Zeqi Agolli

0

ZEQI AGOLLI DHE MIT’HAT FRASHËRI NË BETEJËN E DIBRËS, NANTOR 1943

Homazh për një partizan të radhës së parë dhe një diplomat me 44 vjet karierë…

Zeqi Agolli iku nga kjo jetë në moshën 93 vjeç. Për të nuk shkroi asnjë gazetë, nuk u dha asnjë lajm në mjetet e komunikimit masiv.
Kryeministri u harrua në bisedat me këdo në facebook.
Ministri Bushati nuk u fol se shkoi për ngushëllim (pa le të lironte hollin e ministrisë për ti bërë homazhe e nderime një diplomati karriere që zor se i afrohet kush).
Mendjen e kishin tek eshtrat e kryetarit të Ballit Kombëtar…

 

BALLË PËRBALLË ME MIT’HATIN E “BALLIT KOMBËTAR”

1 nandor 1943

Tanë natën lufta vazhdoi pa u ndërpre…
… Hamdi Lleshi, Zeqi Agolli e shokë të tjerë, që përdorin mitralozët e randë të vendosur nalt, nën pullaz, janë flliqë duersh e turinjsh si të ishin farkëtarë. Por ata, në realitet, janë farkëtarë të jetës së re dhe do të mbeten të tillë derisa të realizohet ideali i tyne…

Është ky një fragment i shkëputur nga shënimet ditë e natë të shkrimtarit partizan Haki Stërmilli në “Shtigjet e lirisë”…
Betejë e zhvilluar në Dibër të Madhe, në anën tjetër të kufirit shqiptaro- shqiptar, betejë midis forcave të rregullta partizane dhe atyre të parisë dibrane nën komandën e Mit’hat Frashërit të Ballit Kombëtar dhe Bazit të Canit të Legalitetit.
Po çfarë donte Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi në Dibër në një moment kthese historike kur Italia fashiste  kishte kapitulluar pa kushte dhe gjeneral Azzi, komandant i Divizioni “Firence”, i ishte dorëzuar me gjithçka kundërshtarit të vetëm ndërluftues, Batalionit Partizan të Dibrës?
Shkurt, me pak fjalë, aq sa shënon në një ditar që bie era barot, shkrimtari dëshmitar me sy, me veshë e me laps në dorë, tregon se Mit’hati ato ditë ka udhëtuar pa pra që nga Lura, Peshkopia, Dibra e Madhe, Mati etj…
“Krenët e Dibrës, të nxitun prej Mithat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzës që kanë ardhë këtu, kërkojnë me e marrë sundimin e vendit bashkë me depot e materialeve ushtarake që kanë lanë italianët dhe që tash janë në duart tona” (24 gusht 1943)
Dy beteja, dy fitore të forcave partizane në Peshkopi dhe Dibër të Madhe dhe dy humbje, në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, kur forcat e Parisë së Dibrës, Ballit e Legalitetit  me në krye gjermanët e operacionit “Edelweis” (rreth 3000 vetë) armatosur me topa të kalibrit të lartë, mitraloza, tanke etj. shkatërruan në themele qytetet dhe plaçkitën si barbarë qyetarët…
“16 nandor 1943
Sot, në orën 10.30 paradreke, plasi pushka. Qyteti u sulmue nga të tri anët. Tash lufta zhvillohet e egër dhe sa shkon shtohet furia e saj rritet..
Tash, mbasdreke, anmiqtë filluen me përdorë artileri dhe mortaja të randa. Qëllojnë me përpikmëri. Kuptohet se janë gjermanët ata që gjuajnë me kaq saktësi. Artilerinë e randë e kanë vendosë mbi majat, tej urës së Spiles. Nji predhë e artilerisë anmike tash ra mu në strehën e dritares sime…
…Nji autoblindë, e mbetur prej italianëve, u riparue dhe u nis me krye aksione kundër pozitave anmike.
… Autoblinda nuk mundi me ngadhënjye. Ajo paska shku jashtë qytetit dhe paska ndeshë në pritat e anmikut. Gjithashtu qenka gjuejtë edhe prej artilerisë anmike. Hamdi Lleshi dhe shoferi paskan ra dëshmorë…”
Dibra e Madhe ra nën breshërinë e topave, mortajave, bombave të rreth 3000  forcave gjermane, Ballit Kombëtar dhe të parisë së Dibrës. Me pushtimin e Dibrës së Madhe filloi Operacionin gjermano-ballist i Dimrit  1943-1944…

*                                          *                                *

Nuk do ti kisha cituar këto ngjarje huajtur nga ditari “Shtigjet e Lirisë”, sikur plot 75 vjet më vonë, në Tiranë të mos ishin hapur “dy varre”, njeri në Parkun Kombëtar dhe tjetri në Varrezat e Tufinës. Njeri do të mbulonte eshtrat e Mit’hat Frashërit e tjetri trupin e Zeqi Agollit, njeri kryetar i Ballit Kombëtar dhe tjetri partizan…
Zeqi Agolli iku nga kjo jetë në moshën 93 vjeç. Për të nuk shkroi asnjë gazetë, nuk u dha asnjë lajm në mjetet e komunikimit masiv.
Kryeministri u harrua në bisedat me këdo në facebook.
Ministri Bushati nuk u fol se shkoi për ngushëllim (pa le të lironte hollin e ministrisë për ti bërë homazhe e nderime një diplomati karriere që zor se i afrohet kush).
Mendjen e kishin tek eshtrat e kryetarit të Ballit Kombëtar…
Vetëm një portal, Dibraexpres.com përcolli një shënim në internet, shoqëruar me një fotografi, po nga interneti…
“Zeqi Agolli (shkruante portali) ka lindur në Tiranë më 23 mars 1923, në një familje me tradita patriotike. I ati i tij, Rexhep Agolli, ka mbështetur fuqishëm lëvizjen për pavarësinë e vendit…
 Xhaxhai i tij, Vehbi Dibra (Agolli), është një nga drejtuesit patriotë të vendit. Ai ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngritjen e flamurit të Pavarësisë  më 28 Nëntor 1912 ku u zgjodh Kryetar i Senatit të qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali…
Arsimin fillor dhe të mesëm Zeqi Agolli e kreu në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në degën Histori- Gjeografi, të cilat i ka përfunduar në vitin 1957 me vlerësimin “shkëlqyer”. Është njohës i shkëlqyer i pesë gjuhëve të huaja: italisht, frëngjisht, rumanisht, rusisht dhe anglisht…
Zeqi Agolli është diplomat i shquar, me një përvojë 44-vjeçare në karrierën e tij…
Zeqi Agolli është i shoqi i dramaturges dhe shkrimtares së madhe Drita Agolli, si dhe vëllai i artistes së famshme të Teatrit dhe Kinematografisë sonë Esma Agolli…

*…………………….*…………………………*

Unë e kam njohur Zeqi Agollin në vjeshtë të vitit 1959 kur erdhi në fshatin tim në shoqërim të një delegacioni të huaj. Më tërhoqi pamja e tij, trupi i gjatë e i drejtë, fisnikëria e komunikimi i ëmbël. Më ngeli (edhe sot) në kujtesë zëri i tij melodioz dhe frëngjishtja e rrjedhëshme si në një poezi…
Në vitin 1966-1967 do ta njihsha më nga afër, tash si kolegë pune në bujqësi, ai kryetar i kooperativës bujqësore të Dohoshishtit e unë si përgjegjës sektori në Ndërmarrjen Bujqësore të Dibrës. Nuk erdhi vetëm. Erdhi bashkë me të shoqen Drita Agolli dhe me nënën. La emër në Dohoshisht atyre viteve kur punohej për përmirësimin e jetës në fshat, për daljen në dritë të figurës së gruas dhe vajzës, për shkollimin e të rinjëve dhe të rejave asokohe në dy shkolle të mesme në qytetin e vogël të Peshkopisë, Shkollës së Mesme Pedagogjike dhe Shkollës së Mesme Bujqësore…
Më vonë, sa herë që takoheshim ndjeja ngrohtësinë e një njeriu që dinte të të hynte në zemër e të ulej këmbëkryq në shpirtin tënd…

 

*……………………*…………………….*

 

Por kush është Zeqi Agolli?
Një përgjigje që një libër i tërë, në luftë kundër pushtuesit nazi-fashist dhe shërbëtorëve të tyre, nuk e nxë, mbase edhe dy…
Nga goja e tij le të shkëpusim disa fragmente nga “hyrja në një intervistë”…

“Unë kam lindur në Tiranë në 23 mars 1923. Prejardhjen e hershme e kam nga Dibra. Babai im më ka vdekur shpejt. Ai, së bashku me të vëllanë, Vehbi Dibrën (Agollin), kanë qenë ndër veprimtarët e veçantë në shërbim të Pavarësisë së vendit, ndërkohë që Vehbiu pati edhe post të lartë në qeverinë e parë, e dalë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë.
Është një nga liderët patriotë që në krye të delegacionit të Dibrës, mori pjesë direkt në ngritjen e flamurit tonë kombëtar në Vlorë në 28 Nëntor 1912.
Pikërisht në mbledhjen e parë solemne, ku u ndërtua qeveria e parë e shtetit të ri shqiptar, e cila do të hynte fuqishëm në historinë e vendit, xhaxhai im, i propozuar nga patrioti i madh Luigj Gurakuqi, u zgjodh Kryetar i Senatit të saj dhe gjatë gjithë kohës së qeverisë së Ismail Qemalit ai ka qenë krahu i djathtë i tij. Madje, vlen shumë të përmendet një fakt më se historik, ku tregon më së miri afrimitetin e tyre. Ky fakt ka të bëjë me momentin kur është larguar Ismail Qemali në krye të delegacionit shqiptar për në Londër për të mbrojtur interesat e vendit. Si zëvendës të tij në detyrën e kryeministrit ai nuk la Nikollë Kaçorin, që ishte juridikisht zëvendëskryetar, por ia delegoi kompetencat për të nënshkruar të gjitha aktet e qeverisë në emër të tij, pikërisht Vehbi Dibrës. Ky detaj është dhe në rrëfimin e vetë Ismail Qemalit në botimin e tij…
Ne e kemi pasur babain në gjendje. Ai, kur vdiq në vitin 1934, e la nënën vetëm 34 vjeç, mua 11 vjeç, time motër Esmanë 6 vjeç dhe motrën e vogël Semihanë vetëm 9- muajshe…
Pushtimi i Shqipërisë, mua më gjeti vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç. Megjithatë, nuk e di, por isha i përgatitur psikologjikisht të bëja diçka dhe të mos pranoja në heshtje realitetin e zymtë të Shqipërisë së asaj kohe. Nuk e di as sot se çfarë më bëri aq të vendosur, që në ditët e para kur prisnim me orë pushtimin…
…Unë kam qenë aktiv që në demonstratat e datës 4, 5 dhe 6 prill 1941, kur pritej të hynte ushtarakisht Italia fashiste…
…Ishte pasdreke e datës 6 prill 1939. Nëna ime, Ija, po lante rrobat në pusin e oborrit të shtëpisë. Kur në një moment dëgjojmë zhurmën e skuadriljeve të avionëve ushtarakë italianë që kalonin mbi qiellin tonë. Ija u ngrit në këmbë, ngriti sytë drejt aeroplanëve, përplasi duart në shenjë alarmi dhe me lot në sy thirri me të madhe: “Na iku Shqipëria”. Kur pashë nënën ashtu duke qarë dhe dëgjova fjalët e saj aq të zjarrta për Shqipërinë, m’u rrëqeth trupi dhe nuk munda t’i mbaja lotët. Ky ishte mësimi më i mirë patriotik për atdheun që ma dha nëna ime e shtrenjtë, Ija ime e dashur.
Kam qenë veçse 16 vjeç, por nuk e di, më dukej vetja shumë i burrëruar. Kisha një idealizëm patriotik që më digjte të tërin. Në çdo çast zieja për faktin se si mund një ushtri e huaj të vijë e të bëjë ligjin në shtetin tonë. Ndoshta është ajo mosha adoleshente dhe patriotizmi që karakterizonte fuqishëm djalërinë shqiptare në atë kohë.
Kështu, me gjithë nënën time e kthyem shtëpinë ku banonim në bazë të sigurtë të lëvizjes nacionalçlirimtare.
Në të kanë hyrë që nga Enver Hoxha, Qemal Stafa, Vukvanoviç Tempo me sekretaren e tij që më mbrapa u bë gruaja e tij, Miladin Popoviçi, Vojo Kushi, Gogo Nushi, Nako Spiru, Ramiz Alia, Ali Sina, Ali Zhuri, Galip Hatibi, Skënder Kosturi, Myfaret Dhrami, Jashar Mezelxhiu, Sadik Premtja, Sejfulla Malëshova, Misto Mame, Pirro e Alqi Kondi, Nexhmije Xhuglini, Naxhije Dumi, Liri Gega, Jovan Andoni, Fiqiri Basha etj etj.
Ka qenë një nga bazat kryesore të luftës. Pikërisht në shtëpinë time është zhvilluar Konferenca e Jashtëzakonshme e Partisë Komuniste.
Ka qenë një mbledhje që zgjati plot katër ditë e katër net, pa u ndërprerë që nga momenti kur ilegalët u futën brenda në dhomën e katit të dytë të sajuar për takim të posaçëm. Mbaj mend që punonin me orë të tëra në konferencë, ku dëgjoheshin debate e përplasje. Ishin rreth 15 veta gjithsej…
Zeqiu, djalë i vetëm i  familjes së Rexhep Agollit, vëllai i dy motrave dhe i një nëne dibrane trimëreshë, do të rrëmbente pushkën e do të dilte malit.
Atë do ta shohim trim në betejën e Dibrës së Madhe, partizanin Zeqi Agolli e shokë të tjerë, që përdorin mitralozët e randë të vendosur nalt, nën pullaz, janë flliqë duersh e turinjsh si të ishin farkëtarë. Por ata, në realitet, janë farkëtarë të jetës së re dhe do të mbeten të tillë derisa të realizohet ideali i tyne…”
Përballë kishte Mit’hat Frashërin…
E mundi 75 vjet më parë…

Abdurahim Ashiku

Athinë 25 nëntor 2018

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.