STUDENTËT KOMISIONERË TË ZGJEDHJEVE TË 18 QERSHORIT

0

Mendim

Po cilët janë këta njerëz të lirë, të përkushtuar në nder e dinjitet që do ti japin fund kaosit zgjedhor në Shqipëri?
Janë studentët, brezi i ri që lindi dhe u rrit në këto vite demokraci, të rinjtë dhe të rejat që vazhdojnë studimet për juristë në radhë të parë por edhe për profesione të tjerë të sferës shoqërore.

 

Kam një jetë të dytë në Greqi ashtu siç kanë edhe bashkatdhetarët e mi nga lind e perëndon dielli në ciklin njëzet e katërorësh të lëvizjes.
Në vështrimin e gazetarit më ka bërë përshtypje se asnjëherë nuk ka pas kontestim të zgjedhjeve, nuk ka pas asnjë ankesë as nga partitë e mëdha politike dhe as nga të voglat.
Në të njëjtën hapësirë kohore në vendin tim kontestimet kanë qenë deri në dhunë (demonstrata e socialistëve më 28 maj 1996 në sheshin Skënderbe ku gjaku rrodhi krua nën syrin e kamerave televizive e fotografike), ngujime në çadra në kërkim të “hapjes së kutive” dhe të tjera e të tjera që nuk numërohen.
Në Greqi votat i numëron ministria e brendshme e shtetit gjë që po të hidhet në diskutim në Shqipëri do të shpërthenin jo debate të mëdha por edhe kacafytje partiake.
Ministria e brendshme i numëron nën vëzhgimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve detyra e të cilëve është të kontrollojnë imtësisht ligjshmërinë.
Edhe kjo në Shqipëri do të anatemohej për shkak të psikologjisë tashmë të çimentuar fort të korrupsionit për ta.
Në gjithë këto vite, para, gjatë e pas zgjedhjeve në Greqi nuk kam parë anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor (nuk e di në se ka apo jo) që të mblidhen, thërrasin e bërtasin për anomali e kontestime.
Zgjedhjet në Greqi i janë besuar në dekada një institucioni që deri tani nuk ka rrëshqitur në anësi partiake dhe vazhdon të jetë i besueshëm për të gjithë.
Fola për Greqinë me dëshirën që lexuesi i këtyre radhëve, mërgimtar shqiptar në botë, të sjellë shembuj nga Italia, Franca, Anglia, Gjermania, Suedia etj. ku jam i sigurt se votimet dhe procesi i votimeve ka të njëjtën fytyrë demokratike dhe sherret para e pas zgjedhore për komisione e pjesëmarrje, për hatër mbetje se nuk janë caktuar komisionarë apo vëzhgues janë “përrallë nga e kaluara”.
Në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” bërtitet deri në kupë të qiellit për “zgjedhje të lira e të ndershme”, “qeveri teknike” e bërtitur kjo tashmë e njohur në tërë vitet e demokracisë.
Nuk do të hapja kllapa e të tregoja me kujtesën dhe përvojën e gazetarit për 26 majin 1996 kur kutitë e votimit u mbushën aq shumë sa numëruesit (kur ndodhi të bëhet ndonjë numërim) deklaronin jo 99.99 për qind por 120 për qind pjesëmarrje e vota për partinë demokratike. Nuk do të hapja as për zgjedhje të tjera të dhunuara e manipuluara. Janë të njohura…
Zgjedhjet e lira janë dhe do të jenë të LIRA kur partitë politike në qendrat e votimit, në komisionet  zonale, bashkiake, qarkore, qendrore, vëzhgusore të mos jenë të pranishme fare, kur kjo gjë do ti besohet qytetarit të lirë, shoqërisë së lirë, rinisë së lirë.
Por a ka një shoqëri të tillë të lirë që mund e duhet ti besohet procesi zgjedhor në Shqipëri.
Mendoj që ka ose mund të krijohet me besim tek ata.
Po cilët janë këta njerëz të lirë, të përkushtuar në nder e dinjitet që do ti japin fund kaosit zgjedhor në Shqipëri?
Unë mendoj se janë studentët, brezi i ri që lindi dhe u rrit në këto vite demokraci, të rinjtë dhe të rejat që vazhdojnë studimet për juristë në radhë të parë por edhe për profesione të tjerë të sferës shoqërore.
Studentët e juridikut duhet të jenë komisionarë, numërues dhe deklarues të votimeve në Shqipëri. Ata duhet të jenë pjesë njëqind për qind e komisioneve zgjedhore nga qendra e votimit e deri në komisionin qendror të zgjedhjeve (mbase ky për momentin të mbetet “partiak” si relikte e së kaluarës për tu shkrirë e shndërruar në një model perëndimor demokratik certifikimi zgjedhor dhe mandatime).
Nuk e di sa është numri i studentëve të juridikut në të gjithë Shqipërinë dhe në se ata janë të mjaftueshëm për të plotësuar të gjithë strukturën zgjedhore. Në qoftë se, jo atëherë mund të merren edhe studentët e ekonomikut, filologjisë e të tjera degëve universitare.
Studentët në këtë proces do të jenë në vëzhgim universitar të rektoratit dhe pedagogëve, do të marrin “notë” për lëndën “votime”, lëndë e cila gjykoj që mund e duhet të futet në programin universitar si trajnim profesional duke i dhënë fund “trajnimeve dy-tre ditore” më këmbë që bëhen deri sot.
Për mendimin tim hedhja e vështrimit dhe formimi i besimit në brezin e ri, tek të rinjtë dhe të rejat studentë, formimi i një strukture zgjedhore bazuar pikërisht me këtë pjesë të re të shoqërisë shqiptare, shoqëri që ripërtërihet ndër vite, do të demokratizojë zgjedhjet por edhe Shqipërinë.
Krijimi i kësaj strukture administrimi zgjedhor do ti kursejë shtetit miliarda lekë që aktualisht shpenzohen për pagesat e strukturave legale zgjedhore, për komisionarë e vëzhgues partiakë (paguar majmërisht edhe nën dorë), për struktura jashtë zgjedhore që presin me “hunj” në krahë para qendrave të votimeve, për para partish politike, për blerje votash, e të tjera fjalë e fjali të rëndomta që i gjen sot në rrugë e nën rrugë.
Le ta mendojnë qeveritarët, partiakët e mëdhenj dhe të vegjël, kuvendarët, le ta vendosin në nene në Kodin Zgjedhor, në qoftë se duan vërtet zgjedhje të lira e demokratike.
Jam dyshues për këtë sepse qeveritarët tanë, kuvendarët tanë, nuk kanë veshë të dëgjojnë, nuk kanë sy të shikojnë më larg se maja e hundës së tyre.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 1 mars 2017

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.