Tahiri kishte shansin ‘ti fuste të gjithë në krizë, opozitën duke e lënë pa argumente dhe pa mbrojtje pas disa muajsh

0

Nga Mero Baze

I gjendur mes presionit ndërkombëtar dhe luftës së pistë politike brenda vendit, Edi Rama zgjodhi t’i heqë Saimir Tahirit pushtetin politik, dhe ta mbrojë atë nga goditja politike e arrestimit, deri në fund të hetimit.

Fjalimi brilant i Edi Ramës, dhe argumentimi politik dhe emocional I këtij vendimi, natyrisht janë një biografi e re në ballafaqimin e drejtësisë me politikën në Shqipëri. AI po përdor një të drejtë kushtetuese, për të shmangur përdorimn politik të procesit, ndërsa më 21 Janar 2011, Sali Berisha ka shkelur kushtetutën, duke mos I dorzuar policisë gjashtë të akuzuarit për vrasje, të cilët nuk kishin imunitet. Ai nuk bënte betejë me prokurorinë, por thjeshtë policia nuk I bindej urdhërit të prokurorisë. Ndryshimi është thelbësor pasi nuk ka të bëj me vullentin politik, por me shkeljen ose jo të Kushtetutës.
Më parë se 21 Janari, Lulzim Basha ka përdorur afatet kohore për të mbyllur gjyqin ndaj tij, ndërsa Fatmir Mediu ka përdorur rimarrjen e imunitetit si deputet.

Rasti i Saimir Tahirit, është i ngjashëm me rastin e Genc Rulit dhe Rexhep Ukës, që në vitin 1995, kur parlamenti i mbrojti për të mos u dënuar me burg, në një aferë që po ashtu vinte më shumë erë politikë se sa korrupsion. Politikisht, jam i bindur se Tahiri nëse do të zgjidhte mes zhveshjes nga funksionet politike dhe partiake, apo burgsojes poltike të tij do të zgjidhte të dytën. Një politikan, që ndjehet i sigurt e ka më të lehtë të përballet me burgun dhe ta fitoj betejën, se sa të ndërpresë karrierën politike për t’i shpëtuar një burgosje të padrejtë.

Në këtë pikë vendimi I Edi Ramës është më i keqi i mundshëm kundër Saimir Tahirit, pasi duket sikur i siguron qetësinë familjes së tij dhe vetë Tahirit nga një goditje e padrejtë politike, por nga ana tjetër e zhvesh atë nga çdo përgjegjësi politike dhe parlamentare në emër të Parisë Socialiste.
Por nga ana tjetër, ky vendim do të debatohet gjatë dhe do të ridal në skenë disa herë në historinë e Shqipërisë, pasi prej sot ka nisur procesi i Vetingut, dhe Saimir Tahiri nuk do të jetë as i pari dhe as I fundit parlamentar apo zyrtar i lartë që mund të rrezikohet me përballjen e ndëshkimit dhe përdorimin politik.

Përballë këtij rreziku do të gjenden prokurorë, gjykatës, politikanë dhe zyrtarë të lartë, të cilët mund të kenë probleme me ligjin dhe tani e tutje do të kujtojmë gjithnjë këtë precedent.

Saimir Tahiri do t’i shërbej më shumë opozitës si i mbrojtur politikisht nga burgosja, se sa nëse do t’i dorëzohej qelisë së burgut si i ndëshkuar politik. Nëse Tahiri duhet të shkonte në burg, siç unë mendoj se vet Tahiri do të zgjidhte mes dy opsioneve që ka pasur Edi Rama, opozita duhet të ishte më e frikësuar, pasi e njëjta gjë mund të ndodh shpesh në të ardhmen, në një vend, ku politikën nga drejtësia, e ke të vështrë ti ndash me thikë. Tahiri kishte shansin ‘ti fuste të gjithë në krizë, opozitën duke e lënë pa argumente dhe pa mbrojtje pas disa muajsh, Edi Ramën duke e vënë në pozitë të vështirë brenda partisë para mbështëtësve të tij, dhe ata që kanë fabrikuar dosjen. Por ai nuk i mori vet vendimet në këtë histori dhe kur të tjerët vendosin për ty, natyrisht ka një kosto.

Kështu që sot opozita duhet të zgjedhë nëse po vajton fatin e saj apo vajton fatin e Saimirit. Ai do të jetë një njeri i lirë, por i vdekur politikisht, siç nuk do të dëshironte. Burgosja politike atë natyrisht do ta heroizonte dhe do ta forconte politikisht, kur pas disa kohësh të merrte lirinë. Por nuk jam e sigurt se opozita do të ishte e lumtur për këtë. Opozita është e lumtur që Edi Rama u ka dhënë shkak të flasin, por nuk u ka dhënë shkak, të frikësohen. Ndaj dhe nuk pushojnë.

Share.

About Author

Leave A Reply