SKËNDERBEU I PARË NGA HAKI STËRMILLI

0

SKËNDERBEU I PARË NGA HAKI STËRMILLI

“Të gjithë historianët, bashkë me Fan Nolin,, janë gabue dhe s’kanë dijtë se ku gjendet  katundi Kastriot ku e ka origjinë fisi i tij.”

Është viti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, deklaruar solemnisht në mbledhje qeverie e në tubime të mëdha e të vogla. Më se gjysma e vitit kaloi, Kaloi në heshtje, kaloi me zë “të ngjirur” në janar 2018, në 550 vjetorin e ikjes duke lënë pas një histori për të cilën krenohet çdo shqiptar.
Kaloi edhe ditëlindja e tij, 6 maji, ditë dhe datë që në truallin e të parëve të tij është shndërruar në një festë të madhe.
Kërkova në një shkrim që Skënderbeu të vinte me një shesh dhe monument në Athinë ashtu siç është në sheshe në Itali, Francë, Amerikë… Shoqatat që duhet të ngrinin zërin, të hapnin biseda me autoritetet, për pak më linçuan.
E dërgova në portalin “Shqipëria që duam”. Mora heshtjen.
Kam në dorë një “libër”, dispensë prej 150 faqesh, përcjellë në disa dhjetëra kopje nga Hajri Hoxha, ish drejtor i përgjithshëm i Kombinatit Poligrafik në Tiranë.
Librin “Dibra në prak të historisë”…
Koha e dorëshkrimit shënon vitin 1940.
Nuk u botua kurrë.
As në atë kohë.
As në këtë kohë.
Autori Haki Stërmilli (1895-1953) dëshmitar i tre luftërave të mëdha historike për ekzistencën e kombit shqiptar(Kundër pushtimit osman, serb e nazifasht)  është lënë në harresë, ndonëse kërkimet e tij në terren, në udhëtime në këmbë Dibrës, mbarë janë një thesar, një referim me vlerë të madhe.
“Dibra, në kohën e Skënderbeut, përmendet mjaft në histori… Shumica e luftërave, thotë shkrimtari Haki Stërmilli, kundër invadorëve turq, u zhvilluan në qarkun e Dibrës… Dibranët muerën pjesë në të gjitha luftat që u banë asokohe për të mbrojt lirinë e Atdheut. Prandaj më duket e tepërt me i përsëritë këtu.
Po mjaftoj vetëm me i shënue datat e tyne; Çlirimi i qarkut të Dibrës dhe i Sfetigradit më 1443, lufta e Torviollit më 1444, beteja e Mokrenës më 1445, lufta e Otonetës më 1446, beteja e Uronikut më 1448, rrethimi i Sfetigradit më 1449, beteja e Modrisës dhe e Meçadit më 1452, lufta e Mokrenës më 1459…. (Dibra në prak të historisë, dorëshkrim 1940 f. 6)

Po kush është Gjergj Kastrioti?

“Mbi origjinën e fisit të Skënderbeut, shkruan Stërmilli, flet vetë fjala “Kastriot” që asht emni i familjes së tij. Të gjithë historianët, bashkë me Fan Nolin,, janë gabue dhe s’kanë dijtë se ku gjendet  katundi Kastriot ku e ka origjinë fisi i tij.
Ky katund asht në Dibër të Vogël, nja 8 kilometra në veri të Peshkopisë. Në verilindje të Katundit, mbas nji kodrine asht kisha dhe afër saj gjendet “Pusi i Gjonit” dhe “Kopshti i Gjonit”.
Sod Kastrioti s’ka veçse nja 20 shtëpi dhe asht ndërtue mbi një kodrinë. Në këtë kodrinë sipas gojëdhanës, paska qenë fortesa, kurse qyteti shtrihesh deri në Dri tue përfshi katundet e sotshëm Kukaj, Brest i Epër dhe Brest i Poshtëm. Afër Brestit të Poshtëm paska qenë tregu, i cili paska qenë i famshëm për rrobaqepsat e shumtë dhe për këtë shkak lisi i madh që asht edhe sot, quhet “Lisi i Terzishtës”.
Në katundin e vogël “Shëngjergj” që asht në veri të internatit të Kastriotit, thotë populli ka qenë një “Tempull i Kastriotit”. E Kastrioti dikur qytet i madh prej 8000 (tetëmijë) shtëpijash qenka rrënue e zvogëlue nga luftat e rrepta që u zhvilluan midis Shqipnisë e Turqis dhe tash s’kanë mbete tjetër veçse shenjat e themeleve. Populli herë pas here gjen tulla, tjegulla e tjera që dëshmojnë mbi të.
Tue lanë me nji anë gojëdhënën na duhet të vëmë në dukë se origjina e familjes “Kastrioti” rrjedh nga katundi Kastriot i Dibrës. Kjo e vërtetë provohet nga fakti se:
1) N’asndonji vend tjetër të Shqipnisë nuk ka ndonji katund që të ketë emrin “Kastriot”.
2) Gjyshi i Skënder Beut, Pal Kastrioti, kishte nën zotnimin e vet katundet Sinë e Gardh i Poshtëm. Sina gjendet në të majtë të Drinit të Zi, rranxë bjeshkës që mban emrin Pllajë. Sina ndahet në dy lagje; Sina e Epër dhe Sina e Poshtme. Këtu asht edhe Gardhi. Kujtojmë se ky katund do të jetë Gardhi i Muhurrit. Kuptohet vetiut pra se gjyshi i Skënder Beut nuk mund të kishte në zotnim katunde që s’ishin afër Kastriotit. E Sina e Gardhi janë afër Kastriotit.
3) Tashmë asht fakt historik se kur u kthye Skënder Beu n’Atdhe, erdh në Dibër dhe, pa u nis për Krue deshi të provonte besnikninë e Dibranëve. Gëzimi i Dibranëve kur e panë princin e tyre, thonë historianët qe jashtëzakonisht i madh dhe jo vetëm që i dhanë besën se kanë me sakrifikue gjithshka për çështjen e shenjtë, por e përcuellën në Krujë me 300 vetë që kërkoi.
4) Dibra, sikur vërtetohet nga dokumente të ndryshme, ka qenë principata e Kastriotëve dhe Dibranët subjektet ma besnikë dhe ushtarët efektivë të familjes Kastrioti.
5) Gojëdhana mbi Derën e Kastriotit e sidomos mbi Skënder Beun, asht aq e pasun në Dibër sa n’asndonjë krahinë tjetër…

*                      *                 *

Tri dekada pas dorëshkrimit të lënë në heshtje të Haki Stërmillit, dy studjues dibranë të historisë e të vlerave të trevës së Dibrës, Hazis Ndreu dhe Ali Hoxha në shkrimin botuar në gazetën “Mësuesi”: “Toponimia në ndihmë të Kastriotëve”, duke shkelur në të njëjtat rrugë që kishte shkelur Haki Stërmilli, dokumentuan se Gjergji i Gjon Dibranit nuk i kishte rrënjët as nga Hasi, as nga Mati apo Kruja por nga Dibra.
Atyre rrugëve do të udhëtonte edhe historiani i njohur Kristo Frashëri duke shkelur, parë me sy e dëgjuar me veshë vendet që përkonin me njoftimet e Barletit dhe të tjerëve, toponime që i dhanë emër vendlindjes së Kastriotit të Madh, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu…
Në vijim do të përcjellim “Gojëdhënat popullore për vende të Dibrës që lidhen në një nyje të fortë me rrënjët e Kastriotëve si dhe një shikim mbi romanin e vetëm kalorësiak, skenar i gatshëm për një film hollivudian, “Kalorësi i Skënderbeut”…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 21 tetor 2018 

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.