nga Llanga në kufi me Librazhdin në Has në kufi me Gjakovën. Asokohe Peshkopia ishte nën pushtimin serb. Do të shndërrohej edhe në qendrën e Kuvendit të Arrasit, apo e thënë sipas gojës së popullit, në selinë e “Qeverisë së Arrasit”. Më 13 gusht Kuvendi i Arrasit dha kushtrimin popullor “O liri, o vdekje“. Mbi tremijë dibranë erdhën, me armë në dorë për të përshëndetur “Qeverinë e Arrasit”, për t’u vënë nën komandën e më të madhit luftëtar kundër synimeve serbe ndaj Shqipërisë, gjeneralit të pamposhtur popullor, Eles Isuf Ndreut, i sapo emëruar nga Kuvendi si Komandant  i Forcave të Armatosura Dibrane.

“Në mëngjesin e 15 gushtit 1920, shkruan Haki Stërmilli, u ndigjue britma “Besë a Besë“ e Sufë Xhelilit (nipit të Eles Isufit ) dhe krisma e pushkës së tij që u zbraz kundër serbëve të grumbulluem tek Vorret e Shumbatit. Mbasandaj nuk u ndigjue tjetër veçse nji gurgullimë e vrazhdët prej krismës së pushkëve, të mitrolozëve, të topave, të bombave dhe të gjamëve. Menjiherë u çue Elezi dhe u bërtiti trimave që kish aty: Në Luftë!

Të gjithë sulmuen. Mbrenda pesë minutave lufta kish plasë në të katër anët e Dibrës, qysh prej skajeve të Gollobordës e deri në Kala të Dodës, prej vijës së kufirit 1918 e deri në buzë të kufirit 1913.

Në mbramë, kur po perëndonte dielli, kishte perëndue sundimi serb në tanë qarkun e Dibrës…”

Kongresi i Lushnjës i dha Dibrës dhe Dibranëve lëngun e jetës për t’i rrënjosur  thellë e më thellë rrënjët në truallin e qëmotshëm të Kastriotëve, i dha barutin e thatë për një fitore të madhe historike. Pas tij e më tej, do të kishim për herë të parë një Shqipëri, ndonëse të cunguar e të prerë mizorisht. Kjo copë shqiptare, me përjashtim të Shën Naumit dhe Vermoshit që Zogu ua dha dhuratë serbëve – jugosllavë, nuk do të nënshtrohej më kurrë, as nga pushtimi fashist dhe nazist dhe as nga synimet e Jugosllavisë së Titos për ta aneksuar atë si republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Kongresi i Lushnjës, është si vera, si vera e kuqe – gjak i shqiptarëve në luftërat për liri e pavarësi, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë vlera merr.

Shpresoj që nëpërmjet këndvështrimit nga Dibra të kem sjellë disa vlera, nga vlerat shumë të mëdha  ende  të panjohura që ai ruan në kujtesë dhe dokumente.

Athinë, 30 janar 2005

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.