Tiranë : Gjyqtarja e Shkodrës , Fildes Hafizi vritet nga ish-bashkëshorti

4

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të enjte Tiranën,ku gjyqtarja 39-vjeçare Fildes Hafizi është vrarë me armë zjarri nga ish bashkëshorti 53-vjeçari Fadil Kasemi.

Vrasja u regjistrua në zonën e Xhamllikut, ku 39-vjeçarja ndodhej në makinën e saj tip Benz teksa ish bashkëshorti ka qëlluar me 2 plumba drejt saj duke e lënë të vdekur.

Mësohet se Hafizi sapo ishte emëruar në Gjykatën Administrative në Shkodër.  Autori  53-vjeçar i identifikuar si Fadil Kasemi u vetdorëzua në polici.

Mësohet se Kasemi prej orësh e ka pritur ish-bashkëshorten për të finalizuar më pas edhe aktin e  tij kriminal. Të shumtë ishin qytetarët në zonën e Xhamllikut të cilët u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Vrasja e gjyqtares Hafizi do të hetohet nga Krimet e Rënda. Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare. Fadil Kasemi rrezikon burg përjetë, ndërsa pas arrestimit pranoi krimin.

Zbardhet dëshmia e burrit: E vrava, pasi s’më linte të takoja fëmijët
Pas vrasjes së ish-gruas, Report Tv zbardh dëshminë e parë në polici të Fadil Kasemit. Para grupit hetimor ai është shprehur se prej vitesh kishte konflikte, pasi gruaja nuk e linte që të takonte fëmijët.

Fadil Kasemi pranon se e ka vrarë me koshiencë të plotë. “Kisha konflikt prej vitesh, pasi nuk më linte asnjëherë të takoja djalin dhe vajzën.

Unë e vrava me koshiencë. E pranoj krimin. Edhe kur isha ne burg nuk m’i sillte fëmijët” ka deklaruar ai.

Aministia liroi para 8 muajsh vrasësin e gjyqtares
Kasemi mësohet se kishte 8 muaj  që kishte dalë nga burgu pasi ka qenë i dënuar me 4 vite për veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe “Armëmbajtje pa leje’.

Por ai ka dalë nga burgu në 14 janar 2017 duke përfituar nga amnistia. Kasemi u dënua me vendim të Gjykatës së Kavajës më 28 prill 2016, ndërsa vendimi mban numrin 664.

Kasemi është dënuar nga gjyqtarët Luan Lusha, Eda Kaja dhe Markeljan Koco me 4 vite e 6 muaj burg ndërsa në aplikim të gjykimit të shkurtuar ai është dënuar përfundimisht me 3 vite burg.

ReportTv ka mësuar se Kasemi ka dalë vetëm 8 muaj më parë nga qelia dhe pasi ka shlyer vitet e burgut i është rikthyer sërish planit për të ekzekutuar ish gruan e tij gjyqtare.

Mësohet se gjyqtarja kishte kërkuar urdhër mbrojtje dhe kishte shprehur frikë nga ajo se çfarë mund të ndodhte.

Por historia e tyre ka nisur dy vite më parë , pasi kjo ishte tentativa e dytë që 53-vjeçari tentonte të vriste ish bashkëshorten me të cilën kishte 2 fëmijë, nje djale dhe nje vajze.

Para 2 vitesh Kasemi tentoi  të vriste bashkëshorten

Fadil Kasemi para dy vitesh ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij në 20 korrik të vitit 2015, ku në plazhin e Golemit me armë në dorë ka dhunuar bashkëshorten e tij.

Ka qenë ndërhyrja e djalit të vogël dhe e pushuesve ajo që i ka shpëtuar jetën  Fildeze Hafizit.

Në këtë ngjarje ku gjyqtarja ndodhej në plazh me dy fëmijët e saj djalin dhe vajzën, në një moment ish bashkëshorti me të cilin ishte divorcuar në 20 maj 2015 i është afruar.

Gjatë arrestimit të tij nga policia në Korrik të 2015, Kasemi nuk ka kundërshtuar uniformat blu dhe ka rezultuar se ishte i dehur me 0.2 % alkol sipas testit.

Në këtë ngjarje ai është ndalaur nga vetë gjyqtarja dhe djali i tyre dhe pasi ata i kanë marrë cantën ku ndodhej arma, ai ka dhunuar fizikisht Fildesin duke e qëlluar me grushte ndërsa gjyqtarja ka shkruar në brendësi të hotelit duke kërkuar ndihmë me fjalët ‘Po më vret, po më vret”.

Zbardhet vendimin,si u dënua Kasemi në vitin 2016
Fadil Kasemi u dënua nga gjykata më datë 28 prill 2016, për tentativën e parë të vrasjes së ish bashkëshortes.

Ai u akuzua për veprat penale ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Dhunë në familje’.

Si u zhvillua ngjarja në plazhin e Golemit në 2015
I ka drejtuar pistoletën ish-gruas për ta vrarë në prani të djalit të tyre të mitur dhe të pushuesve që ndodheshin në çadra në plazhin e Golemit, por fatmirësisht krimi është parandaluar nga qytetaret te cilet i kane marre armen nga dora.

I ndërgjegjshëm që nuk duhej t’i afrohej ish-bashkëshortes së tij për të cilën pas divorcit Gjykata e Tiranës kishte lëshuar urdhër mbrojtje, 51-vjeçari Fadil Kasemi ka shkuar në plazhin e Golemit ku ish-gruaja e tij 31-vjeçare me inicialet F.H pushonte me djalin, dhe ka nisur të debatojë ashpër me të.

Një dëshmitare nga vendi i ngjarjes ka rrëfyer për Report TV se situata mes dy ish-bashkëshortëve nga Tirana u nxeh deri aty sa Kasemi e ka goditur disa herë me grushte në fytyrë ish-gruan e tij. Pas kësaj ai ka nxjerrë pistoletën nga një çantë që mbante në dorë duke kërcënuar të vrasë 31-vjeçaren.

Dëshmitarët thanë se gruaja i është lutur disa herë ish-bashkëshortit të mos e bëjë një veprim të tillë, ndërsa edhe djali i vogël gjatë gjithë kohës bërtiste: Babi të lutem mos e bëj.

Në këtë moment kanë ndërhyrë disa pushues, të cilët i kanë marrë armën nga dora Fadil Kasemit dhe e kanë mbajtur nën kontroll deri sa kanë ardhur forcat e policisë, pasi posta e forcave të rendit ndodhet shumë afër.

Por cila është karriera e gjyqtares Hafizi?

Hafizi me mbarimin e magjistraturës ka kryer stazhin pranë Gjykatës së Tiranës.

Ndërsa pak muaj më parë ishte emëruar gjyqtare pranë Gjykatës Administrative në Shkodër.

Hafizi pritej që ditën e nesërme të rikthehej në punë pranë Gjykatës Administrative për të vazhduar detyrën dhe gjykimet e çështjeve që kishte nisur.

Reagon MD: Autoritetet të mbajnë përgjegjësi

Lidhur me vrasjen e gjyqtares nga ish bashkëshorti ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë e cila  i shpreh ngushëllime familjes dhe kërkon dënimin maksimal ndaj autorit të ngjarjes.

Në njoftimin për mediat ministria e cilëson vrasjen një këmbanë alarmi për shoqërinë shqiptare.

Ajo thekson se mbrojtja e saj ka qënë detyrim për autoritetet përgjegjëse dhe se përgjegjësit  duhet të mbajnë përgjegjësi për mosveprim

Share.

About Author