REXHEP ZEBI…

0

REXHEP ZEBI  NË BETEJËN PËR ÇLIRIMIN E TIRANËS

“Mos më matni me vjetët që kam në trup, por me pushkën që mbaj në sup”

Rrëfenjë për dëshmorin Rexhep Zebi në Ditën e 74 Vjetorit të Çlirimit të Tiranës…

Ditë korriku. Rexhepi atë mëngjes u zgjua herët. Kur doli në rrugë, dielli sapo kishte prerë me rrezet e tij majën e malit të Runjës në perëndim mbi të cilin akoma shquanin njolla të bardha dëbore.. Vargmalet në lindje me Korabin në ballë skuqnin. Me shatin të hedhur në sup, ai mori rrugën mes përmes fshatit. Atë ditë kishte radhën e ujit, do të ujiste misrin. Pas dy ditësh do të thërriste shokët dhe do të fillonte prashitjen e tij. Ktheu ujin në drejtim të arës dhe duke pastruar vijën, që uji të rridhte sa më shpejt, u fut mes bimëve të misrit.
Filloi punën. Mbi gjethet e misrit bulëzonin pika vese. Dielli ra shpejt mbi ujërat e Drinit dhe kuqëloi fushën në këmbë të lumit e pastaj kodrat mbi të cilat ishte vendosur fshati Ushtelencë.
Uji gurgullonte. Toka e tharë lëshonte flluska ajri. Bimët e misrit hapnin fletët, duke marrë ujin jetëdhënës. Rexhepi rritej, tek kujtonte tregimin e një dite më parë për luftën partizane, për betejën e zhvilluar në Çerenec, për luftën që bënin ata për çlirimin e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Kishte dëgjuar se në mes të partizanëve ka edhe të moshës së tij, bile edhe më të vegjël. Ai kishte trup e fytyrë të mbushur. Puna derë më derë si hyzmeqar , e kishte forcuar në trup dhe e kishte burrëruar në mendje para kohe. Vështroi trupin e tij, krahët e nxirë nga dielli, këmbët e zhytura në ujin që “këndonte” tek hynte në të çarat e tokës. Pastaj, me një të rënë të shatit preu sfratin duke ia ndërprerë menjëherë drejtimin ujit.
“Do të bëhem edhe unë partizan”,- i tha vete. Dhe nisi të drejtojë me majën e shatit ujin bimë më bimë.
Mbi kodrat në lindje çeli melodia e një kënge partizane. Dhe fill pas saj u duk një kolonë e gjatë në marrshim. Kur hyri në shtëpitë e para të fshatit kolona e prishi radhën e saj. Njerëzit që kishin dalë në oborret e shtëpive, anës rrugës i përshëndesnin dhe i ftonin në shtëpitë e tyre. Secili nxitonte t’i gostiste me diçka. Dikush u nxori një bukë misri të ngrohtë, të sapodalë nga çerepi, një tjetër nxori një tenxhere të madhe me dhallë të sapo tundur, një tjetër një torbë me gjizë të freskët që akoma pikonte hirrën.
“Po iki të shoh”- tha Rexhepi. Dhe pasi ndau sfratin në një shpore të re, u nis me vrap përmes arës me misër.
* * *
Kur kolona partizane kaloi anës arës me misër, Rexhepi pa se uji i kishte shpërthyer sfratet, kishte kaluar majën dhe kishte rënë në arën e fqinjit. Mbi bimët me 5-6 gjethe dallohej bishti i gjatë i një shati.
Para se kolona të kalonte majën e kodrës dhe fshati i Ushtelencës të humbiste pas saj, Rexhepi kthen kokën mbrapa. Mes përmes arës ku gurgullonte uji, ecte një nënë e pas saj një djalë dhjetë vjeç. Djali kapi shatin. Nëna ngriti dorën lart dhe përshëndeti. Rexhepi shtrëngoi pas supit pushkën e gjatë, rregulloi bustinën me yllin e kuq dhe përshëndeti me dorën e ngritur grusht.
Atë ditë korriku ai u radhit në kolonën e marshimit të brigadës së 4-të Sulmuese.
* * *
Dalëngadalë partizani i vogël, “partizani me trup mesatar për moshën e tij dhe me fytyrë të mbushur, me flokë e vetulla të zeza, me zërin e tij të trashë e të ngadalshëm, me zakonin që kurrë nuk ta priste fjalën e që dëgjonte me vëmendje deri në fund cilindo shok” nisi të marrë shtigjet e luftës popullore, u poq dhe u burrërua. Mësoi të marshojë ditën dhe natën, në kohë të mirë dhe në shi, me bukë dhe pa bukë. Mësoi të luftojë pa iu trembur syri. Duke qenë vazhdimisht në ballë. Këngëve ai ua merrte i pari. Kishte një zë melodioz që të bënte për vete.
“Hajde t’ia marrim një kënge shokë! – thoshte në pushimet mes betejave dhe ia niste i pari.
Veç këngës ai e donë te shumë shkollën, atë shkollë partizane që për fletore kishte pllakat e gurëve në male, për laps po gurët e maleve dhe për libër heroizmin e përditshëm të popullit në luftë kundër armiqve dhe tradhtarëve. Në vitet e fëmijërisë së tij, ngaqë mbeti jetim dhe iu desh të shkojë hyzmeqar në dyert e mëdha, Rexhepi nuk mundi të mësojë shkrim e këndim. Këto nisi t’i mësojë në radhët e partizanëve, në pushimet pas betejave.
Nëpër betejat që zhvilloi kundër forcave gjermane e tradhtarëve në Shëngjergj, në Qafë-Kërrabë, në Arbanë të Tiranës, në aksionin e postbllokut të Elbasanit, në luftën për çlirimin e Elbasanit etj. Rexhepi u rrit dalëngadalë edhe në guxim e trimëri, duke u hedhur ndër të parët në sulm e duke mos përfillur asnjë lloj vështirësie.
Shokët, duke parë në trupin dhe fytyrën e tij moshën e njomë, të gjashtëmbëdhjetë vjetët jetë, e këshillonin të mos hidhej në sulm i pari.
“ E pse më matni me vjetët që kam në trup e jo me pushkën që kam në sup?”-pyeste ai. – Ejani ta provojmë forcën. Në zemër kam një urrejtje të madhe për armiqtë dhe tradhtarët, kam edhe një dashuri të madhe për Atdheun: Kjo më jep akoma më shumë forcë”

* * *

…Tetor 1944. Armiqtë dhe tradhtarët ishin strukur në disa qytete se litari po u ngushtohej në grykë. Shtabi i Përgjithshëm dha urdhër për çlirimin e Tiranës. Batalionit të katërt ku ishte Rexhep Zebi, iu dha urdhri të godiste forcat gjermane në Shijak. Lufta u ndez e rreptë. Guximi dhe heroizmi i partizanëve ngriheshin gjithnjë e më lart si një flamuri kuq. Shijaku u çlirua. Brigada marshonte drejt Tiranës. Batalioni i katërt po i afrohej Kasharit. Kompania e katërt ku bënte pjesë Rexhepi, mori detyrën luftarake të godiste forcat gjermane në tërheqje. Gjermanët ndërmerrnin herë pas here sulme me qëllim që të spastronin zonën rreth rrugës, për të siguruar tërheqjen e trupave të tyre.
Natë. Forcat e shumta gjermane kërkojnë të çajnë rrethimin. Partizanët u përgjigjen me një zjarr të dendur. Lufta sa vjen e ashpërsohet. Mbi pozicionet e partizanëve shpërthejnë predha të shumta artilerie. Plumbat formojnë një breshër të vërtetë.
Agoi dita. Luftimet vazhdojnë edhe më me ashpërsi. Partizanët hidhen në kundërsulm dhe i zmbrapsin armiqtë. Rexhepi ishte në radhën e parë të sulmit. Kur po i afrohej një pylli nga ku pozicioni ishte më i volitshëm për të sulmuar mbi armiqtë, para Rexhepit bie i plagosur rëndë një shok i tij. Çaste të vështira,. Plumbat fishkëllejnë. Tokë e zhveshur. Rexhepi i fut krahun shokut dhe nis ta tërheqë nëpër fushën e betejës. Ecën përpara. Edhe pak dhe iu afrua pyllit. Drejt tyre përqendrohet goditja e një mitralozi armik dhe të shumë armëve të tjera. Bie breshër i madh plumbash. Rexhepi vazhdon të tërheqë shokun. Përsëri breshër i pandërprerë plumbash dhe Rexhepi plagoset për vdekje. Në këtë kohë një zë i ngrohtë i buçet afër.
“Rexhep vëlla!” Dhe dy duar i futën në gjoksin e gjakosur.
Ishte zëri i Rukijes që iu gjend pranë në ato momente të fundit të jetës së tij.

* * *

…Kur mbaroi lufta, në mes të fushës së betejës, atje ku kish qenë breshëri më i fortë e plumbave, shokët panë tre bij të kësaj toke, dy djem dhe një vajzë, Rukije Roshi që i kishin futur krahët njeri-tjetrit, sikur donin të shëtisnin në livadhet e bukura të vendlindjeve të tyre.
Në mes ishte djaloshi 16 vjeçar Rexhep Zebi nga Ushtelenca e Dibrës…

Abdurahim Ashiku

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.