Zoti Nishani ! E dini ? Dibrën po e mbysin !

0

Letër e hapur

Zoti Nishani ! E dini ? Dibrën po e mbysin !

Në vend të saj, në vend që t’i jepnit dritë e zhvillim, Dibrës sonë dhe Dibrës së Madhe e zonave të tjera shqiptare tej kufirit shqiptaro-shqiptar, Rrugën e Arbrit, po i jepni dënimin që nuk e gjen në asnjë kod penal të kohëve të largëta dhe të sotme, “VDEKJE ME MBYTJE”.
Nuk e di në se i lexoni gazetat dhe i shikoni lajmet z. Nishani ! Dibrën po e mbysin, po ia zhysin nën ujë Luginën e Drinit të Zi, lugina më e madhe, më pjellore, më e bukur mbase pas asaj të Devollit.
Luginën ku lindi Gjergji i Gjon Dibranit dhe fitoi në përballje me hordhinë më të madhe të kohës, turqit osmanlinj, tetëmbëdhjetë beteja, nga 24 beteja fituese të tij.
Luginën që përballi me heroizëm urdinë serbe që pas Dibrës kërkonte të dilte në detin Adriatik, të kapte Durrësin dhe ta zhdukte nga harta e botës Shqipërinë.
Dibrën “qendër gjeografike” të shqiptarëve në të 64 mijë kilometra katrore ku historikisht është folur e kënduar shqip.
Dibrën, me kromin deri në një milionë tonë në vit që ndërtoi Shqipërinë.
Dibrën me një popull punëtor që ka ndërtuar Shqipërinë. Nuk ka objekt të madh ndërtimi që nga fabrikat, uzinat, urat e mëdha, hidrocentralet që nga ai i Tiranës, Ulzës, Shkopetit, Bistricës, Vaut të Dejës, Fierzës, Komanit e deri tek ai i Banjës ku të mos jetë derdhur dija, djersa dhe gjaku i dibranëve.
Dibrës me një universitet popullor ku Reginald Hibbert dhe Julian Emery përkatësisht shkruanin:
“Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”
“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford”.
Dibra kishte një degë të universitetit të Durrësit, një mundësi që djemtë e vajzat dibrane të Dibrës brenda kufijve të Londrës dhe jashtë kufijve të saj (Dibra e Madhe, Gostivari, Tetova, Struga…), nuk e ka më. E mbyllën dhe askush deri tek ju, nuk e tha një fjalë, e këputi në rrëzë këtë dritë dijeje.
Dibra ka pësuar dy rrjedhje të mëdha historike, ikje pa kthyer kokën prapa, ikjen nga serbi në vitin 1913 dhe ikjen nga “demokracia” e mbrapshtë shqiptare. Tani ajo përgatitet për ikjen e tretë, ikjen me tabut e me qefinë nën sqetull, shuarjen e saj nga hidrocentrali i Skavicës.
Në variantin me digë të lartë përmbyten 65 kilometra katrorë dhe marrin rrugën si “çifuti në shkretëtirë” dyzet mijë dibranë.
Në variantin me “tri diga” shkatërrohet relievi i bukur i luginës nga prerja e pyjeve, shkatërrimi i kodrave për marrjen e materialeve inerte, zhbëhet gjithçka.
Dibrës, pas përmbytjes i mbeten vetëm majat e maleve si silueta pasqyrimi në ujërat e liqenit kur hiqet mjegulla.
Nuk po shkruaj për Rrugën e Arbrit që ia premtuat, të djathtë e të majtë.
Në vend të saj, në vend që ti jepnit dritë e zhvillim, Dibrës sonë dhe Dibrës e zonave të tjera shqiptare tej kufirit shqiptaro-shqiptar, Rrugën e Arbrit, po i jepni dënimin që nuk e gjen në asnjë kod penal të kohëve të largëta dhe të sotme, vdekjes me MBYTJE.
T’i kujtova këto zoti Nishani, jo se nuk i din, por se nuk donë t’i dish.
E them këtë sepse për të dytën herë të shoh në ekranin e vogël të televizioneve satelitore dhe faqeve të gazetave në shoqëri me “një grup të aktivistëve civilë”, grup i “tre dynim-shit” tek pylli artificial që brezi i viteve pesëdhjetë-gjashtëdhjetë e mbolli  me punë vullnetare ashtu si  ngriti digën për ti dhënë Tiranës liqenin e saj artificial, grup që më parë se të shqetësohej për “këndin e fëmijëve” duhet të ishte shqetësuar për  mbytjen e Dibrës, shkatërrimin e florës dhe faunës, zhdukjen e çdo mundësie për kërkime arkeologjike për të hedhë dritë mbi të kaluarën e popullit të kësaj treve me zë në historinë e lashtë dhe të re të Shqipërisë. Grup që do të doja që nga Dibra të udhëtonte rrjedhës së Drinit dhe të merrte kthesën të përpjetës së Valbonës ku thuhet dhe shkruhet se do të ndërtohen 11 hidrocentrale duke e vrarë bukurinë e bukurive të maleve më të lartë shqiptare.
“Aktivistët civilë” (!), të cilit na qenkan “personalitete të spikatura në fushat e tyre të ekspertizës” (!) ishin të shqetësuar për “betonizimin e lirisë, përveç betonizimit të parkut të Liqenit Artificial të Tiranës”  si dhe për “fjalorin jashtë çdo etike që përdoret nga njerëzit e veshur me pushtet duke goditur përditë qytetarinë shqiptare”.
Ju erdhën tamam për shtat.
Ju i nderuar president, pasi i  dëgjuat “me vëmendje shqetësimet dhe  problemet  e ngritura nga aktivistët civilë….” (të cilët ishin të shqetësuar vetëm për “tre dynymë” për parkun e fëmijëve dhe aspak për 65 kilometra katrorë të mbytjes së Dibrës dhe shpërfytyrimin e Valbonës) u deklaruat atyre se, siç shkruhet në shtyp, keni kërkuar  “në mënyrë institucionale hetim ndërkombëtar për çështjen e ndërtimit të këndit të lojërave në parkun e liqenit”, projektin që Bashkia është zotuar se do ta përfundojë në 1 qershor.
EUREKA, zoti President. Gjetja juaj ia kalon edhe Arkimedit të madh të lashtësisë.
Vendimi i Gjykatës Administrative të Republikës së Shqipërisë për ju si simbol i Kombit dhe si Kryetar i Këshillit të Drejtësisë është NUL…
Fjalën ua le gjykatave ndërkombëtare.
O tempora, o mores!

Abdurahim Ashiku

27 maj 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.