Reshat Arbana tregon për filmin “Duel i Heshtur”

0
Kur ulesh në një tavolinë me Reshat Arbanën, të duket sikur ke përballë një personazh filmi. Portret i hijshëm, zë i fuqishëm, figurë frymëzuese…

E pamundur të zhvillosh një bisedë, pa u ndërprerë nga dhjetëra përshëndetje njerëzish që i urojnë një ditë të mbarë apo që duan t’i shtrëngojnë dorën. Është ende herët, se me gjasë do kishte edhe nga ata që do e donin edhe një fotografi me aktorin, një nga më të mirët e skenës dhe ekranit shqiptar.

“Emrin nuk e blen dot me para. Emrin ta jep ai njeriu i thjeshtë që të përshëndet në rrugë”, thotë aktori, i cili ua kthen të gjithëve përshëndetjen me dorë në zemër. Ka realizuar 45 role. Jo të gjithë i ka të zemrës, por për të gjithë ka punuar fort dhe kur dëgjon debate për ndalime filmash apo “zbardhje të vërtetash”, e pamundur ta fshehë indinjatën.

“Kemi dhënë kaq shumë nga vetja, jemi emocionuar për t’u dhënë njerëzve emocion, saqë nuk e kuptoj se si mund të dalë dikush e të thotë, të ndalohet!”, thotë aktori. Sipas tij, të mendosh sot se filmat e para ’90-s nxisin ideologjinë komuniste ndër të rinj, është tërë- sisht absurde. Edhe pse nuk i ndjek fort mediat, se jo rrallëherë, sipas tij thonë të pavërteta e të shtrembërojnë fjalët, i përgjigjet ftesës për të rrëfyer diçka nga eksperienca e tij, në kastin e aktorëve të filmit “Duel i heshtur”.

Ai kishte rolin e Islamit, një prej marinarëve që kërkonte të arratisej. Disa ditë më parë, ish-drejtori i Arkivave të Ministrisë së Brendshme publikoi disa dokumente dhe hodhi dyshimin mbi vërtetësinë e ngjarjeve të trajtuara, çka e kishte bërë më parë edhe gazetari Fatos Baxhaku.

Reshat Arbana, “Nderi i kombit”, tregon për “Panoramën” si u realizuan xhirimet e filmit në det të hapur mes dallgësh, si e njohu Spiro Koten dhe takimi me Vlashin nga Rrogozhina, që pretendonte se ishte pikërisht ai personazhi që Arbana luante në film. Veç të tjerash, ai kujton si u bë aktor dhe sa i ka dhënë ky profesion… Jo para, por dashurinë e njerëzve.

Si u bëtë pjesë e kastit të filmit “Duel i heshtur?”

Sapo kisha mbaruar shkollën dhe kisha bërë një rol në filmin “Komisari i dritës” me skenar të Llazar Siliqit dhe regji të Dhimitër Anagnostit dhe Viktor Gjikës. Aty kisha rolin e sejmenit të një kapobande që ishte kundër hapjes së shkollave, që i thoshin këlyshi i Dodës, Nikollë Mustaqeziu.

Ishte një film që më ka pëlqyer e që u prit mirë nga publiku, me një realizim artistik që, të them të drejtën, sot nuk e ndeshim më. Ky rol më çoi te filmi “Dueli i heshtur”, në rolin e Islam Kallullit. Nuk e mendoja se mund ta merrja atë rol, sepse isha shumë i ri. Mbaj mend që regjisori me skenaristin kishin pasur fërkime, për shkak të disa prerjeve në skenar.

Në fund filmi ishte menduar që marinari, kur kthehet, pasi ka triumfuar mbi armiqtë, takohet me komisarin dhe marinarët dhe thotë shprehjen e njohur në ushtri “I shërbej Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Po ashtu, me sa kam dëgjuar, skenaristi nuk ishte që atë rol ta merrja unë, pasi në idenë e tij Islami ishte një armik i thekur, në moshë më të madhe se unë… Megjithatë, regjisori e kishte vendosur.

Xhirimet janë zhvilluar në det të hapur, sa e vështirë ka qenë për ju?

I kemi filluar xhirimet në 16 janar të 1967-s. Qe dimër dhe kushtet atmosferike ishin shumë të këqija. Më kujtohet, një ditë dolëm për xhirime, por qendra meteorologjike kishte dhënë një det 7-8 ballë. Ishte një det tepër i frikshëm. Unë nuk dola, e bashkë me mua edhe Ndrek Luca.

Nuk pranuam të bënim xhirime atë ditë, sepse ishte tepër e mundimshme. Ne kemi vuajtur në atë film me detin, sa nuk tregohet. Deti është jashtëzakonisht i bukur, por nga bregu, kur hyn në të, duhet të jesh shumë i fortë. Ne edhe me 2-3 ballë na turbullonte, na zinte deti. Sot e shquaj veten në disa episode, që kam qenë i turbulluar, por duhej të xhironim.

As kapiteni i motovedetës nuk doli, dhe drejtimin e ka marrë vetë Spiro Kote. Rikardin, operatorin e mrekullueshëm Petraq Lubonja, si dhe një punëtor tjetër, nuk i zinte deti dhe dolën në det. Pas 1 ore a 1 orë e gjysmë u kthyen, shumë të lodhur dhe pa kryer punë. Me pak fjalë, ka qenë shumë e vështirë.

Filmi mbështetet mbi një ngjarje reale, a flitej ende për të, edhe 20 vjet më vonë, kur bëtë xhirimet?

Kur mbaruam xhirimet, premiera u dha në kinemanë verore në Durrës. Filmi pati shumë sukses dhe pas premierës, gjatë një kokteji në restorant “Durrësi”, ndërsa unë isha me një shok timin, duke pirë një gotë në banak, më vjen dikush nga pas dhe bën sikur më vë një pistoletë në ije.

Jo se u tremba, por u ktheva menjëherë.. “E mor Reshat Arbana, po pse kështu ka ndodhur ngjarja, si ishte në film?!”, më tha. “Ju keni bërë film të mirë, të thomi të vërtetën, por nuk ka ndodhur ngjarja kështu. E vërteta ka qenë që ne donim të iknim dhe këtë nuk e vumë në llogari fare. Na pyeti, ku po shkoni, dhe ne ia kthyem: po arratisemi, nuk e ke marrë vesh akoma? Jo, mor, më tha, unë di që po shkojmë të kërkojmë komisarin.

Jo, mor, ç’komisar, ne po ikim. Ai nuk e zgjati, mori mashinkën dhe qëlloi mbi ne. Unë shpëtova. Unë jam nga Rrogozhina dhe më quajnë Vlash”, vazhdoi burri. “Po ne kemi bërë film, mor Vlash dhe atë ngjarje që ju ka ndodhur ju, s’mund ta bënim fjalë për fjalë, pasi ky është një krijim artistik”, i thashë. Pra, ky është një dialog, që unë e kam bërë realisht me këtë burrë.

Ai ishte i mbijetuar?

Para disa vitesh, Fatos Baxhaku ka realizuar një artikull mbi këtë ngjarje dhe i kam treguar historinë e Vlashit, të këtij burri që foli me mua, i cili më tha se ai rol që luan ti jam unë.

A e keni takuar ndonjëherë heroin e ngjarjes, Spiro Koten?

Spiro Koten e mbaj mend shumë mirë. Ishte një djalë i fuqishëm, figurë interesante. Kur do bënim filmin, u kërkua një konsulent për ngjarjen. Me sa di, iu propozua Spiros, por ai nuk pranoi.

Erdhi një herë kur po xhironim, dhe kur e njohëm personalisht, vumë re që ai s’dinte të këmbente dy fjalë. Ne kishim dëshirë që të mblidheshim dhe të na tregonte ngjarjen, por nuk pranoi.

A nuk ju bënte kjo të dyshonit mbi vërtetësinë e ngjarjeve?

Me sa mbaj mend nga ç’thuhej asokohe, pasi anija ishte kthyer, Spiron e kanë arrestuar për të sqaruar ngjarjen, se si arriti t’i vriste marinarët, se mos ndoshta ishte ndonjë lajthitje e tij. E mbajtën disa kohë dhe pastaj e liruan dhe e shpallën “Hero i Popullit”.

Me sa di, shkoi për studime në Bashkimin Sovjetik, u kthye në flotë. Ishte një burrë i respektuar, edhe pse nuk shquhej për ndonjë elokuencë të madhe. Sa për të vërtetën e ngjarjeve, nuk di të them se si kanë qenë, nëse Spiro Kote ishte patriot i madh apo e tillë u krijua situata. Është e vështirë të gjykosh sot. Duhet gjykuar me mentalitetin dhe psikologjinë e kohës.

Sot dalin shumë “trima” që japin mend e gjykojnë, ndërsa ata vetë nuk kanë bërë asgjë. Heronjtë po kthehen në armiq e armiqtë heronj, por historia është kokëfortë. Por mund të them me bindje se kemi realizuar një film, që renditet ndër vendet e para të prodhimeve të Kinostudios. Kjo, mua më mjafton. Në këto kohëra kur vendi ynë ka kaq shumë telashe, që ecën e nuk di ku shkon, këto “probleme” më duken të tepërta, “kërcu përmbi samar”. Boll është i ngarkuar ky popull me hallet e përditshme.

Si mendoni, cila është arsyeja e kësaj “fushate” kundër filmave të realizuar përpara viteve ’90?

Po justifikohem me idenë se mund të ndizen ndjenjat e ideologjisë komuniste ndër të rinjtë, se krijojnë nostalgji me temat e tyre plot partishmëri… Po kush ka më dëshirë që të kthehet komunizmi?! Frika nga kthimi i komunizmit është përrallë me mbret.

Thjesht duan t’u bien ca të vërtetave. Duan të na mbushin mendjen që me demokracinë filloi edhe arti, por kjo nuk është e vërtetë. Arti nuk filloi në vitin 1992. Artistët e mëdhenj u bënë në atë kohë, me ato vlera, me ato pjesë dhe mbeten figura që populli nuk i harron, i ka në mendje dhe shpirt. Unë kam bërë 45 filma dhe nuk mora asnjë lek. Nëse e bëj sot një film, marr një shpërblim të mirë. Por a e shihni sa njerëz vijnë e më takojnë?! Këto janë vlera që nuk blihen me para. Emri nuk blihet me para. Emrin ta jep ai njeriu i thjeshtë, që të përshëndet teksa ecën.

E megjithatë, s’mund të thuash që të gjithë filmat ishin të qëlluar apo se mungonte partishmëria…

Sigurisht që nuk kanë qenë të goditur të 300 filmat që janë prodhuar. Madje, ka raste që them që ca filma as duhen numëruar si të tillë. Nuk janë të qëndisur të gjithë artistikisht, por nëse prej tyre spektatori mund të shohë 150, është fitore e madhe. Ne bënim 14 filma në vit, sepse ashtu ishte plani. Prej tyre nuk ishin të gjithë të mirë. Nëse ishin 3-4 të mirë, të realizuar në ato kushte aq të vështira, ishte gjë e madhe. Unë isha një mekanik i thjeshtë në parkun e kamionëve, dhe këta filma më bënë të njohur. Unë isha anonim, filmi, arti dramatik, më bëri të njohur.

Nga mekanik, në aktor, si ndodhi ky kapërcim?

Sebep u bë një shoku im nga Përmeti. Ishte koha për të shkuar ushtarë. Ne ishim të gjatë të dy dhe do na çonin në Marinë plot 48 muaj. Dhe, sa të shkonim ushtarë, më mirë të shkonim në shkollë. Qe ai që më shtyu për në shkollën e aktorëve, edhe pse unë nuk e kisha me dëshirë, sepse isha i ndrojtur. E megjithatë shkova.

Përgatitëm ato materiale që kërkoheshin. Nuk punuam me asnjë aktor. Shkuam me mendjen tonë. Në krye të jurisë ishte Nina Çefranova, udhëheqëse artistike e teatrit dhe regjisore shumë e mirë. Ajo i kërkoi përkthyesit të më thoshte që të improvizoja një moment sikur unë isha drejtor i parkut. Ishim në fund të vitit, plani nuk ishte realizuar dhe duhet të bëja mbledhje me kolektivin dhe duhet t’i mobilizoja…

Unë nuk pranova. Siç duket, mënyra se si unë reagova i pëlqeu. Pas dy ditësh dolën listat e fituesve. Sigurisht unë nuk kisha shpresë, megjithatë e kisha emrin në listë, ndërsa shoku im, jo. Kreva 4 vjet shkollë me pedagogë të shkëlqyer. Si përgjegjës pedagog kisha Kadri Roshin, me të cilin zhvilloja edhe fjalën artistike, edhe mjeshtërinë e aktorit.

Për çudi nuk më çuan në teatër, por në Radio Televizion. Pas 8 vitesh bëra stazhin e partisë në Uzinën Gjeologjike dhe u ktheva sërish në radio. Thanas Nano më komunikoi se do të kaloja në televizion me grupin e regjisorëve. Nuk pranova dhe këmbëngula që të largohesha.

Më në fund shkova në teatër. Po të isha sot, nuk do kisha pranuar, pasi kam përballuar një ngarkesë shumë të madhe. Nga njëra anë role në teatër, role në film, dublime, mbledhje… Një punë e lodhshme, por që më dha një kënaqësi të jashtëzakonshme, që e shoh se nuk u bleka me para.

Janë shumë 45 role, a ka mes tyre role të zemrës, që mund t’i luanit në çdo kohë?

Edhe sot çuditem se si i kam bërë. Dhe nuk ka qenë e thjeshtë. Por mes 45 roleve, vetëm 6 a 7 i kam të zemrës. Do kisha pasur dëshirë t’u kthehesha sërish ca roleve, por mosha bën të veten. Do të kisha dashur t’i rikthehesha rolit të Selim Brukës te “Familja e peshkatarit”, apo Sami Amenit te “Fijet që priten”. Unë isha 34 vjeç dhe kemi punuar shumë për të arritur në atë figurë.

Por besoj se roli i Isa Boletinit ju ka shënjuar, aq shumë sa edhe sot e ngatërrojë figurën që ju keni realizuar me figurën e vërtetë…

Po, është e vërtetë. Zhvilloheshin fotoprova dhe regjisori i ndjerë Viktor Gjika kishte vënë pranë e pranë një fotografi timen dhe një të Isa Boletinit. Ishin të dyja bardhë e zi. Dhe, në vështrimin e parë, as unë nuk e dallova. Dikur Aleks Buda, figurë e madhe, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave, pasi kishte parë filmin, më takon dhe më thotë se duhej që të realizonim një tjetër film, mirëfilli për Isa Boletinin, sa ende isha i fuqishëm.

Me sa di, Vath Koreshi e ndërtoi një skenar, por mbeti në mes. Ne u jemi borxhlinj këtyre figurave, që kanë kontribuar kaq shumë për Shqipërinë. Por filmi do para shumë…

Para hidhen, por duket se ngërçi janë temat e përzgjedhura. Përse nuk shohim më përditshmërinë në një film?

Ka kaq shumë tema…! Është aq e ngarkuar Shqipëria me tema, as s’ka qenë kurrë më parë, por ndihet një autocensurë nga ana e regjisorëve. Edhe kur trajtojmë tema shoqërore, i trajtojmë vakët. Ka tema shoqërore që të tronditin. A kemi ne figura interesante, njerëz, të mirë? Po, ka, por duhen gjetur, qëmtuar… Le të kujtojmë filmin “Dora e ngrohtë”, që ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm, sepse trajtonte temën e ditës, thyente skemat, që trajtonte temën e familjes, nxori para publikut edhe hetuesinë, burgun, figurën e maskarait…

Sa histori si këto ka?! Kemi pasur regjisorë shumë të mirë dhe bënë gjëra shumë të bukura. Bashkë me kolegët e mi na është dashur të përballojmë role të vështira. Kam parasysh Kadri Roshin, Sulejman Pitarkën, Prokop Mimën, Naim Frashërin… Çfarë rolesh, çfarë pjesësh! Kujtoj “Arturo Ui”, i vënë në skenë në vitin 1971. Një shfaqje model, e zgjidhur aq bukur me 17 skena nga i madhi Pirro Mani dhe mjeshtri i skenografisë, Agim Zajmi.

A mundet ta realizojë sot Teatri Kombëtar? Unë them se jo, sepse nuk ka më një Arturo (Kadri Roshi), një Zhivola(Prokop Mima), Ndrek Luca… Jo se sot nuk ka aktorë të mirë, ka, por në paçin të njëjtën dashuri për punën siç patëm edhe ne, edhe mund ta arrijnë. Ka pasur këto 25 vite shfaqje të mira, por jo të këtij niveli.

Share.

About Author

Leave A Reply