Rama prezaton platformën online për punësimin e studentëve ekselentë

0

http://www.hrm.gov.al/ShowStudentsPublication.aspx?ID=2

Prezantohet platforma online për punësimin e studentëve ekselentë, një premtim ky i kryeministrit Edi Rama në dhjetor të vitit të kaluar kur studentët nisën protestat për kushte më të mira akomoduese dhe universitare. I pranishëm në prezantimin e portalit https://punetembare.gov.al/ kryeministri Edi Rama tha se kjo nuk do bëhej realitet pa protestën e studentëve. Janë 803 vende të lira pune në administratë ku do të rekrutohen direkt studentë ekselentë pa pasur nevojë për konkurs përmes Departamentit të Administratës Publike. Kreu i qeverisë tha se punësimet do bëhen në bazë të rezultateve të notave dhe jo përmes njohjeve apo lidhjeve miqësore e familjare. 

Ky program nuk mund të bëhej pa ju dhe protestën, sepse ligji i shërbimit civil dhe rekrutimi në Shërbimin Civil bazuar në këtë ligj e pengonte. Është bërë një punë e gjatë me Komisionin Europian. Protesta dhe gjithë kjo shfaqje shembullore e disa shqetësimeve të thella dhe një nevoje të madhe për të hapur dyert e administratës dhe pengesave që ka ligji, na dha mundësinë që të ulemi me partnerët europianë dhe thamë që mund ta kapërcejmë ligjin dhe t’u hapim rrugë më të mirëve që mund të kontribuojë në administratë. E dini shumë mirë, ti mund të  kesh mbaruar me të gjitha 10-a, shkon në DAP dhe të thonë nuk ke eksperiencë. Por ti bën pyetjen se ku do ta përfitoj unë eksperiencën. Këtu nuk ka nevojë për konkurs sepse konkursin ai e ka bërë gjatë viteve akademike tha Edi Rama.

Rama tha në administratë ka vende të lira pune jo vetëm për ata me Master, por edhe për studentët që kanë vetëm Bachelorin. “Ndryshimi është se ai me master mund të shkojë më lart, mund bëhet drejtor, por jo ti me Bachelor. Por edhe për ty ka punë”, theksoi kryeministri.

Kjo platformë është një mundësi për studentët e ekselencës të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga viti 2017 e në vijim, të cilët janë në kërkim të një eksperience në administratën publike. Të rinjtë duhet të kenë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor dhe/ose master profesional/shkencor me mesatare 9-10 (ose të baravlefshme me to) të secilit prej cikleve të studimit. Qëllimi është përfitimi i një përvoje kualifikuese, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe në njohjen me administratën publike. Pasi të informoheni rreth nismës së re dhe pas konsultimit të vendeve vakante të kërkuara mund të vijoni me plotësimin e llogarisë dhe hedhjes së dokumenteve kryesore që duhet të plotësoni.

Kjo thirrje do të hapet në datë 11 janar dhe do të zgjasë deri në 10 shkurt.

803
Vende vakante

601
Institucione të shërbimit civil

202
Institucione me kod pune

Kreu i qeverisë shtoi gjithashtu se punësimi nuk ishte pjesë e tetë kërkesave të studentëve, por këtë e ofroi vetë qeveria. “Këtë e kemi shtuar ne sepse nuk ishte te kërkesat. Protesta ka vlerë të madhe për të bërë së bashku një transformim rrënjësor për ta çuar në një fazë të dytë reformën e Arsimit të Lartë, 8 kërkesat e famshme janë nisje por nuk e shterojnë spektrin e problemeve dhe nevojave të universitetit, por ne na dhanë shtysë për të zgjedhur këtë spektër duke bërë të munduar edhe programin për punësimin e studentëve ekselentë”, shtoi kryeministri. 

Aplikimi që nis prej ditës së sotme në platformën e punësimit të studentëve ekselentë në administratën shtetërore, do të zgjatë një muaj deri në 10 shkurt. Studentët duhet të jenë të vëmendshëm për afatet e secilës shpallje për vende të lira pune dhe të aplikojnë.

Megjithatë, u shpreh ai, duke u nisur nga përvoja e platformës elektronike të pranimit në universitete ku për këtë vit ka pasur zero ankesa, edhe platforma e punësimit pritet të funksionojë po aq mirë.

Në përgjigje të pyetjes së një studenteje, kryeministri vuri në dukje se edhe studentët që mbarojnë studimet këtë vit akademik kanë shansin e tyre, pasi thirrja e dytë e aplikimeve për punësim në platformë do të jetë në muajt gusht-shtator.

“Do shtrihemi edhe në institucione të tjera jashtë shërbimit civil. Aktualisht po bëjmë inventarin e vendeve të lira të punës për t’ua ofruar studentëve. Do shkojmë edhe më thellë se kaq. E kam urryer gjithmonë politikën e përdorimit të vendeve të punës për vota, pasi është gjëja më e keqe për vendin se nuk të lë të bësh shtet. Shumëkush që është në punë pa meritë, e pa diplomë, do të duhet të hapë krahun nëse ka kërkesa nga ata që janë më të mirët. E kjo fillon sot”, tha kryeministri Rama.

http://www.hrm.gov.al/ShowStudentsPublication.aspx?ID=2

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.