Sejko takon homologun në Kosovë, diskutohen politikat monetare

0

Kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një vizitë pune pranë Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e para që prej marrjes së detyrës si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Guvernatori Sejko zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza. Biseda u përqendrua në zhvillimet ekonomike dhe financiare të dy vendeve si dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy bankave qendrore.

Guvernatori Sejko e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare si dhe me masat e marra nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend. Ai u shpreh se, aktiviteti ekonomik në vend po ndjek një trajektore pozitive, dhe për këtë vit Banka e Shqipërisë parashikon një rritje ekonomike më të lartë.

Kjo rritje do të mbështetet nga rritja e kërkesës dhe e konsumit të brendshëm, por edhe nga rritja e nivelit të investimeve të huaja.

Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të japë të gjithë stimulin e duhur monetar për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme të vendit.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal edhe në ecurinë e sektorit bankar shqiptar, ku theksoi se bankat që operojnë në vend gëzojnë tregues të shëndetshëm financiarë.

Ndër të tjera, Guvernatori Sejko e njohu Guvernatorin Hamza edhe me masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera përkatëse për forcimin e stabilitetit financiar në vend.

Guvernatori Sejko vlerësoi si të domosdoshme rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe zhvillimin e tregut të përbashkët financiar mes dy vendeve, mbështetur jo vetëm në pozicionin gjeografik, por dhe në bashkëpunimin vëllazëror.

Nga ana e tij, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Hamza prezantoi zhvillimet kryesore ekonomike në Kosovë, ecurinë e sektorit bankar dhe atë të sigurimeve, si dhe rolin që ka pasur banka qendrore në mbështetje të qëndrueshmërisë financiare të vendit.

Në përfundim, Guvernatori Hamza shprehu vlerësimet për zhvillimet institucionale dhe hapat e ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të përsosjes së ekspertizës së saj dhe aktivitetit të përditshëm, duke çmuar rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë luan në ruajtjen e parametrave makroekonomikë të vendit.

Në emër të stafit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Guvernatori Hamza i shprehu Guvernatorit Sejko falënderimet më të përzemërta për asistencën teknike të ofruar nga Banka e Shqipërisë në fusha kryesore të bankingut qendror, si:  mbikëqyrja bankare, statistikat, sistemet e pagesave, stabiliteti financiar, etj.

Në përfundim të këtij takimi, të dy homologët ndanë të njëjtin mendim për domosdoshmërinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella midis dy institucioneve.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.