Rama hap ‘BunkArt 2’, të “përndjekurit” i ngrenë një dron

0

Në oborrin e Ministrisë së Brendshme u çel për publikun “Bunkeri Muze” dhe në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas Top Channel, kryeministri tha se hapja e këtij bunkeri ka një mision: kujtesën dhe nderimin e viktimave të regjimit.

“Sepse cilido që harron të kaluarën është i dënuar që në këtë jetë ta rijetojë atë”, u shpreh ai.

Gjatë protestave të 8 dhjetorit të vitit të kaluar, opozita dhe një pjesë e ish të përndjekurve sulmuan hyrjen e këtij bunkeri dhe akuzuan Edi Ramën se përmes tij po shprehte nostalgjinë për regjimin. Kryeministri iu përgjigj edhe këtyre akuzave.

“Kushdo që thotë ky është një bunker për të risjellë në formë shprehjeje nostalgjie dhunën e së kaluarës përmes të qëndruarit të tij në sheshin sipër, ka një detyrim moral të vijë dhe ta vizitojë dhe ta qepë gojën përballë kujtimit të viktimave, të cilat për herë të parë në historinë e këtyre 25 viteve kanë një hapësirë që t’u flasin njerëzve drejtpërdrejtë, jo përmes të tretëve, jo përmes librave, kujtimeve, fjalimeve, por fizikisht”, deklaroi Kryeministri.

Në këtë ceremoni, Kryeministri përmendi edhe dosjet dhe foli për “disa që i tremben hapjes së tyre”.

“Dosjet për të cilat kanë ende frikë, makth dhe pafuqi të trishtueshme disa që i tremben edhe bunkerit edhe muzeut poshtë, njësoj si korbat i tremben një dordoleci”, u shpreh ai.

Në këtë muze të pagëzuar me emrin “BunkArt 2”, si vazhdimësi e “BunkArt 1”, Rama tha se mund të shihet sesi mijëra të pushkatuar përmes gjyqeve të montuara, kanë rigjetur një identitet, edhe pse shumë prej tyre nuk dihet ende ku kanë eshtrat.

Ai ftoi veçanërisht të rinjtë që ta vizitojnë atë për t’u njohur me të shkuarën.

Rama postoi edhe videon e mëposhtme nga brendësia e BunkArt 2.

Por ndërsa Rama po fliste, të përndjekurit kanë ngritur në qiellin sipër Ministrisë së Brendshme një dron.

Në dron ishte vendosur një banderolë ku shkruhej “Edvin Kristaq Rama, kërko falje për vrasjen e Havzi Nelës”.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.