Rama : Regjistrimi i plotë i të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë

0

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do mbyllet me sukses regjistrimi i plotë i të gjithë shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë. Gjatë prezantimit të “Planit për diasporën”, kryeministri Rama falënderoi të pranishmit, përfaqësuesit e LSI dhe partnerët e vendeve të tjera, duke i bërë thirrje PD që të jetë e pranishme, pasi sipas tij, kjo është një temë që nuk ka qasje të majtë apo të djathtë, por ka qasje unifikuese kombëtare.

“Ministri ka bërë të mundur që në këtë tryezë të gjendet sot një dokument i rëndësishëm si pikënisje që ta çojmë përpara dhe ta mbyllim me sukses regjistrimin e plotë të të gjithë shqiptarëve ku ata jetojnë. Dua të falënderoj përfaqësuesit e LSI dhe nuk është sekret që me të njëjtën gatishmëri dhe sens të interesit të përbashkët të kishim këtu dhe përfaqësuesit e opozitës kryesore, PD, sepse kjo është një temë që s’ka qasje as majtas as djathtas, por qasje unifikuese kombëtare. Falënderoj përfaqësuesit e vendeve partnere që janë këtu dhe kam besim që eksperienca e shumëllojshme dhe e pasur e vendeve të përfaqësuara është një burim, që ne mund ta shfrytëzojmë në funksion të këtij procesi”, tha Rama.

Më tej, Rama tha se do të nisin shërbimet konsullore me Kosovën, pasi sipas tij, diaspora është e përfshirë në strategjinë për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, në kuadër të strategjisë së re për diasporën, i pari i qeverisë tha se do të krijohet Këshilli i Diasporës Shqiptare, që do diskutojë lidhur me aspektet që ndërthuren në bashkëpunim mes politikës shqiptare dhe gjithë organizatave të diasporës shqiptare.

“Jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të kryejmë regjistrimin. Në Samitin e dytë të Diasporës do kemi një rezultat konkret të shqiptarëve jashtë atdheut, si dhe do materializojmë disa nga masat kryesore që i vlejnë kësaj reforme. Edhe nisja e shërbimeve konsullore me Kosovën i shërben kësaj teme dhe kësaj qasje. Diaspora është e përfshirë në strategjinë tonë për zhvillimin e vendit.

Organizimi i Samitit të Diasporës si bashkues, ku shqiptarët mund të gjejnë kanalet e nevojshme për të komunikuar për fusha të ndryshme, edhe marrëdhënia e re e shtetit me diasporën që do të mishërohet në ngritjen e një këshilli të diasporës shqiptare janë pjesë e të njëjtës përpjekje. Ky këshill do diskutojë dhe do sugjerojë lidhur me aspektet që ndërthuren në bashkëpunimin mes politikës shtetërore dhe gjithë organizatave të diasporës shqiptare. Në këtë strukturë do punojnë së bashku institucionet e shtetit dhe ato institucione që janë konsoliduar në vite në bazë të vullnetit të shqiptarëve të diasporës”, shtoi kryeministri.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.