Të dallosh ambicjen nga përçartja

0

Nga Bajram Peçi

“Të thyen xhama, të çahen goma…”, duket të jetë si thirrje e ndonjë maniaku, e ndonjë skicofreni, nga ata që gjallojnë të shumuar mes nesh ose si një histori filmash me luftë guerile, ku armikut pushtues i duhet bërë dëm me të gjitha mjetet.

Por, është një histori shqiptarësh, tipike do thoshnin pesimistët që përmendin pareshtur se “ky vend nuk bëhet”, që përfaqësojnë një komunitet të marrë peng, të bindur se do jenë pjesë e një revolucioni që do hyjë në analet e historisë.

Thirrja e lëshuar me ton të lartë, që të kumbonte sa më rebeluese, ishte e para në vargun agresiv të sjelljeve. Më tej u pasua nga sulme të egra ndaj jetës së kryeministrit dhe dhunë fjalësh, që paralajmëronte dëshirën për destabilizim të situatës. Shija e hidhur e kësaj thirrjeje të lëshuar nga një çadër e projektuar sapo filloi hetimi i privatizimit të CEZ, shënoi gjithashtu dhe cënimin e procesit zgjedhor. “Të thyhen xhama, të çahen goma…” vjen si kushtrim jo nga ndonjë ushtarak me uniformë, të cilit i shkon për shtat një situatë përballë armikut, por nga një djalosh i veshur këndshëm me petka të hijshëme, që mbahet me kujdes të tepruar dhe natyrisht, i shëndetshëm.

Pavarësisht nga ç’vlera mbartej, ai është i caktuar nga dirigjenti i dhunës, S.Berisha, të jetë kryetar i një partie që alternon të jetë herë në pushtet e herë në opozitë. E parë si çartje në formën dramë dhe komedi, loja për pushtetin ku janë në valle, në dëshpërimin që sjellin llogaritë, u la mënjanë etika dhe u krijua kjo krizë me dy fytyra:

Si version i dramës
Në vëndet ku gjallojnë parti të shthurrura pushteti mund të merret me më shumë se një mundësi. Në vëndet ku vepron demokracia mund të merret vetëm me një mundësi, përmes zgjedhjeve. Në rrethanat kur PD kërkon me të drejtë që ato të jenë të lira e të ndershme, PS i afron gjithë strukturën e superstrukturën e kontrollit zgjedhor. Por jo, oferta duhet shoqëruar patjetër me dorëheqjen e kryeministrit! Ai s’pranon të shkelet kushtetuta dhe ata kanë vendosur (siç thonë) t’i heqin me forcë nga zyrat. S.Berisha dhe L.Basha po bëjnë të duket se kjo është e afërt, se do ndodhte, se është pjesë e një “plani të madh”. Shpallin 13 majin si ditën e kataklizmës.

Dy janë armët mediatike që përdor Partia Demokratike për ngjeshjen e rreshtave luftarakë: Së pari, dhuna ndaj Partisë Socialiste drejtohet kundër tyre sepse “ata janë trashëgimtarë të regjimit gjakatar të komunizmit”; së dyti, se “…ata e urrejnë veriun, gegërinë, më së shumti urrejnë Shkodrën” e bla-bla-bla. Të dyja janë stisje nga S.Berisha, të përdoruara e lakuara deri në inflacion prej tij, duke e ditur shumë mirë se përmes këtyre armëve të helmëta, thellimin e dallimeve, ai orvatet të përçajë të qenit të bashkuar të kombit. Berisha, ndryshe nga çdo mendonte një intelektual me ekuilibër mendor, e përfytyron shpirtin njerëzor të krahinorëve të tij jo të paisur me vullnet të lirë nga klani, nga fisi, por i lidh sjelljet e mbështetësve si forma që përngjasin me natyrën fizike mesjetare, që u nënshtrohet ligjeve të brendshme të krahinës kanunore. Zhvillimin me kahje populizmin e spikatur Berisha e ka për zemër, e paraqet herë si armë force, herë si kërcënim. Kështu ka vepruar edhe kur ka qenë në pushtet, ndërsa në opozitë, populizmin e përdori në organizimin e grushtit famëkeq të shtetit në shtator të vitit 1998.

Është qesharake të mund të mendosh që do kishte dhunë në Kavajë, shkruan një opinionist i njohur!? Mbase mund të jetë dhe kështu, por nuk duhet patur besë se në 13 maj, nën justifikimin se “policia provokoi protestuesit” të mos cënohet e dhunohet prona shtetërore “që u kanë lënë baballarët Ram e Xhelal” organizatorëve të protestës. “Mbillni një sjellje dhe do të korrni një zakon”, shkruante Margaret Theçer në kujtimet e saj. I shkon kjo më së miri Berishës. Ka përvojë, ka dhe mbështetës që nuk dinë për çfarë protestojnë. Nuk kanë thënë kot se duhet t’ja kesh frikën njerëzve që kanë lexuar vetëm një libër!

Instiktet për mbijetesë, në rrethanat e krijuara pas përcaktimeve ligjore për pastrimin e drejtësisë, i nxitën të ndërtojnë një strategji dhune, ndaj i zhvendosën veprimet nga çadra te revolta me shfaqje të forcës, pjellë kjo e një mendjeje që shpreson se përmes dhunës të ashtuquajtur “revolucion” ka ende shpresa për shpëtim. Goditja do jepej në Kavajë. Nga ky moment ska më asnjë kuptim shpjegimi “Marrëdhënje mes kundërshtarësh”. Armiqësia tashmë shfaqet haptas, së bashku me mohimin e bashkëbisedimeve.
Mosbesimi te institucionet e dobëta demokratike (që ndërtuan vetë), tipar ky i vendeve me demokraci të pazhvilluar dhe përçmimi ndaj tyre, solli shqetësimin humanitar të demokracive europiane dhe amerikane. Këta vëzhgues, dashamirës të vendit tonë, edhe këtë herë ngushtuan distancën nga ndiqnin zhvillimet, dolën nga oborri i pasëm dhe së fundi hynë në oborrin  ku zhvillohej zënka për të ndihmuar reformën në drejtësi. Duhet t’ju kujtohet, i nderuar lexues, se si ndërkombëtarët i përzunë si minj në shtatorin e ’98-tës nga institucionet e pushtuara, me gabimin e madh që po i kushton ende Shqipërisë, që nuk lejuan dhe penguan që mbi organizatorët të binte pesha e ligjit.

Si version i komedisë
“Jeni jashtë ligjit, jeni jashtë moralit…”, do t’ju bëjmë këtë e atë, “…në protestën paqësore”, i thuhet pozitës. Këto deklarime ambicjoze kanë brënda tyre edhe seriozitetin edhe shakanë. Të dish të kalosh nga serioziteti në shaka kërkohet më shumë talent nga sa mendon Basha, por dihet se edhe shakaja i shërben përcjelljes së të vërtetës. Mbase edhe në këtë krizë opozita shpreson të kthehen te receta proteksioniste ndërkombëtare, t’i dorëzohen vullnetit të ndërkombëtarve, që për hir të stabilitetit të cënohet demokracia. Te këta ndërkombëtarë, europianë dhe amerikanë, Basha ka parë këto dy muajt e fundit të dehur nga avujt e hashashit, të korruptuar e që rrinë në shoqërinë e krimit (në restorantet që ai i ka parë) dhe të blerë nga droga e Edi Ramës. Sa komike, por dhe e turpshme! Si të tillë ata nuk duhen dëgjuar, s’janë të besueshëm, kanë rënë pre e lobimit të Edi Ramës. Më qesharak se kaq kryetari dhe ishi i PD-së s’mund të paraqiteshin.

Ata janë bërë të paturpshëm në deklarata dhe dhunën verbale. Nga njëra anë kjo është gjë e mirë për Partinë Socialiste sepse populli i ka urryer e do i urrejë ata që orvaten të prishin paqen sociale, sidomos këtyre që ua ka parë gjëmën, nga ana tjetër është diçka për të ardhur keq sepse Europa do të të shohë edhe më larg nga ç’të sheh tani, me këtë nivel të mjerë demokracie që demonstron opozita. Frika se mos bandat permanente që PD ka patur pranë do hidhen fizikisht kundër forcave të rendit ose institucioneve dhe turpi që ndjejmë se kemi ende të tilla forca politike që gëzohen duke sjellë pasiguri e pështjellim, nxit dhe anën e vet komike.

Meqë gjërat po shkojnë ashtu siç po shkojnë, zgjedhje pa opozitën dhe mungesë bashkëbisedimi për të çuar në një mirëkuptim, duke parë se Presidenti disa herë u orvat t’i fusë në hullinë e një ambienti më intim se duartrokitjet e “të radhës” në çadër, për ngërçin zgjedhor dhe ato dështuan, popullit veçse i treguan se janë armiq të betuar. Kanë ardhur kohë të këqija të provokuara nga kriza pd-iste, frika e vetting-ut, frika se do humbin kontrollin mbi organet e drejtësisë.

Urrejtja ka mbërritur caqet fundore. Armiqësia buron nga fakti se Edi Rama zotëron një pushtet, atë ekzekutiv, që e mëton Lulzim Basha. Jo vetëm kjo, por dhe se ai kërkon t’u hapë dosjet që përbëjnë vepra penale për atë vetë dhe Berishën e pjellën e tij. Në Francën e shek.XIX armiqësia zgjidhej përmes një dorashke të zezë e cila, kur nuk i hidhej në fytyrë, i përplasej te këmbët, çka do të thoshte se duhej të zgjidhje për të nesërmen armët, vendin e duelit dhe dëshmitarin. Kështu zgjidheshin, në mënyrë kalorsiake armiqësitë dhe nuk rendnin të gjenin tritol e antitanke për të sulmuar bashkinë apo kryeministrinë. Larja e hesapeve mes vedit nuk përfshinte kënd nga populli, përpos dëshmitarëve. Populli lihej i qetë. E shumta, në ndonjë fshat, ndonjërit i ngrihej ndonjë vjershë apo baladë mbrëmjesh që recitoheshin përmes avujve të verës.

Francezët, erdhi një ditë që i shndërruan ne festa duelet. Në tregimin e Mark Tuein, “Dueli francez i kohëve të fundit”, i vetmi i dëmtuar ishte dëshmitari, që u shkel me këmbë nga turma e entuziazmuar. Ah, kohë franceze që s’ktheheni më! Gjithsesi vlejnë për t’i dëgjuar se mbase mund të shërbejnë që qeveria t’i lërë të qetë forcat e rendit dhe Sala të lërë rehat në punën  e tyre miqtë e mi të shumtë tropojanë e kuksianë.

Njerëzit nuk duan moral
Të qenit një vend që prodhon pak mallra, zhvillimi i kufizuar industrial (pas shkatërrimit të asaj që patëm), nuk do të mund të afrojë për një kohë të gjatë mundësi pune të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e një popullsie urbane me një rritje kaq të shpejtë. Si PS ashtu dhe PD i kanë të pasinqerta premtimet elektorale për hapje vënde pune, kur se kanë idenë se ç’fronte prodhimi do hapen. Migracioni shqiptar marramendës nga fshati në qytet ka krijuar kontigjente të papunësh që do e shoqërojnë Shqipërinë nga pas një kohë të gjatë.

Shpresa, përpos punësimit në një Europë ku jemi pjesë e saj, është një Shqipëri e qendrueshme, ndaj morali fallco i një republike imagjinare që do lindë nga këta kapadaij, nuk ka nerva njeri t’i dëgjojë. Në vend të moralit njerëzve jepu besim, jepu shpresë për të ardhmen, siguroju harmoni marrëdhënjesh, pa qenë nevoja të mbartësh për t’i ngopur moralin e një republikë të ngjashme me “Ishullin e Utopisë” të Tomas Mur.

Po qe se s’je i zoti t’i bësh këto, hesht! Bojkotimi i zgjedhjeve, thirrjet për dhunë, kërcënimet, prishja e paqes sociale, nuk kanë asnjë lidhje me shpresën, besimin për të ardhmen e sidomos harmoninë. Ambicjen tënde për zyrën e kryeministrit mund ta bësh realitet kur të shkëputesh nga përçartja. Lulëzim Basha, shtiresh si trim por je qesharak!

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.