RRUGA E ARBRIT SI RRUGË E “LINDVDEKUR”

0

IMG_20160507_0002

Një peticion shkruar para 20 vjetësh dhe Rruga e Arbrit stela-stela sot…

Është shkruar para 20 vjetësh. Është një peticion, një kërkesë  njerëzore firmosur nga 43 intelektualë dibranë e përcjellë strukturave të shtetit shqiptar të kohës që nga presidenti Berisha e me radhë teposhtës së kaskadës shtetërore deri tek prefekti i qarkut të Dibrës.
E gjeta midis relikteve të jetës time që çuditërisht nuk më ka rënë poshtë  rrugës së gjatë të ikjes dhe qëndrimit tash njëzet vjet në troje të huaja.
Gjeta edhe një dorëshkrim timin të marsit 1996 me titull “RRUGA E DIBRËS” – DREJT DIBRËS  me shënimin: “Alternativa për zhvillimin e zonave malore”.
Nuk mund t’i mbajë në arkivin tim, thjesht se ata i përkasin një hapësire  që lidhet me një trevë e me zëra që nuk kanë pushuar së ngrituri deri në shkallën më të lartë të pentagramit zërin  NDËRTONI RRUGËN E ARBRIT!
Nuk është thjesht një peticion që fillon me “Jemi një grup intelektualësh të rrethit të Dibrës…” është një pamflet historik, një thirrje brezash në shekuj që ecën në këmbë kësaj rruge duke shkruar biografinë e saj.
Citohet Aleks Buda në thënien e tij “Dibra ishte ndër pikat kyçe ku vihej në pikëpyetje ekzistenca e Shqipërisë në dy pjesë”.
Citohet Ana Komnena e cila kur flet për fisin ilir të Albanëve-Arbërve, përmend edhe krahinën Albanon që shtrihej gjatë rrugës midis Durrësit e Dibrës, krahina e Arbërisë, me qafa, rrugë të përpjeta dhe kulla të shumta.
Dijetari italian Antonio Baldaçi për këtë rrugë shkruante: “Qytetërimi Romak kishte zhvilluar një rrjet rrugor në Shqipëri, arteriet kryesore transversale të së cilës ishin Via Egnatia… pastaj ajo midis Durrësit e Dibrës duke kaluar nëpër Mat”
Vaid Kormaku, mësues dhe studiues i pasionuar i Dibrës, citohet si “i pari që përmendi faktin se rruga lidhte Stambollin me Detin Adriatik krahas “Via Egnatia” sipas itinerarit: Gallatë – Stamboll – Adrianopol – Filipopol, për të hyrë në trekëndëshin Sofie – Nish – Shkup, gjatë luginave Morava – Vardar, Lugut të Vardarit – Fushës së Pollogut – Gostivar – Mavrovë – Grykë të Radikës bri katundeve Trebisht – Radostush – Dibër e Madhe – Grykë të Vogël – Grykë të Madhe – Valikardhë – Qafë Buall – Guri Bardhë (Petralba) – Shkallë e Tujanit – Krujë – Durrës.
Intelektualët argumentojnë se “Që në mesjetën e hershme…Krahina e Arbrit ka qenë vendi i kryqëzimeve transversale e horizontale të trojeve etnike të kombit shqiptar – epiqendër e trojeve etnike. Këto rrugë janë kthyer në arterie të rëndësishme që kryejnë lidhjet e kombit në kohët moderne”.
Duke folur me gjuhën e argumentit historik etnik, intelektualët dibranë  deklarojnë se “Vetëm një rrugë dhe pikërisht ajo më strategjikja nuk është kthyer në rrugë moderne automobilistike. Është fjala për Rrugën e Arbrit, të quajtur më vonë Rruga e Katriotëve, Rruga Durrës – Fusha e Tiranës  – Tujan – Qafë Murrizë – Guri i Bardhë – Ura e Vashës – Plani i Bardhë – Qafa e Buallit – Vajkal – Ura e Qytetit (Valikardhë) – Homesh – Dibër.”
Protesta e tyre se… “Nuk ka krahinë që të lidhet me kryeqytetin dhe portin e Durrësit në mënyrën më diskrete dhe qesharake se krahina e Dibrës”… pason deklaratën – argument: “Mos të harrojmë se në qoftë se flasim për zona të populluara dhe bujqësore të Shqipërisë së sotme politike, këto janë pellgu i Korçës dhe Lugina e Drinit të Zi”.
Ata argumentojnë se “Kalimi i Qafës së Murrizit (1120 m.), sikur edhe pa asnjë tunel e shkurton rrugën 75 kilometër…”
Intelektualët nuk e mbajnë për vete idenë e ndërtimit të rrugës tradicionale nëpër Shkallën e Tujanit. Ata deklarojnë se ajo është shtruar për zgjidhje  që në vitin 1929 kur parashikohej ndërtimi i dy tuneleve njeri në hyrje të Shkallës së Tujanit dhe tjetri në të dalë të Shkallës…
Intelektualët argumentojnë se pushteti diktatorial kurrë nuk i dha Dibrës atë që i merrte…kromin, mermerin, pasuritë e mëdha të nëntokës e mbitokës, për të arritur deri në deklaratën e  vitit 1972 të kryeministrit Mehmet Shehu i cili tha se “…përmirësimin e kësaj rruge mund ta shfrytëzonte armiku për agresion mbi Tiranë” (?!), një argument qesharak që e la Dibrën me një rrugë me 4 metra gjerësi.
Grupi i intelektualëve Dibranë i kërkonte presidentit Berisha, qeverisë, institucioneve si dhe organizmave shtetërore e shoqërore që varen prej tyre…”T’i kthejë Dibrës rrugën e vet tradicionale që edhe dibranët të lidhen me kryeqytetin e vet më të shkurtër…”
Zëri i intelektualëve dibranë mbeti në “koshin e plehrave” të presidentit të atëhershëm të shtetit shqiptar, kryeministër për tetë vjet më vonë, në “koshin e plehrave” të kryeministrave që pasuan…Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos, Edi Ramës…
Jo vetëm ai peticion, por edhe më i riu, ai i iniciuar nga Gëzim Alpion, Bujar Karoshi e të tjerë, firmosur online dhe me kalem në dorë nga mijëra dibranë e bashkëkombës në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në të gjithë botën.
Me dhjetëra kanë qenë deputetët dibranë të të gjitha ngjyrave partiake ulur në karriget e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Asnjeri nuk u ngjit në tribunën e Kuvendit me peticionin e shkruar dhe me zërin e dibranëve të incizuar në dorë për të kërkuar me forcë ndërtimin e Rrugës së Arbrit. ASNJERI?!
Rruga e Arbrit është aktualisht stela – stela, arna – arna, pa kokë, pa trup, pa këmbë, pa zë e pa figurë.
Për ndërtimin e saj nuk mjafton nënshkrimi i 42 intelektualëve, nënshkrimi i mijëra të tjerëve. Pushtetarët nuk kanë veshë për të dëgjuar e as sy për të lexuar…
Megjithatë firma mbetet, nuk e fshinë asnjë “gomë” e pushtetit. Është dokument historik, dëshirë, vullnet, kërkesë, protestë…
Bashkangjitur po përcjell edhe nënshkrimet e intelektualëve dibranë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 21 maj 2016
Shënim: Në titull përdora bashkë fjalët LINDVDEKUR. Është nënshkrimi lakonik që bëjnë mjekët në kartelën e fëmijës që ka lindur i vdekur.

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.