ZBULOHET DIBRA…

0

RA AMERIKA DHE U ZBULUA DIBRA…

Opinion

Po, po u zbulua. Emri i saj kalon zgavrave të gojës, pëlcet bullçinjtë fry si tullumbace, merr arratinë mediave të shkruara e fluturuese, përplaset në foltore kuvendare, ulet pasdarkeve odave pranë sobave prej llamarine skuqur nga zjarri i druve të dushkut këtij dimri të egër…
Aq shumë flitet e bërtitet për të sa gjëma më vjen edhe këtu, njëmijë kilometra larg.
E zbuloi Amerika, Voice of Amerika.
Në Dibër qenka bërë nami…
Janë vjedhë votat…
Me çanta, me torba, me thasë…
Dhe, si për të përligjur këtë nam, gazetat, portalet, televizionet satelitorë kombëtarë… për ilustrim kanë gjetur një “ish” që do kohë më parë ia lëshuan në tokë namuzin me “brekët e grisura” dhe një “është” që paska vjedhur votat, jo me gjerësinë e bisturisë, por me kamionët e qeverisë…
E tha Amerika, e tha Voice of Amerika…
Dhe kur e thotë Ajo e ka thënë Ai, Zoti, Një dhe i vetëm…
Mirë bëri, ani se zëri i saj, i përkthyer në shqip për të thënë “Zëri i prokurorisë”!
Prokurorisë shqiptare, se nuk ka prokurori në botë “shoshë egjre” si e sa  ajo.
Se si i thonë asaj fjalës që fluturon e nuk bie kurrë në tokë…”më mirë nami se sa syri”.
E po Dibrës i plasën të dy, edhe syri edhe nami…
Se syrin ia kishin lidhë e, as shihte as e shihnin…
Dhe më vjen çudi pse tani: Pse vetëm tani qenka vjedhë vota në Dibër?
Vetëm tani dhe kurrë më parë…
Gjithnjë është vjedhë.
Me certifikata të shaptilografuara…
Me dhunë…
Me thasë mielli e kamionë me grurë…
Me…
Më kujtohet një rast i moçëm:
Bëheshin dikur zgjedhjet për Kuvendin Popullor.
Zgjedhje 99.9 për qind…
Ndodhi që në Dovolan të dalë një votë kundër…
U bë nami…
Mbledhje pas mbledhjesh…
Kërkohej tradhtari, rezili, katili…
E hëngrën të deleguarit…
Shqipëria votoi 99.9 për qind për Frontin Demokratik…
Më kujtohen rastet e jetuara si qytetar e si gazetar…
Në votimet e 22 marsit 1992 ndodhi një uri e jashtëzakonshme për certifikata. Formatet e mbaruan në të gjitha zyrat e gjendjes civile. Që të prodhoheshin në shtypshkronja dhe të vinin nga Tirana s’kishte kohë.
Asokohe nxirrja bukën e ditës me një fotokopjues e një shaptilograf.
E gjetëm zgjidhjen…
Një format në kompjuter dhe shaptilografi u shndërrua në shtypshkronjë…
Sa certifikata bëra?
Pa numërim. Me siguri dy herë më shumë se sa kishte votues e gjithë Dibra…
Në votimet e 26 majit 1996 u bë nami…
Kryetari i Partisë Socialiste të Bulqizës u hodh i “vdekur” në një përrua në Ostren. E dhunuan “shtabi elektoral” i Azem Hajdarit që kandidonte për deputet në zonën Gollobordë-Librazhd. Kryetarin “e vdekur” e gjeti një grua. I dha ujë dhe e nisi për në shtëpinë e tij në Shupenzë. Morën vesh që ishte gjallë. Në mesnatë e arrestuan dhe e përplasën në çimenton e ftohtë të burgut të Bulqizës…
Ashtu, të gjakosur e të sakatosur…
Një mik këtu në mërgim më tregon se kishte qenë komisioner në një fshat të Librazhdit. Pa mbaruar votimi, me kutitë plot e përplot, u nisën për në qendër. Rrugës i njoftuan të mos shkonin fare. Fitorja ishte siguruar njëqind për qind. Mushkën së bashku me kutitë e votimit u dha urdhri ta hedhin në humnerë…
Si gazetar kam fiksuar në fotografi kamionët me grurë rifuxhio në njërën nga rrugët e Peshkopisë…
Kam fotografuar një qendër votimi, pa çati, me grupin e gatshëm të PD-së që kishte bllokuar derën e qendrës së votimit…
Fotografova edhe një gjyqtar tek po më ndiqte duke më qëlluar me gurë…
Për të më ndjekur më pas me ultimatumin “O mbyll gojën ose do të rrëmbejmë fëmijët”. Dhe provuan ta bëjnë…
Unë ika. Fjala e lirë kishte vdek. Demokracia ishte shndërruar në dhunokraci…
Unë u detyrova të marr rrugën për në “Janinë”…
Këtu jam tash 23 vjet…
Votën në kuti e kam lëshuar, për herë të fundit, më 26 maj 1996…
Kryqi në listat e votuesve thotë se kam votuar sa herë ka pas zgjedhje…
Dibrës ia nxinë fytyrën me do “brekë të grisura”, që tash po i shoh të tunden në “shtatë ballë”, tej Atlantikut…
Dibrës po ia grumbullojnë mbi shpinë tërë mëkatet e këtyre viteve vjedhje zgjedhjesh, krimesh, korrupsioni…
Nuk e mohoj nga sa i kam jetuar me dhimbje në palcë e nga sa dëgjoj. Edhe Dibra ka pjesën e vet në mbrapshtinë që ec pa u ndalë Shqipëria…
Pjesën e mizës dhe jo të luanit…
Por jo kaq sa thërritet e bërtitet duke u çarë bulçish deri përtej Atlantikut.
Dibra ka qenë shembull i punës, i njerëzve heronj të paepur në ndërtimin e Shqipërisë. Nuk ka oxhak të fabrikave e uzinave të vendit ku mos ketë rrjedhë djersa e dibranit. Nuk ka tunel të veprave hidroenergjetike që nuk është çarë nga vrulli i dibranëve.
Një historian i huaj thoshte se në qoftë se digjet Stambolli Dibra e ngre në këmbë mbi themele të reja. Por, shton ai, në qoftë se digjet Dibra Stambolli nuk i hedh sytë.
Dibra ka halle të mëdha, halle që duhen lexuar edhe tej Atlantikut.
Vota është mall belik i hedhur në rrugë për ta vjedhë…
Nuk është “vjedhje dibrane” as “shqiptare”, është  botërore, madje edhe Amerikane…

Abdurahim Ashiku

Gazetar Athinë

3 shkurt 2019



Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.