SETA E HARRUAR

0

PO SETËN – BUKURINË E BUKURIVE, ÇIDHNËN –  VENDORIGJINËN E GJERGJIT TË GJON DIBRANIT  DHE  SHESHBETEJAT E TIJ, A I KE DËGJUAR ZONJA BALLUKU?
PO JU ZOTI KLOSI?

Një letër në “Shqipëria që duam”

Ra Zagoria dhe Kryeministri Rama foli…
“Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga HEC-e, gurore, etj.”
Ra Holta dhe ministrja e re e Infrastrukturës dhe Energjetikes Balluku doli publikisht, me zë e me figurë:
“I papranueshëm rasti i ndërtimit të HEC-it mbi kanionin e Holtës në Gramsh…”
“Së bashku me Ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin…”
“Dua ta them shumë qartë: vërtet HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore…”
Mbase nuk i ka dëgjuar “Zërat e Setës” zonja Balluku. E re është dhe i falet ani se gazetat, emisionet televizive, me zë e me figurë, demonstratat e banorëve, gjyqi publik i hapur (por i shtyrë për në “kalendat greke” dhe “javën pa të shtunë”) kanë qenë “daulle me lëkurë dhie” sa nuk besoj të mos i ketë dëgjuar njeri brenda e jashtë kufijve (përveç pushtetarëve veshmbyllur me dyllë).
Me jua thënë me fjalë zor se i merrni vesh. Duhet të shkoni atje që krijuesi i asaj bukurie t’ju presë e tu uli gjunjët në tokë.
Dhe të faleni.
Kështu më ka ndodhë dekada më parë kur shoqëroja një delegacion gazetarësh liqeneve të Lurës.
U befasova, ndërsa ata i luteshin Zotit për bukurinë që u kishte mbirë në sy…
Seta është një ndër degët e Drinit të Zi, 13 kilometra që nga burimet e saj në Gurë Lurë e deri në Arras, ujëplotë gjatë gjithë vitit…
Seta rrethohet e thellohet nga një histori trimërie dhe heroizmi, qëndrese dhe sakrificash sa në sipërfaqe tokësore nuk e ka asnjë vend në Shqipëri, (mbase edhe në botë), në mesjetë veçanërisht, por edhe në ditët tona.
E kam jetuar Setën në “tamë të vijës”, atje ku merr rrugë një kanal që i foli kohës me një “piketë me plumb pushke”, me trimërinë më të pastër e më heroike të dibranëve, me rrjedhën e ujit në gjashtë kilometra mbi e mes shkëmbinjve të paarritshëm deri atëherë, me tetëqind metro tunel nëpër Gjalicat asokohe të pakalueshme…
Në korrik të vitit 1967 uji i Setës vaditi për herë të parë tokat e Çidhnës për të vijuar në vitet më tej drejt Dardhës e Reçit nga njëra anë, me sifon drejt Sinës e po me sifon drejt Fushës së Çidhnës dhe Kastriotit deri në Vakuf në dhjetor 1969…
Edhe sot, po të kalosh anës kanalit të Setës, Gjalicave, rrugicës si fije peri që varet pas shkëmbinjve (nuk ta rekomandoj Ju zonja Balluku, Klosit i them që të kalojë sapo të shkrijë bora) pyet i habitur “Çfarë njerëzish kanë qenë ata që u varën në këto hone të thella, që çanë malin dhe krijuan këtë vepër ujore, këtë vepër arti me përmasa marramendëse?”.
Është krim që nuk është shpallur “Monument kulture”…
Në gazetën “Bashkimi” të 30 gushtit 1967 shkruhej: “…Më 1 mars filloi puna. Uji në bazë të planit duhej tu jepej fshatarëve në vitin 1969, kurse ai filloi të rrjedhë 6 muaj pas fillimit të punimeve, pra dy vjet para afatit…Ishte planifikuar të punohej gjatë tre vjetëve, të hapeshin tre tunele, të punohej në 6 fronte pune. U punua 6 muaj, u hapën 13 tunele, u punua në 26 fronte pune njeri më i vështirë se tjetri…”
Nuk ka degë të Drinit të Zi ku të jetë shkruar kaq pastër trimëria dhe begatia, heroizmi i vjetër dhe heroizmi i ri i një populli që e ka në gjak punën, shpatën dhe barotin…
Atje ku derdhet Seta u shkrua për herë të parë, me majën e shpatës, trimëria e përbashkët e shqiptarëve, fitorja e madhe kundër ushtrisë më të madhe, më agresive e më të pajisur në armë dhe urrejtje, kundër Perandorisë Osmane, në betejën e Torviollit…
Atje, në brigjet e saj u derdh aq gjak sa nuk ishte derdhur asnjëherë në trojet shqiptare. Mënia e osmanlinjve nuk njohu kufi, shoi një qytet të tërë, qytetin e Çidhnës, folenë e trimërisë dibrane e Skënderbejane…
Nuk dua të hy në “thekrën e historisë”. Është e dendur, më e dendur se kudo në Dibër. Le të hyjnë historianët…
Seta, burimet e saj, kanionet madhështore shpallur “Monument natyre” po humb bukurinë, po humb atë fjalë që faqeve të gazetave dhe gojëve të pushtetarëve nxirret me pasthirrmë, TURIZMIN, po i mohon trevës së Çidhnës e Sinës të ardhmen e vet, po u shkul rrënjët atyre banorëve që brez pas brezi rrënjë e degë të reja vegjetuan.
Flitet për jo një por për katër hidrocentrale mbi Setë….
Po citoj nga shtypi…
“…Tre veprat e marrjes të cilat do të ndërtohen rreth kuotës 489 m (e para në shtratin e përroit të Setës dhe dy të tjerat në dy degët në krahun e djathtë të rrjedhës së saj), tre dekantues, tre basene presioni, nga të cilët dalin tre tubacione me presion me të cilët para hyrjes në tunel bashkohen në një të vetëm. Gjithashtu mbas bashkimit të tubit në një të vetëm me D=200 mm, tubi hyn në tunel rreth 800 m, dhe disa metra më andej hyn prapë në një tunel 140 m ku tubi i presionit do jetë futur në tunel dhe mbas daljes së tij shkon direkt në godinë që do të ndërtohet në afërsi të derdhjes së përroit në lumin Drin rreth kuotës 385 m.”
Nuk mund të heshtja.
Shënova…
Ky është shkatërrimi total i bukurisë së bukurive dibrane, masivit të Setës. Gjithë këto tuba, gjithë këto tunele, gjithë këto vepra marrje do ta shkatërrojnë tërësisht Setën….
Ju zonjë jeni arkitekte. Lexojini këto e bashkë me ato që thuhen para e prapa, shikoni projektet, shkoni edhe në vend, takohuni me banorët, bisedoni me ta për të kaluarën historike dhe për të ardhmen jetësore, ftoni në  një takim intelektualin Mustafa Tola, historianin Ali Hoxha, studiuesin Murat Koltraka me shokët e tyre…
Dhe bëni atë që bëtë për HEC-in e Holtës.
Edhe pse këmbët nuk mbahen fort nga pesha e 78 vjetëve jetë, edhe pse jam syrgjyn njëmijë kilometra larg, do të mblidhja fuqitë dhe do të bëhesha kallauzi juaj zonja Balluku dhe zoti Klosi në një udhëtim Setës nga derdhja në burim…

Abdurahim Ashiku

Gazetar

Athinë, 25 janar 2019

 
 


Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.