Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për tenderat e zhvilluar më 2016_ën

0

Gjatë vitit 2016, referuar raportit vjetor të Kontrollit të Lartë Shtetit, për zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2016, janë zhvilluar 5 067 tendera nga të gjitha organet shtetërore, me vlerë 87,372 000 000 lekë. Për tenderat ishin planifikuar 148,573 000 000 lekë, por vetëm 60 % është prokuruar, konkretisht 87,372 000 000 lekë. Nga 5 067 tendera, 30 % e tyre, pra për 1520 tendera, është ndjekur procedura e prokurimit të drejtpërdrejtë, me negocim paraprak, që do të thotë pa garë dhe me fitues të paracaktuar.

Kontrolli i Lartë Shtetit konstaton se organet shtetërore kanë stimuluar rrethana dhe situata emergjente, për të ‘ligjëruar’ një procedurë të tillë, duke u shkaktuar dëm taksapaguesve shqiptarë. KLSH thotë gjithashtu në raport se kjo është procedura më pak transparente. “Nga auditimi kemi konstatuar se kjo lloj procedure nuk është monitoruar sa duhet. Është një nga llojet e procedurave të prokurimit më pak transparente sepse nuk kryhet nëpërmjet sistemit elektronik si dhe nuk kërkon njoftim publik megjithëse kjo procedurë e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” përbën rreth 30% të numrit praktikave të prokurimit gjithsej realizuara në vit, kjo edhe për vitin 2016.

Procedurat e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, janë “stimuluar” duke krijuar situata “emergjente” sepse aktet ligjore për zbatimin e buxhetit nuk lejojnë fillimin e një procedure prokurimi në rast se nuk ka kaluar buxheti përkatës ose legjislacioni nuk është plotësisht i harmonizuar me legjislacionin e menaxhim financiar; për shkak të tejkalimit të afateve në shqyrtimin e ankesave dhe të procedurave burokratike; organizimit procedurave të prokurimit publik nga një dorë e vetme për disa mallra e shërbime”, thuhet në raport.

Kërkesa
KLSH i kërkon qeverisë dhe ligjvënësve që të ndërhyjnë në sistem për të frenuar këtë fenomen. “Legjislacioni shqiptar në këtë aspekt të prokurimit nuk është plotësisht në linjë me acquis-në e Bashkimit Evropian në këtë fushë; nuk ka një udhëzim specifik i cili të pasqyroje në mënyrë më të detajuar dhe të hollësishme hapat, afatet dhe veprimet që duhet të zbatojnë Autoritetet Kontraktore në rastin e përdorimit të procedurës prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Në këtë kontekst kemi kërkuar vëmendje në monitorim por edhe ndërhyrje në legjislacion për të minimizuar rastet emergjente “fiktive” të raportuara nga autoritetet kontraktuale. Është i nevojshëm promovimi i përdorimit të sistemit elektronik të prokurimit publik për procedurën e negociuar me qëllim rritjen e transparencës”, vijon raporti.

Kompanitë fituese
Në të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara janë shpallur fitues 1,140 operatorë ekonomikë për 5,067 procedura prokurimi në total. Në raport thuhet se janë kryer teste të përqendrimit dhe nga analiza e bazës së të dhënave në lidhje me prokurimet e fituara evidentohet që gjatë vitit 2016, 50% e vlerës totale të prokuruar është përfituar nga 57 operatorë ekonomikë ose 5 % e totalit të operatorëve të cilët kanë fituar 14.7% prokurime nga totali i atyre të zhvilluara. Gjatë vitit 2016, 20 operatorë ekonomike kanë fituar 5.5 % prokurime nga 5,067 procedura të zhvilluara që përbëjnë 27.4% të vlerës të fondit të prokuruara.

Drejtoria e rrugëve
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Autoritetin Rrugor Shqiptar, në varësi të Ministrisë së Transporteve, është një nga organet shtetërore që ka konsumuar më shumë shkelje në procedurat prokuruese, duke prodhuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik. “Në Autoritetin Rrugor Shqiptar, gjatë vitit 2016 u audituan procedura prokurimi me vlerë të fondit limit prej 698,876 mijë lekë. Vlera e kontraktuar për sa më sipër është 657,360 mijë lekë, duke rezultuar me një efektivitet rreth 6% kursim ndaj vlerës së fondit limit”, thuhet në raport.

Bilanci

Nga 5 067 tendera, 30 % e tyre, pra për 1520 tendera, është ndjekur procedura e prokurimit të drejtpërdrejtë, me negocim paraprak, që do të thotë pa garë dhe me fitues të paracaktuar.

Fenomeni i ri, ofertat e ulëta të kompanive rrezikojnë kontratat
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një fenomen të ri në zhvillimin e tenderave, që ka të bëjë me ofertat e ulëta të operatorëve ekonomikë, çka çon në mosrealizimin e kontratave. “Nga Auditimet është konstatuar formalizëm në procedurat që ndjekin Autoritetet Kontraktore në kërkesat ndaj operatorëve ekonomikë për shpjegime në çmimin apo kostot e propozuara në ofertat anomalisht të ulëta në lidhje me punët, furnizimet ose shërbimet. Në zgjerimin e kësaj të fundit ka ndikuar ndryshimi i akteve nënligjore në zbatim të Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 9643, datë 20.11.2006, ndryshuar (nenin 56) të cilat kanë rritur kufirin e ofertës anomalisht të ulët si vijon: VKM nr. 46, datë 21.01.2009 (oferta vlerësohet anomalisht e ulët kur zbritja e saj nga vlera limit (në përqindje) është mbi 1/5 e mesatares aritmetike të zbritjeve të të gjitha ofertave të rregullta).

VKM nr. 547, datë 13.6.2013 (vlerësohet ofertë anomalisht e ulët në rastin kur janë të vlefshme dy ose më pak oferta, kur ajo është ulur më shumë se 40% e fondit limit të përllogaritur dhe në rastin kur janë të vlefshme tre ose më shumë oferta kur vlera e saj është më e vogël se 80% e mesatares së ofertave të vlefshme”, thuhet në raport. VKM nr. 914, datë 29.12.2014, në rastin kur janë të vlefshme dy ose më pak oferta, në përputhje me nenin 56 të LPP, oferta vlerësohet anomalisht e ulët kur ajo është ulur më shumë se 25% e fondit limit të përllogaritur dhe në rastin kur janë të vlefshme tre ose më shumë oferta, vlerësohet anomalisht e ulët nëse vlera e saj është më e vogël se 85% e mesatares së ofertave të vlefshme.

“Rritja e diapazonit të uljes së vlerës anomalish të ulët ka sjellë rritjen e numrit të fituesve afër apo në vlera anomalisht të ulëta, fakt që nënkupton pasoja të mëvonshme lidhur me afatet e realizimit të kontratave apo mosrealizimin e kontratave pa përfshirë problemin e ofrimit të mallrave dhe shërbimeve me cilësi të ulët. Për minimizimin e fenomenit të mësipërm, propozojmë ndryshimin e akteve nënligjore në drejtim të uljes së informalitetit në procedurat e përllogaritjes së fondit limit; rritjes së kontrollit nga autoritetet kontraktore gjatë verifikimeve të ofertave anomalisht të ulëta”, rekomandon KLSH.

Pushteti vendor 326 milionë lekë dëm ekonomik
Referuar raportit të KLSH, për vitin 2016, shpenzimet faktike të pushtetit vendor rezultuan në shumën 43,580 000 lekë, nga 49,569 000 lekë të planifikuara ose në masën 88 %. Krahasuar me nivelin e shpenzimeve të realizuar në vitin 2015, ato rezultojnë në vlerën 9,514 milionë lekë, ose në masën 28% më tepër. “Për buxhetin e vitit 2016, në 29 subjekte të pushtetit vendor, nga të cilat 21 bashki, 3 prefektura, 3 këshilla qarku dhe 2 ndërmarrje në vartësi, auditimet e ushtruara nga KLSH janë përqendruar kryesisht në zbatimin e ligjshmërisë, lidhur me administrimin dhe përdorimin e fondeve buxhetore të vëna në dispozicion, në përfundim të të cilave krahas punës së bërë janë konstatuar edhe mjaft parregullsi dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi.

Këto shkelje kanë sjellë një dëm ekonomik në total në vlerën prej 326,518 000 lekë, nga e cila vlera prej 179,442 000 lekë përfaqëson mungesë të ardhurash (qira, taksat vendore, taksa e ndikimit në infrastrukturë etj)”, thuhet në raport. Në fushën e pagave dhe shpërblimeve shkeljet janë në vlerën 4,224 mijë leke, ku përmendim Bashkitë: Roskovec në vlerën 842 mijë lekë, Mat në vlerën 502 mijë lekë, Cërrik në vlerën 490 mijë lekë, etj. Pagesa të kundërligjshme në shpenzimet operative, shkeljet janë në vlerën 10,800 mijë lekë, ku përmendim bashkitë: Sarandë në vlerën 2,437 mijë lekë, Tepelenë në vlerën 2,120 mijë lekë, Kavajë 1,332 mijë lekë etj.

KLSH konstaton që megjithëse që nga viti 2009 e në vazhdim, zhvillimi i procedurave të prokurimit publik realizohet me mjete elektronike (online), ende konstatohen shkelje në zhvillimin e procedurave, të cilat përveç mungesës së kapaciteteve profesionale (për arsye të mos trajnimit mjaftueshëm të stafit që merren me zhvillimin e procedurave të prokurimi publik), kanë si shkak edhe shkeljet e kërkesave ligjore nga njësitë e prokurimeve (NJP) në hartimin e dokumenteve standarde të tenderave, anëtarët e komisioneve të vlerësimit të ofertave (KVO) në përzgjedhjen e operatorëve fitues, në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, udhëzimet e Këshillit Ministrave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik të dala në zbatim të tij. E njëjta situatë konstatohet edhe për procedurat e prokurimit për blerjet e vogla.

Abuzimet e Autoritetit Rrugor Shqiptar me tendera sipas KLSH
1. Në fazën e zhvillimit të procedurave janë konstatuar shkelje e konkretisht: Në DST të objektit “Implementimi i sistemit të menaxhimit të trafikut”, është kërkuar që nga ofertuesit të paraqesin një vërtetim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, nëpërmjet të cilit të konfirmohet nëse OE pjesëmarrës është fitues dhe/apo ka në proces në të njëjtën kohë si kontraktor/nënkontraktor, një investim/investime, sipas një kontrate apo kontratave të lidhura në proces për t’u lidhur, sipas LPP, në çastin e hapjes se ofertave, i ka përfunduar punimet fizike në masën 70% të vëllimeve të përgjithshme të punës.

ARRSH, për operatorin ekonomik “A” sh.p.k ka lëshuar një referencë punimesh në të cilën është specifikuar se shoqëria në bashkëpunim me tre OE të tjerë, po kryen zbatimin e kontratës të objektit “Ndërtim Rruga Unaza e Re e Tiranës, segmenti Komuna e Parisit – Shkolla Teknologjike” me vlerë 689,180 mijë lekë më TVSH, realizimi i të cilës deri datën e zhvillimit të tenderit është rreth 49 %. Nga ky vërtetim konstatohet qartë se OE pjesë e Bashkimit të operatorëve ekonomikë, nuk e përmbush kriterin e DST, pra që të ketë përfunduar punimet fizike në masën 70% të kontratës, në zbatim me nenin 26 të VKM Nr. 914 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar.

2. Në fazën e zbatimit dhe dorëzimit të punimeve janë konstatuar shpenzime në shkelje në shumën 88,674 mijë lekë dhe shkelje me efekt “dëm ekonomik” ne buxhetin e shtetit në masën 202,536 mijë lekë (rreth 44% e totalit të fondeve të audituara për këtë subjekt) si dhe nisje punimesh për vepra, rrugë të reja, në mungesë të plotë të fondeve për realizimin/përfundimin e tyre; etj. ARRSH në vitin 2016 ka zhvilluar tenderin “Shërbim konsulence” me objekt “Studim Projektim plotësim By Pass Shkodër si pjesë e korridorit Veri Jug dhe lidhja me qytetin” me vlerë 106,409 mijë lekë, në të cilin është shpallur fitues OE me të njëjtën vlerë. ARRSH ka kryer edhe më parë një studim projektim për të njëjtin qëllim, i cili prej vitit 2011 është në proces zbatimi, për të cilin vlera e kontraktuar është 1,902,021 mijë lekë, kurse vlera e likuiduar 734,821 mijë lekë, ose rreth 39 për qind e vlerës së kontraktuar.

Në këtë situatë, pra kur prej vitit 2011 po zbatohet/ndërtohet “By Pass perëndimor, Shkodër”, i cili ka objekt/qëllim të njëjtë me tenderin me emërtim “Studim Projektim plotësim By Pass Shkodër si pjesë e korridorit Veri Jug dhe lidhja me qytetin”, të realizuar në vitin 2016, kryerja e këtij “Studim projektim” në vitin 2016, qëllimi i tij, rezulton me mbivendosje, për rrjedhojë dhe studimi/ investimi i ri rezulton i panevojshëm, dhe vlera prej 88,674 mijë lekë përbën mosefektivitet në shpenzimin e fondeve buxhetore.

3. Vijon praktika e nisjes së punime për vepra, rrugë të reja, në mungesë të plotë të fondeve për realizimin/përfundimin e tyre. ARRSH ka lidhur kontrata dhe ka kryer/pranuar kolaudimin e punimeve, për disa nga zërat e punimeve të parashikuara në preventivin përfundimtar të objektit, ndërkohë që veprat/rrugët, nuk janë përfunduar (kryesisht janë kryer punime gërmimi dhe mbushje, por nuk janë realizuar shtresat asfaltime).

Në mungesë të fondeve për përfundimin e punimeve, objektet e “kolauduara”, por të pa përfunduara, braktisen duke shkaktuar dëme ekonomike të parikuperueshme në zërat e punimeve për shtresat rrugore, duke rriskuar njëkohësisht sigurinë rrugore. Aktualisht evidentohen disa kontrata të punëve publike të rëndësishme të filluar prej vitesh, të cilat janë të kolauduara por objektet nuk kanë përfunduar si “Librazhd – Qafë Stude, Loti 3”, “Qafë Thanë – Lin Pogradec, Lot 2”, “Rruga e Arbrit, dalje Ura e Vashës – Bulqizë, Lot 3″, ” Shtesë kontrate e rrugës së Arbrit, dalje Ura e Vashës – Bulqizë, Lot 3″, “Rruga e Arbrit segmenti Ura e Brarit – Hyrja e Tunelit Qafë Murriz”, “Rruga Kuçovë – Belsh – Cërrik” etj, me sinjalistikën dhe elementët e sigurisë rrugore, në të cilët nuk është marrë asnjë masë për përfundimin e tyre.

4. Në preventivin e paraqitur nga projektuesi për objektin“Plotësimi rifreskimi i sinjalistikën vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësim të sigurisë rrugore -vazhdimi, Loti 1” Aksi Rrogozhinë- Kapshticë L=179.7 km, u konstatua se të paktën për 15 zëra punimesh të rinj me çmime njësi të larta.

Nuk janë paraqitur referenca të qarta në lidhje me çmimet e materialeve të analizës së çmimit, të cilat shërbejnë si bazë për llogaritjen e fondit limit. Për periudhën objekt auditimi janë lidhur 83 kontrata gjithsej, me objekt “Mirëmbajtje rutinë dhe dimërore me performancë” me gjatësi 3,796 km. Nga verifikimi i kryer në zërat e punimeve të paraqitura në situacionet e mirëmbajtjes së akseve rrugore konstatohen se disa prej zërave kryesorë janë të pamatshëm, pasi njësia e matjes së tyre (volumet e punës) janë përcaktuar me njësinë “muaj” dhe jo me volumin e punimeve m3, m2, ose metër linear. Kjo mënyrë matje, nuk pasqyron realisht volumin e punës së kryer por krijon mundësi për përfitim të padrejtë nga shoqëritë kontraktuese. Në vlerën prej rreth 4,200,000 mijë lekë gjithsej të këtyre kontratave, rreth 25 % të saj e zënë kontratat me volume të pamatshme.

5. Për vitin 2016, në fushën e zbatimit të punimeve, janë konstatuar “dëme ekonomike në buxhetin e shtetit”, kështu vlera e përfituar për punime të pakryera, në tenderin me objekt “Ndërtim i rrugës Lushnje -Berat, Loti 3” llogaritur në vlerën 6,711 mijë lekë. Vlera e përfituar për punime të pakryera, në tenderin me objekt “Ndërtim i segmentit rrugor Lushnjë-Berat, Lot 2” llogaritur në vlerën 3,391 mijë lekë. Vlera e punimeve të parashikuara në preventiv, por të pakryera, në tenderin me objekt objekt “Riveshje dhe sistemim asfaltim rruga Elbasan– Banjë loti 3” “Shtesë kontrate” me fond limit 173,498 mijë lekë është 1,483 mijë lekë.

6. Në preventivin e ripunuar të kontratës bazë, në pjesën e dytë me emërtim “Ura e Sulovës” në zërin “punime të ndryshme” është parashikuar zëri i punimeve “prishje struktura ekzistuese prej betoni” me vlerë 1,483 mijë lekë (njëlloj si në kontratën bazë të pa ripunuar), e cila sipas mbikëqyrësit të punimeve dhe specialistit të ARSH që ndjek realizimin e kontratës, ende nuk është kryer. Parashikimi i zërit të punimeve për prishjeve të “strukturave të betonit ekzistuese”, e në vijim likuidimi tyre, ndërkohë që do të ndërtohet një urë e re në një aks tjetër rrugor, është i gabuar.

Në zbatimin e tenderit me objekt “Riveshje dhe sistemim asfaltim rruga Elbasan-Banjë loti 3”me fond limit 980,844 mijë lekë, në preventivin e objektit të paraqitur nga BOE fitues, në kapitullin e II është përcaktuar kryerja e punimeve me emërtim “Zgjerimi i urës së Sulovës” me fond limit 118,348 mijë lekë. Në vijim, në zbatim të vendimit të Këshillit Teknik të ARRSH nr. 47, datë 8.7.2016 janë hartuar “preventivi i ripunuar” i kontratës bazë të projektit “Riveshje dhe sistemim asfaltim rruga Elbasan – Banjë loti 3” me fond limit 949,840 mijë lekë (i njëjtë me fondin limit të fituar në tender) dhe preventivi “Shtesë punime” për nën objektin me emërtim “Ura e Sulovës”, me fond limit 173,498 mijë lekë.

7. Me këtë vendim/veprim Këshilli Teknik i ARRSH, nuk ka zbatuar projektin fillestar, sipas të cilit është parashikuar që zgjerimi i “urës” së Sulovës, të punojë si urë më vete i pavarur nga ura ekzistuese, por ka pranuar/ndryshuar/cenuar thelbësisht projektin fillestar, duke parashikuar/ndërtuar, në një aks të ri rrugor, një urë të re në Sulovë, me dy korsi… e shoqëruar me dëm 144,309 mijë lekë në buxhetin e ARRSH. Vlera 17,201 mijë lekë gjithsej, e konstatuar si penalitete të pa llogaritura dhe vendosura nga ARRSH, operatorëve ekonomikë, për shkak të vonesave/shtyrjeve në dorëzimin e punimeve brenda afatit të përcaktuar në kontratën lidhur midis palëve.

8. Vlera e punimeve të pakryera në tenderin me objekt “Ndërtim Kanali i Cukës-Butrint, Lot I” është konstatuar në vlerën 766 mijë lekë. Vlera 144,309 mijë lekë, në procedurën e tenderit me objekt “Riveshje dhe sistemim asfaltim rruga Elbasan – Banjë loti 3” “Shtesë kontrate” me fond limit 173,498 mijë lekë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.