SHOQATAT NË MËRGATË JANË VLERA SHOQËRORE JO DREJTORI ARSIMORE

0

SHOQATAT NË MËRGATË JANË VLERA SHOQËRORE JO DREJTORI ARSIMORE.

Nga Abdurahim Ashiku
Gazetar, Athinë

*LAPSH nuk ka dhe nuk mund të ketë  të drejta ekzekutive, nuk mund të jetë “Drejtori Arsimore”, Ministri Arsimi, nuk mund të emërojë dhe pushojë mësues vetëm se në kokardën e saj ka të shkruar “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” me emër të përveçëm “Naim Frashëri”.
Mbi të gjitha ajo nuk ka “xhep” që të financojë mjete mësimore dhe paga për mësuesit. “Xhepi” është i qeverisë Zvicerane për mjete mësimore e paga dhe i qeverive shqiptare (Kosovë e Shqipëri) për tekstet dhe ndihmën metodike
.

*Rasti “Valbona Bejkollari Dako”, dhuna psikologjike e ushtruar ndaj saj, privimet deri në shenja raciste, e vlen të diskutohet në seminarin e Prizrenit, seminar që fillon më 31 korrik 2019 dhe mbaron më 2 gusht 2019.
Por jo vetëm në seminar.


Ajo, Valbona Bejkollari Dako, tashmë kanë bërë vend të parë në mërgatën arsimore shqiptare në Greqi si nismëtare e mësimit shqip për fëmijët e emigrantëve në Selanik të Greqisë, e vlerësuar si “Ambasadore e Kombit” dhe e dekoruar në Samitin II të Diasporës.
Siç dëshmohet në një video të 7 marsit 2001, Ajo, në prani të një numri të madh prindërish, mësuesish dhe nxënësish, nuk e mori vetë klasën ndonëse kishte arsim universitar mësuesie, ia dha Dashmir Zaçes si mësuesi më i vjetër që të shkruaj mbi dërrasën e zezë A-në, germën e parë të gjuhës shqipe që ta shohin fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi…
Vonë në vite, në një bisedë me Të në seminarin për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, (Durrës 2007) Mimoza do të fliste me modesti për punën e saj për të legalizuar hapjen e shkollimit shqip të fëmijëve në Selanik, në një qytet dhe një vend ku gjuha shqipe ishte në majë të kamës dhe në grykë të shishes së helmit.
Përvoja e saj është unikale…
Është kjo një temë që nuk kalohet me një shkrim, as edhe me një libër, është një rrugë që përcolli guxim për të arritur sot në një hartë gjeografike që përfshin tokën dhe ishujt në Greqi, në mbi 50 mësues të shkollimit shqip të fëmijëve të emigrantëve.
Falas…
Pa asnjë ndihmë nga shteti shqiptar,
Pa një ligj për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë,
Pa një marrëveshje midis dy shteteve kufitarë, Greqisë dhe Shqipërisë për krijimin e hapësirave që fëmijët ta mësonin gjuhën e nënës në mjedise të bardha shkollore.
Falas…
Po qe se këtu veçojmë kontingjente abetaresh autorësh të ndryshëm sjellë nga dashamirës, por edhe nga Ministria e Arsimit ndër të tjera edhe në rastin e njohur të teksteve mësimore  që po qe se do të viheshin mbi bankën mësimore të nxënësit do të bëheshin sebep linçimi të mësuesve dhe të gjuhës shqipe në Greqi, rast i njohur që  penalizoi dy shoferë të saj në ridërgimin e librave pikërisht të atyre librave që u refuzuan dhe u kthyen mbrapsht, mund të themi se çdo gjë është e tyre në shkallën më të lartë të mundshme.
Nuk do të flas në këto rreshta për rrugën e mundimshme të mësuesve vullnetarë në Greqi, sakrificën e jashtëzakonshme të tyre për tu mësuar fëmijëve si të shkruajnë, lexojnë e këndojnë shqip bodrumeve e stekave të emigrantëve. Ato i kam përshkruar hap pas hapi në kohë reale në 4 libra me mbi 2000 faqe dhe me mbi 600 fotografi e në dhjetëra shkrime.
Do të flas për Mimoza Dakon tashmë larg Greqisë, në Zvicrën ku hapësira e mësimit të gjuhës së nënës nga mërgimtarët është zyrtare dhe mësuesit paguhen si të gjithë mësuesit  vendas.
Mimoza zgjodhi Zvicrën për një jetë të dytë në mërgim. E zgjodhi për punë e hapësira më të mëdha jetese.
Shihte se dëshira e fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe ishte e madhe, veçanërisht  kjo nga fëmijët me prindër nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Në një studim që bëri vërejti se prindërit nga Shqipëria i mbanin larg fëmijët e tyre nga mësimi i gjuhës shqipe (!)
I dhembi çka e nxiti që ti jepte rrugë “kushtrimit të të parëve”, të grumbullonte fëmijët, të krijonte një klasë dhe tu mësonte atyre gjuhën e bukur shqipe.
Iu krijua një hapësirë e ngushtë vetëm me katër fëmijë. Pak ishin. Duhej biseduar me prindërit që numri të rritej. Shkoi derë më derë dhe në klasë mblodhi 24 fëmijë. Një gëzim që vetëm një mësues me përkushtim e zemër të madhe mund ta bëjë…
Por jo, dikujt nuk i pëlqeu…
Mbase u bë xheloz…
Mbase e deshtë për vete klasën e saj…
Një shkresë nga LAPSH (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë) i vuri kufi. “Pa diplomë të gjermanishtes nuk mund të jesh mësuese e gjuhës shqipe.”
Kush dhe mbi çfarë baze e kishte vënë këtë rregull?
Shteti zviceran apo Shoqata në kokë të vet?
Me përkushtimin e njeriut këmbëngulës në jetë, me aftësitë e saj intelektuale dha provimin zyrtar shtetëror dhe mori diplomën si njohëse e gjuhës gjermane…
Por më 11.07.2019 erdhi një shkresë me firmë të Afërdita Veliut, sekretare, shkresë në emër të Kryesisë së LAPSH “N. Frashëri”…
“E nderuar Mimoza Ntako or Dako
Ju jeni angazhuar me kontratë si mësuese në Këshillin Kantonal 
të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë  “N. Frashëri” për kantonin e Cyrihut, e cila përfundon  më 31 gusht 2019.
Sipas vendimit të Kryesisë së LAPSH për kantonin e Cyrihut, punësimi juaj përfundon në këtë datë dhe për vitin e ardhshëm shkollor nuk do të jeni e angazhuar”!

Kaq.
E zezë mbi të bardhë…
Me firmë por pa vulë…
Me “Vendim të Kryesisë së LAPSH”…
Ku është vendimi me datë dhe numër protokolli?
Askund…
Nuk kish si të mos reagonte….
Dhe të thërriste e indinjuar…
Kush është arsyeja e largimit tim nga puna dhe mbi çfarë bazash u mor ky vendim??

Kur u mor ky vendim?

Nga kush është firmosur ky vendim?

Kërkoj letrën zyrtare nga kryesia e LAPSH-it për këtë vendim dhe të firmosur nga anëtarët e kryesisë si dhe të vulosur, ashtu siç jepet çdo dokument zyrtar i mirëfilltë!

Largimi im nga puna si mësuese e gjuhës shqipe është i papranueshëm nga ana ime, tashmë i kam përmbushur të gjitha kriteret edhe sipas Drejtorisë Arsimore të Kantonit të Zyrihut..(konfirmimin e kam marrë prej vetë drejtoreshës të kësaj Drejtorie znj. Monika Eicke.)

Unë nuk do ta lejoj një gjë të tillë dhe ju ftoj të reflektoni!

Në një kohë që unë jap mësim në dy shkolla Dietlikon dhe Brttisellen dhe jam angazhuar totalisht për të hapur klasa të reja, gjë që ju e dini me rastin e shkollës Mettlen ne Glattbrugg, ju merrni vendimin për të më larguar në mënyrë arbitrare dhe pikërisht një ditë para se të përfundojë viti shkollor!”
Shoqatat janë vlerë e mërgatës shqiptare kudo.
Janë vlera shoqërore.
Edhe LAPSH-i në Zvicër ka vlera të mëdha, ka emër të dëgjuar e veprimtari atdhetare.
Nuk ia mohon askush ato.
Por LAPSH nuk ka dhe nuk mund të ketë  të drejta ekzekutive, nuk mund të jetë “Drejtori Arsimore”, Ministri Arsimi, nuk mund të emërojë dhe pushojë mësues vetëm se në kokardën e saj ka të shkruar “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” me emër të përveçëm “Naim Frashëri”.
Mbi të gjitha ajo nuk ka “xhep” që të financojë mjete mësimore dhe paga për mësuesit. “Xhepi” është i qeverisë Zvicerane për mjete mësimore e paga dhe i qeverive shqiptare (Kosovë e Shqipëri) për tekstet dhe ndihmën metodike.
Pjesëmarrës në mbi 10 seminare për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë; që nga Durrësi, Struga, Mitrovica, Prishtina, Korça, Berati, Peja, Shkodra etj., kam parë një diferencim të skajshëm midis mësuesve vullnetarë në hapësirën greke dhe mësuesve të paguar në hapësirën evropiane, mësues nga Zvicra, Austria, Suedia, Finlanda…
Mësuesit që vinin nga Greqia qëllonte të largoheshin pa mbaruar seminari, thjesht se mund të humbnin punën, ashtu si të tjerë nuk vinin në seminare sepse nuk u jepte leje afendikoi në punën e tyre në të zezë që bënin dhe bëjnë.
Nga ana tjetër kam parë mësues kosovarë që vinin nga Evropa e që lejen e zakonshme të paguar nga shteti ku jepnin mësim e kalonin në plazhet e Shqipërisë, madje ndonjëri edhe në ato të Greqisë…
As shteti Shqiptar as ai Kosovar nuk e kanë kthyer kokën nga ky realitet dhe siç duken “bathët” nuk do ta kthejë edhe pse tash, në të dy shtetet drejtimin e arsimit e kanë ministra kosovarë.
Rasti “Valbona Bejkollari Dako”, dhuna psikologjike e ushtruar ndaj saj, privimet deri në shenja raciste, e vlen të diskutohet në seminarin e Prizrenit, seminar që fillon më 31 korrik 2019 dhe mbaron më 2 gusht 2019.
Por jo vetëm në seminar.
Edhe në vëmendjen e veçantë të dy ministrive të arsimit, ministrat dhe nëpunësit e të cilave flasin shqip.
Drejtimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, pa mëdyshje, duhet ta marrin ministritë e arsimit e jo shoqatat.
Shoqatat në mërgatë janë vlera shoqërore jo drejtori arsimore.

Abdurahim Ashiku

Athinë 30 gusht 2019
 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.