U’ JAM ARVANITAS

0

“UNË JAM ARVANITAS”: PRESIDENTI META SHTRIN NISMËN E MADHE EDHE NË GREQI

Nga i dërguari i posaçëm i “Gojët e liga”

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij “U’ jam Arvanitas”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vizitoi fshatin Leontari në rajonin e Thivas, ku u prit ngrohtësisht nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arvanit dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Fshatit Leontari e falënderoi Presidentin Meta për vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm të treguar ndaj komunitetit arvanitas, si dhe vlerësoi nismën “U’ jam Arvanitas”.
Pas takimeve me banorët e shumtë që kishin dalë për ta pritur, Kreu i Shtetit mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arvanite dhe Shqipërisë”.
Më poshtë po japin fjalën e plotë e Presidentit Meta në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve Arvanite dhe Shqipërisë”
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu në Leontari fshatin e lindjes së autorit të librit “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit”, “Gjuha e perëndive” ideatorin e shtëpisë botuese “Thamiris” (Tha mirë) dhe revistës “Arvanon”, njeriun që si askush tjetër doli hapur në median greke dhe mbrojti luftën e madhe heroike të UÇK-së dhe të Kosovës, që e jetoi dhe e përshëndeti me gjithë shpirt fitoren e madhe kosovare për liri dhe pavarësi.
Ne u jemi shumë mirënjohës arvanitasve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ne nuk e harrojmë investimin e jashtëzakonshëm që bënë personalitetet e mëdha të botës Arvanite në revolucion grek, trimërinë e gjeneralëve popullor arvanitas si Xhavella, Kolokotroni, Miauli, Boçari, Karaiskaqi, Andrucio, Kundurioti,  trimëreshës legjendare Bubulina etj.  për të frymëzuar popullin shqiptar, të shtypur për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për t’u ringritur për pavarësinë e Shqipërisë. E them me bindje dhe ndërgjegje të plotë institucionale, politike e kulturore që ne e kemi shtetin tonë në radhë të parë edhe falë atij kontributi historik të arvanitasve të Greqisë.
Kjo është arsyeja përse duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje ruajtjes së kulturës arvanitase, sepse globalizimi është një kërcënim serioz për minorancat kulturore, apo për popujt dhe vendet modeste.
Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë bregdetin e Peloponezit, Thivasit, Eubesë, ishullit të Androsit etj. si dhe në komunat arvanite, ka një tendencë të të rinjve për t’u larguar drejt vendeve më të zhvilluara. Ndaj është me rëndësi që t’i kushtojmë më shumë vëmendje përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së minorancave. Sepse gjuha dhe kisha e ruajtën këtë trashëgimi për shekuj dhe tani është koha që gjuha arvanitase të mos rrezikohet të shuhet.

Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e shtetit grek për kujdesin dhe angazhimin e tyre për ta zbatuar sa më mirë në praktikë legjislacionin shumë të avancuar sa i takon mbrojtjes dhe ruajtjes së gjuhës e kulturës së minorancave. Nëse në 5 shekuj  ruajtën identitetin, kjo është meritë jo vetëm e karakterit të tyre, por një meritë të jashtëzakonshme ka edhe populli grek. Nga nivelet më të larta deri në ato lokale në Greqi kam konstatuar se ka vullnet dhe ndërgjegjësim që trashëgimia kulturore arvanite është një pasuri e përbashkët e Greqisë dhe e Shqipërisë.
Është shumë e rëndësishme të shtojmë të gjitha shkëmbimet dhe të institucionalizojmë bashkëpunime sa më të dobishme. Së fundmi unë vizitova Eubenë, dhe jemi duke punuar për një Protokoll Bashkëpunimi me qeverinë rajonale, për të realizuar në të ardhmen një bashkëpunim në të gjitha fushat me këtë rajon. Jo vetëm në mbrojtje të kulturës dhe identitetit arvanitas, por edhe për ta shfrytëzuar atë për një rritje të marrëdhënieve ekonomiko-kulturore.
Kemi realizuar binjakëzime dhe kemi iniciuar shumë binjakëzime të tjera mes bashkive tona dhe atyre arvanite. Këto lidhje të drejtpërdrejta, do të rrisin ndjeshëm të gjitha shkëmbimet e përgjithshme.
Jemi gjithashtu të lumtur që në kohët e sotme, nuk ka vetëm shqiptarë në Greqi, por kemi edhe një minoritet grek që po rritet në Shqipëri.
Tani nevojitet një nivel i ri i marrëdhënieve me Thivan, sepse unë besoj se kemi ende një potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona. Fakti që kemi kaq shumë lidhje, por edhe kaq shumë shkëmbime ekonomiko-tregtare, e bën edhe më interaktive një strategji më konkrete të forcimit të bashkëpunimit .
UNë këtë drejtim universitetet mund të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm. Unë kam shumë besim se përpjekja jonë e përbashkët e cila nga Leontari merr një dimension të ri për shkak edhe të memorandumit të mirëkuptimit që do të firmoset midis Kryetarëve të Bashkive do t’i japë një përkrahje më të fortë përkatësisë, krenarisë dhe kulturës arvanite, por njëkohësisht bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.
Shqipëria ka vetëm një të ardhme, kjo e ardhme është në Europë. Identitetin dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë e ka përcaktuar Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu!
Këtë identitet dhe këtë rrugëtim evropian të kombit tonë e kanë ruajtur të paprekur në radhë të parë arvanitët.
Përfitoj nga rasti që pikërisht në fshatin e Lindjes ti dorëzoj familjes dekoratën e lartë “Nder i Kombit” Aristidh Kolës së madh arvanitas
Faleminderit edhe një herë!”

DURIM PAKU

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.