QYTETAR NDERI I DIBRËS?… PSE HEZITOJ !

0

QYTETAR NDERI I DIBRËS?… PSE HEZITOJ !

Edmond Hasani, njeriu me gjak Vlonjat por me shpirt të madh Dibran, njeriu që po na e jep Dibrën çdo ditë në “pëllëmbë të dorës” nëpërmjet aparatit fotografik, vlerë që më shumë se kujtdo i shërben shpirtit në mërgim, doli publikisht me një propozim, ndër të tjerë edhe për mua dhe për bashkëshorten time, mësuesen e ushtrimores së Shkollës Pedagogjike të Peshkopisë  Natasha Ashiku, për vlerësimin me titullin “Qytetar Nderi të Dibrës”.

Faleminderit Edmond Hasani, dikur “kundërshtar politik”, që më vlerëson për atë që kam bërë për Dibrën dhe Dibranët, DJE dhe SOT.  Për mua ky është NDERI MË I MADH dhe njëkohësisht obligimi për të punuar me shpirt Dibrani edhe njëmijë kilometra larg vendlindjes, në mërgim.
Unë në jetë nuk kam rendur kurrë pas titujve, as pas pozitave. I kam pas dhe i kam aftësitë intelektuale për ti shtuar emrit tim një DR. apo PROF. Nuk kam pas asnjë minutë në jetën time që të kem pas ndonjë pozitë drejtori, kryetari, këshilltari, sekretari, anëtari plenumi, asambleje etj. Kam qenë thjesht një nëpunës i zakonshëm si të gjithë të tjerët në detyrën e përgjegjësit të sektorit, mësuesit, agronomit, instruktorit, gazetarit profesionist. Kam punuar me përkushtim dhe dëshirë të madhe për Dibrën time të cilës i falem tash nga larg, nga 20 vjet largimi të detyruar nga dhuna dhe reprezaljet e politikës kriminale shqiptare.
Në mërgim kam punuar me përkushtimin qytetar të mërgimtarit si gazetar shpirtëror, pa asnjë shpërblim dhe pa asnjë mbrojtje. Kam rritur lule në kopshtet e grekëve në vend që të rrisja lule e pemë në luginën e bukur të Dibrës sime. Vepra ime e shkruar dhe e botuar, vetëm me pensionin tim dhe të bashkëshortes time Natasha Ashiku, libri “PO DIBRËS ! JO SKAVICËS” dhe shkrimet e shumtë në mbrojtje të Dibrës dhe për gjuhën shqipe në mërgim, botuar në shtypin e Tiranës dhe në gazetën prestigjioze Dibrane “Rruga e Arbërit”, flasin vetë, janë dëshmi e dashurisë të shpirtit tim për Dibrën dhe tërë Shqipërinë.
Këto, dhe të tjera, për mua i quaj ende të pamjaftueshme për një votim në Këshillin Bashkiak të Dibrës për të më dhënë titullin “Qytetar Nderi”. Për më tepër që Këshilltarët janë partiakë, pjesë të dy partive kryesore PD e PS që njëra më dhunoi mua dhe familjen time dhe tjetra e pranoi pa nxjerrë zë e figurë publike dhunën dhe denigrimin e egër ndaj nesh.
Unë nuk pranoj që Këshilltarët Bashkiakë të Dibrës të më shpallin “Qytetar Nderi” pa qenë të bindur për vlerat e mia, pa dalë më përpara publikisht me një deklaratë unanime NDJESE për gjithë gurët dhe pamelat që janë hedhur mbi mua dhe familjen time..
Qindra dibranëve këshillat bashkiakë në këtë një çerek shekulli u kanë dhënë titullin “Qytetar Nderi”. Më vjen keq por nga këta, vetëm DR. PROF. Ahmet Kamberi dhe DR. PROF. Adem Bunguri, kanë dalë publikisht në mbrojtje të Dibrës nga mbytja përgjithmonë nga gjoli i Skavicës dhe në protestë për harresën e ndërtimit të Rrugës së Arbrit. Ku janë të tjerët?
Dy shoqatat dibrane kanë “një duzinë me qytetar nderi të Dibrës” por zëri dhe pena e tyre as individualisht dhe as kolektivisht nuk dëgjohet e lexohet gjëkundi.
Titulli “Qytetar Nderi i Dibrës”, për mua, nuk është “letër në kornizë” varur në pjesën ballore të dhomës së pritjes, është një detyrim sa të jesh gjallë për ti qëndruar vendlindjes në krah dhe për ta mbajtur, kur ajo të thërret, në shpinë.
Unë e ndjej veten ende të ri për ti shtuar ndonjë “gurë qosheje” e për ta lartësuar murin e Dibrës time dhe të gjithë Dibranëve.
Koha është jo për “tituj” por për ta ngritur Dibrën në vendin historik dhe ekonomik që i takon, për ti thënë:
JO Skavicës, PO Rrugës së Arbrit, PO universitetit të Dibrës… !

Abdurahim Ashiku

Athinë, 6 qershor 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.