Zhbllokohet pas 14 orësh lëvizja në kufiri me Greqinë

1

Pas 14 orësh bllokimi të kalimit të udhëtarëve dhe automjeteve në pikat e kalimit kufitar si Kapshticë dhe Kakavijë me destinacion Greqisë, është lejuar lëvizja e qytetarëve. Shkak është bërë, sipas autoriteteve greke, një defekt në sistemin kompjuterik. Vënia në lëvizje e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe kontaktet e tij me homologun grek Nikos Kotzias e ministrin e Brendshëm, Toskas, u ra dakord për rihapjen e kufirit dhe lejimin e lëvizjeve përmes skanimit të pasaportave.

Bushati-Kotzias: Kalim me skanim të pasaportave
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati pati një komunikim intensiv me homologun e tij grek, Nikos Kotzias dhe me ministrin e Brendshëm Nikos Toskas mbi zgjidhjen e situatës në pikat kufitare me Greqinë. Për shkak të problematikës me rënien e sistemit në të gjithë Greqinë, mes ministrit Bushati dhe ministrit Nikos Toskas u ra dakord që të nisë lëvizja duke mundësuar skanimin e pasaportave për qytetarët shqiptarë të cilët duan të udhëtojnë në drejtim të fqinjit jugor.

Situata e krijuar nëpër pikat kufitare
Që prej mesnatës të djeshme asnjë person i cili nuk kishte një pasaportë greke ose një pasaportë të Bashkimit Europian, nuk ka mundur të kalojë kufirin në pikën kufitare të Kakavijës, për shkak të një problemi të palës greke.

Mësohet se në radhë kanë qendruar dhjetra makina, si dhe 5 autobusë. Pala greke pretendon se kanë qenë disa probleme me kontrollin e Schengen. Bëhet e ditur se kjo situatë ka nisur në orën 00:00 ka vazhduar deri në orën 13:50 të ditës së sotme. Udhëtarët të cilët kanë qëndruar në oritje në pikën kufitare kanë humbur durimin, ndërkohë që dy prej tyre janë transportuar me makina private drejt spitalit të Gjirokastrës për shkak të problemeve shëndetësore.

Nuk e kuptojmë se çfarë është duke ndodhur. Këto janë lojra politike që u duhet dhënë fund. Nuk bëhet fjalë të kalojmë me pasaportë shqiptare, ne jemi me letra greke prej 25 vitesh”, shprehen qytetarët.

“Që prej orës 7 të darkës së djeshme nuk më lejojnë të kaloj. Më kanë vendosur kryq për 24 orë. Po presim, nuk dimë çfarë të bëjmë”, shprehen disa qytetarë të tjerë, të cilët shtojnë se fajin për këtë situatë e kanë politikanët. “T’i zgjidhin problemet që kanë me njëri- tjetrin, populli nuk ka pse të vuaj”, thotë një tjetër qytetar i cili ka qëndruar në pritje prej disa orësh.

E njëjta situatë është shfaqur edhe në pikën kufitare të Kapshticës, ku qytetarëve u është dashur të presin për orë të tëra për të kaluar në shtetin helen.

Edhe në Kapshticë pala greke pretendon se shkak për këtë situatë është një problem që ka prekur sistemin. Njësoj ashtu si edhe në Kakavijë, edhe në Kapshticë janë lejuar të kalojnë kufirin vetëm qytetarët me pasaporta greke dhe ata me pasaporta të Bashkimit Europian.

Në të dyja pikat doganore situata paraqitet kaotike. Ende autoritetet shqiptare dhe as ato greke nuk kanë reaguar zyrtarisht për këtë situatë. Në Kapshticë mes personave që presin në radhë ka një numër të madh fëmijësh dhe të moshuarish, të cilët për shkak të temperaturave të ulta mund të paraqesin edhe shqetësime shëndetësore.

Emigrantët të cilët janë duke qëndruar në pritje prej mesnatës se djeshme, kanë hedhur edhe akuza se pengesa për kalimin e kufirit është e qëllimshme për shkak të acarimit të situatës politike me shtetin fqinj për Himarën.

Reagon Policia: Greqia probleme dhe me Bullgarinë, Turqinë e Maqedoninë
Policia shqiptare ka sqaruar ngërçin e krijuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, policia bën të ditur se shkak janë bërë problemet në sistemin kompjuterik grek. Sipas policisë, krahas Shqipërisë, Greqia ka probleme edhe me shtetet e tjera fqinje si Turqi, Bullgari dhe Maqedoni.

Autoritetet greke, sipas policisë, kanë premtuar zgjidhjen e defektit në një kohë të shpejtë me qëllim mundësimin e lëvizjes në të dy anët e kufirit gro-shqiptar.

Ne lidhje me situatën e krijuar në Pikat e Kalimit Kufitar për në Greqi, ju informojme se: Policia Kufitare ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me policinë kufitare greke, ku nga komunikimi me autoritetet policore greke, rezulton se: 

Që prej mbrëmjes së djeshme, sistemi kompjuterik i palës greke ka shfaqur probleme teknike deri në bllokimin e plotë të tij. Sistemi kompjuterik është bllokuar për shkaqe teknike, jo vetëm në kufirin më Shqiperinë, por edhe me shtetet e tjera si me Maqedoninë, Turqinë dhe Bullgarinë.

Për këtë arsye shtetasit që nuk kanë dokument udhëtimi të një vendi të BE-së e kane të pamundur të kalojnë deri në rregullimin e difektit në sistem. Policia Kufitare ka mbajtur kontakt të pandërprerë me Policinë Greke, ku është marrë përgjigjie se po punohet për rregullimin sa më shpejt të sistemit.

Pala greke pretendon se deri sot pasdite ky difekt të rregullohet dhe të filloje lëvizja e qytetarëve me funksionimin normal të sistemit. Policia Kufitare kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të mjeteve që të mos dynden në pikat e kalimit duke krijuar radhë e konfuzion, pasi me të marrë njoftim nga pala greke për rregullimin e sistemit, do t’ju njoftojmë nëpërmjet medias dhe rrjeteve sociale”, thuhet në deklaratën e policisë shqiptare.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

1 Koment

  1. Pingback: Kapshticë : Vijon edhe sot rradha e kaosi në doganën greke - ABN

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.