Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka marrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj

0




Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për themelimin e ushtrisë së Kosovës, në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, e cila është thirrur me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur në Kosovë gjatë javës së kaluar”, është shprehur Thaçi.

Themelimi i ushtrisë së Kosovës, ka thënë Thaçi, “është vendim i drejtë, në mision dhe qëllim”.

“Nëse Kosova ka bërë gabim, është sepse ka pritur pa nevojë 5 vite për themelimin e ushtrisë”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka shtuar se themelimi i ushtrisë së Kosovës “është i vonuar, dhe assesi i gabuar”.

“Kemi pritur vullnet të mirë nga ata që kurrë deri më tani s’e treguan në raport me shtetin e Kosovës”, ka theksuar Thaçi.

“Tani, Republika e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, ka marrë një hap të natyrshëm për themelimin e ushtrisë së saj”, është shprehur ai.

“Çka ka të jashtëzakonshme këtu?”, ka pyetur Thaçi. “Asgjë fare, që është në kundërshtim me rezolutën 1244, pakon e Ahstisaarit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, apo të drejtën ndërkombëtare”, ka shtuar Thaçi.

“Pikë së pari, rezoluta 1244, paragrafi 15, i referohet vetëm demilitarizimit të UÇK’së, proces i përmbyllur në kohë rekorde dhe pa incident në shtator 1999”, ka kujtuar ai.

Demilitarizimi i UÇK’së, ka theksuar Thaçi, “ishte vlerësuar lart nga Këshilli i Sigurimit i OKB’së dhe nga sekretari i atëhershëm Kofi Annan”.

“I vlerësuar edhe nga NATO, dhe kjo mbështet nga dëshmitë në raportet ekzistuese të NATO’s dhe UNMIK’ut atëkohë”, ka shtuar ai.

“Së dyti, Pako e Ahtisaarit, të dërguarit të posaçëm të OKB’së për negociata lidhur me statusin e Kosovës… neni 52 nënvizon të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri”, ka thënë presidenti kosovar.

“Në fund fare, më e rëndësishmja, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i marrë pas iniciativës së shtetit serb”, është shprehur ai.

Ky vendim, ka kujtuar Thaçi, “nënvizon qartë, si loti, se Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare me shpalljen e pavarësisë së saj”.

“Rrjedhimisht, e drejtë e pakontestueshme e Kosovës të ketë ushtrinë e saj”, ka theksuar Thaçi.

“Themelimi i ushtrisë është vullnet i qytetarëve me mbështetje unanime politike nga të zgjedhurit e popullit”, ka deklaruar ai.

“Pavarësisht i pëlqeu dikujt apo jo”, ka shtuar Thaçi. “Shteti serb është paraqitur i zemëruar, por jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, ka thënë presidenti kosovar.

“Ushtria e Kosovës do të sjellë më shumë paqe dhe stabilitet”, ka thënë Thaçi më tej.

Ai ka deklaruar se ushtria e Kosovës “nuk është mesazh kundër askujt”.

“Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt”, ka nënvizuar ai. “Është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti i Kosovës ka kujtuar se “10 për qind” e pjesëtarëve të FSK’së “janë nga komunitetet joshumicë”.

“Më vjen keq që pjesëtarë të FSK’së janë detyruar dhunshëm të japin dorëheqje si rezolutat i presionit sistematik nga pushteti i Serbisë”, ka thënë Thaçi.

“Kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e pjesëtarëve serbë nga presioni nga shteti i serb”, ka deklaruar ai.

“Shtëpitë u janë sulmuar me granata, janë mbajtur me orë të tëra nga policia serbe kur kanë udhëtuar në Serbi. Kjo është e tmerrshme”, ka thënë Thaçi.

“Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet irracionale për konflikt dhe luftë nga fqinji ynë verior”, ka deklaruar Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbyllur fjalimin në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë të OKB’së, duke ia numëruar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, krimet e Serbisë në luftën e Kosovës.

Duke përmendur masakrat, numrin e grave të dhunuara, civilëve të vrarë e shumë krime të tjera, Thaçi ka thënë se “Dihet viktima dhe dihet agresori”.

Këtë e tha duke iu përgjigjur Vuçiqit që akuzoi palën e Kosovën, për spastrim etnik ndaj serbëve.

Duke përmendur masakrat, numrin e grave të dhunuara, civilëve të vrarë e shumë krime të tjera, Thaçi ka thënë se “Dihet viktima dhe dihet agresori”.

Këtë e tha duke iu përgjigjur Vuçiqit që akuzoi palën e Kosovën, për spastrim etnik ndaj serbëve.

“Dihet viktima, dihet agresori. S’ka dhe s’do të ndodhë rishkrim i historisë. Lufta ka ndodhur në shekullin e shkuar. Duhet ta numëroj disa fakte para jush sepse detyrohem. I pëlqeu dikujt apo jo, shteti i Serbisë ka vrarë 13500 civilë shqiptarë. Aparati shtetëror i tyre, formacionet ushtarake, kanë dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare. 13500 civilë shqiptarë të vrarë, asnjë i akuzuar e lëre më i dënuar. As për 20 mijë gratë e dhunuara, asnjë i dënuar. Një milion shqiptarë të dëbuar. 40 për qind e infrastrukturës e shkatërruar. 400 masakra kundër shqiptarëve, asnjë i akuzuar lëre më i dënuar. Izbicë, 160 të vrarë, të moshuar, gra, fëmijë. Në Krushë, 250 civilë të vrarë, gra, pleq fëmijë. 64 të pagjetur, askush i akuzuar e i dënuar. 360 në Mejë. Asnjë i akuzuar e asnjë i dënuar. Studime, Reçak, Rezallë, Obri e masakra të tjera. Theksoj se luftëtarët e Kosovës kanë kaluar nëpër procedura të drejtësisë të misionit të OKB’së, UNMIK’ut, paralelisht me Tribunalin e Hagës, EULEX’it tash e 20 vjet. Kosova duke dashur të tregojë përgjegjësinë e lartë shtetërore, duke besuar në të vërtetën, në drejtësi, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, me BE-në, ka themeluar vet Dhomat e Specializuara, që t’u përgjigjen thirrjeve të tyre. Edhe pse jemi viktima, sot në Kosovë, më tepër ka të dënuar shqiptarë për krime lufte sesa serbë. Në Serbi s’ka asnjë të dënuar për spastrimin etnik e për kryerjen e 400 masakrave në Kosovë. Madje s’ekziston fare zyra për këto çështje”, ka thënë Thaçi.

Kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës është shprehur përfaqësuesi i Kinës në Kombet e Bashkuara, Ma Zhaoxu.

Zhaoxu, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit në New York ka thënë se Kina ka marrë shënim nga të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur kohëve të fundit në Kosovë.

“Palët duhet të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të përshkallëzojnë më tej situatën. Kina respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe e uron atë në përpjekjet e Serbisë për të gjetur zgjidhje politike”, ka thënë përfaqësuesi i Kinës.

Përfaqësuesi i SHBA’ve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Jonathan Cohen e ka konfirmuar mbështetjen ndaj Ushtrisë së Kosovës.

“SHBA konfirmon përkrahjen e saj ndaj Ushtrisë së Kosovës, është në përputhje me rezolutën 1244. FSK nuk është UÇK është një forcë e ndarë e veçuar, shumë etnike e themeluar pas pavarësisë së Kosovës të cilën Gjykata Ndërkombëtare e ka shpallur se nuk e ka shkelur rezolutën dhe është në përputhje me planin e tranzicionit”, është shprehur Cohen.

Ai ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës që të respektojë të gjitha ligjet sa i përket lëvizjes së trupave në Kosovë.

“Ne i udhëzojmë të dyja vendet Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen tabelës së negociatave dhe t’i normalizojnë marrëdhëniet. Të dyja vendet duhet t’i njohin vlerat e normalizimit përmes të cilat do të përfitoj popullata”.

Edhe pse ka nënshkruar deklaratën për të përkrahur të drejtën e Kosovës për të pasur ushtri, përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurisë të Organizimin e Kombeve të Bashkuara, Francois Delattre, ka thënë se votimi për Ushtrinë e Kosovës ka ardhur në një kohë jo të duhur.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga Serbia për vendimin e Kosovës për Ushtri, ai ka kërkuar nga dy shtetet që të mos lëshojnë deklarata e të mos marrin masa që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve.

Ai ka thënë se megjithatë FSK-ja s’mund të shkojë në veri pa lejen paraprake të KFOR-it.

Delattre ka kërkuar nga Kosova që të heqë taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pasi siç ka thënë është në kundërshtim me marrëveshjet për tregti të lirë, dhe se kjo nuk i kontribuon situatës.

Ambasadori i Federatës së Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Vasily Nebenzya ka sulmuar Kosovën për formimin e ushtrisë së Kosovës, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB’së të hënën.

Nebenzya ka thënë se vendimi për themelimin e ushtrisë së Kosovës është kërcënim për sigurinë dhe paqen në Ballkan.

“Ne e mirëpresim praninë e shkëlqesisë së tij Aleksandar Vuçiq dhe ndajmë shqetësime serioze për gjendjen në Kosovë. Lidhur me situatën dhe paligjshmërinë e vendimit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, ka filluar fjalimin e tij, Nebenzya.

“Ata [Kosova, v.j] veprojnë në bazë të urdhrave sipas të cilave miratojnë vendime jo legjitime. Sot do të dëgjojmë pse rezoluta 1244 nuk ka lidhje me të ashtuquajturën vendim të Parlamentit të ashtuquajtur sovran të Kosovës”, ka thënë ai. “Themelimi i Ushtrisë në Kosovë përfaqëson kërcënim për paqen në rajon. Shkelja e rezolutës 1244 ndodhi me përkrahjen e disa vendeve të mëdha”.

Nebenzya ka komentuar edhe punën e Gjykatës Speciale, për të cilën ka thënë se ka pak shpresë për dënimin e atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ambasadori rus ka akuzuar ushtarët e UÇK’së për krime gjatë luftës së Kosovës më 1998-99.

Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda i kanë dhënë mbështetje të plotë formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e të dy shteteve kanë theksuar se shteti sovran i Kosovës ka të drejtë në transferimin e FSK-së, dhe kjo nuk bie ndesh me Rezolutën 1244, dhe po ashtu është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Ai po ashtu ka kërkuar që Kosova të heqë taksen 100% të vendosur ndaj produkteve serbe.





Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.