STUDENTËT DUAN TË IKIN TË GJITHË JASHTË

0

Nga arkivi i gazetarit

STUDENTËT DUAN TË IKIN TË GJITHË JASHTË

-Një e_mail mga Tirana

Me Fadilin u njoha tek “Tajvani”, siç i thonë sot një ngrehine të bukur që përballë ka Parkun Rinia, atë park të mrekullueshëm të viteve tona studenteske që një dorë e egër e shkatërroi deri në shfytyrim  e një dorë tjetër ia ktheu bukurinë dhe harmoninë e dikurshme. “Tajvani” (çudi pse iu ndrrua emri kur mund t’i ndrrohej e përshtatej me kohën vetëm forma) në të djathtë ka po ato shatërvane e po atë pellg që kishte dikur ( në formë e në madhësi, por jo në ndriçim e shkëlqim).

Aty, poshtë në katin e nëndheshëm ka mbirë një kazino (shumë e përfolur në fushatë elektorale nga politika e djathtë dhe e harruar sot nga politikat e të dy krahëve) në të cilën, në orët e vona pasdite dhe natën, pas orëve të mësimit e seminareve në fakultetin e gjuhëve të huaja, punon Fadil Manuka.

Nuk do ta kisha takuar Fadilin dhe as nuk do të kisha shkruar për të sikur “Emigranti” të mos më kishte njohur me vëllain e tij, Gjuriun dhe bisedat e shpeshta telefonike të mos na kishin mbledhë kujtimet e të na kishin ngjitur maleve të Selishtës, Murrës, Balgjajt, Pratit e të mos na  kishte mahnitur bukuria e liqeneve të Kacnisë, një mrekulli e natyrës që syu i aparatit të fotoreporterit profesionist nuk e ka fiksuar kurrë.

Gjuriu është larg nga Athina, shumë larg, në Kavalla, mbi bordin e një anijeje peshkimi që i siguron bukën e ditës dhe i vë mënjanë një “dorë para “ për të ardhmen. Ai këmbënguli që, në prag të Vitit të Ri, të takoheshim e si i thonë, “të harmonizonim zërin me figurën”.

Aty u njoha me Fadilin, vëllain e Gjuriut, student në Universitetin e Tiranës në fakultetin e gjuhëve të huaja, në degën e anglishtes. Buzë liqenit me shatërvane u bëra një fotografi Fadilit (në mes), Gjuriut dhe shokut të tyre…

Me Gjuriun, ai në Kavalla e unë në Athinë shpesh i këmbejmë zërat duke pasë tashmë përpara edhe pamjen e njeri tjetrit.

Me Fadilin më lidhi ditë më parë një e-mail, një përshëndetje dhe një shqetësim i tij. Sot, më 7 mars, Ditën e Mësuesit, nëpërmjet valëve satelitore, pashë dhe dëgjova një nga qeveritarët tanë të fliste me fjalë të mëdha para mësuesëve dhe studenteve duke u premtuar, të parëve dyfishim rrogash dhe të dytëve  fjalë të mëdha për “Kartën e Bolonjës” e Curiculat…

Qeveritarët tanë flasin sepse kanë në dorë e në gojë median e shkruar dhe atë elektronike, kurdoherë me mikrofon ngjitur pas buzëve. Fadili dhe shokët e tij nuk e kanë këtë mundësi, nuk i sjell kush para mikorfonit apo para syrit të kamerave televizive. Fadili më solli disa rradhë nëpërmjet internetit, rradhë që po jua përcjell edhe lexuesit emigrant me që gjykoj se lidhen me ta. 

“Jam mirë e dëshiroj të jesh mirë ti dhe të gjithë emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi. Unë që po të dërgoj këtë e_mail jam një student në fakultetin e gjuhëve  të  huaja në Tirane. Ne jemi takuar bashkë në Tiranë dhe kemi pirë kafe bashkë me vëllain tim i cili është emigrant në Greqi në Kavalla.

”Atë e kalova se babain e tij e kam koleg kurse ty  nuk të kalova se kështu  me pëlqen”

 Kjo ishte shprehja që dëgjova nga një pedagoge në klasën time. Kjo është shprehja  e një pedagogeje që mëson rininë shqiptare. Jemi në një kohë kur në Shqipëri po “luftohet korrupsioni” nëpër qeveri e parti por gjithçka është kundër. Në vit të parë janë shtatë klasa për gjuhën angleze. Niveli është zero. Jemi shumë të ngarkuar për arsye se po bëhet eksperiment me rastin e futjes  në procesin  e Bolonjes’ ‘QE NUK PO ZBATOHET” sepse po bëhet ashtu siç duan pedagogët. 

STUDENTET, TË GJITHË DUAN TE IKIN JASHTË SEPSE KA DIFERENCIME.”

Abdurahim! Na fal  qe po te shqetësoj me këtë e-mail.  Të uroj shëndet dhe  sa më pak  mërzitje në emigrim. 

Me respekt. Fadil Manuka

Më shqetësove Fadil Manuka, më shqetësove me atë shprehjen e fundit, me germa kapitale, kur thua se “Studentët duan të ikin jashtë”. Më shqetësove për faktin se u bënë më se pesëmbëdhjet vjet që truri shqiptar, i brezit të vjetër dhe i brezit të ri, po rrjedh jashtë. Me këtë hap, me këtë digë që i është vënë lumit të intelektit shqiptar për ta devijuar rrjedhën drejt vendeve të huaja, nuk do të flitet më për diasporë (Në Shqipëri, pranë Ministrisë së Jashtme, ka një degë që quhet Instituti I Diasporës në të cilin inkuadrohemi të gjithë ne ikanakët) por  për gjak të shprishur shqiptar, siç thonë arbreshët…

Kjo përbën një fatkeqësi…

 Abdurahim Ashiku

Athinë, 7 mars 2006

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.