Qeveria marrëveshje bilaterale me Fakultetin e Drejtësisë dhe të Ekonomisë, të Universitetit të Tiranës

0

Këshilli i Ministrave, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, nënshkroi sot, në ambientet e Kryeministrisë, në praninë e Kryeministrit Edi Rama, marrëveshje bilaterale me Fakultetin e Drejtësisë dhe të Ekonomisë, të Universitetit të Tiranës, përfaqësuar nga dekanët, Artan Hoxha dhe Dhori Kule.

Këshilli i Ministrave, duke vlerësuar procesin e shkrimit të ligjeve si një nga mjetet më të rëndësishme për realizimin e një qeverisjeje të mirë dhe të bazuar në parimet e shtetit të së drejtës, nëpërmjet nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, synon përthithjen e ekspertizës më të mirë, përfshirë atë akademike dhe shkencore, në procesin e hartimit të politikave, ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e vlerësimit të ndikimit të kuadrit legjislativ, dhe shkrimin e ligjeve në mënyrë të qartë, të thjeshtë, pasqyruese besnike të vullnetit të shoqërisë, të kuptueshme për qytetarët, zyrtarët dhe subjektet që i zbatojnë.

“Procesi i shkrimit të ligjeve në një shoqëri po evidentohet çdo ditë e më shumë si një nga mjetet më të rëndësishme për realizimin e një qeverisjeje të mirë dhe të bazuar në parimet e shtetit të së drejtës,” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm, i Këshillit të Ministrave, duke nënvizuar se “janë hedhur hapa të rëndësishëm për të thithur më të mirët nga tregu i juristëve që sot ka në vend, me qëllim rritjen e kapaciteteve ligjplanifikuese dhe ligjshkruese në institucionet tona. I rëndësishëm ka qenë edhe krijimi i Njësisë së Monitorimit të Legjislacionit.”

Këshilli i Ministrave dhe fakultetet u angazhuan për bashkëpunim të ngushtë në funksion të rritjes së efikasitetit në realizimin e objektivave të qeverisjes, përmes përmirësimit të procesit ligjbërës, planifikimit dhe hartimit të politikave.

“Thithja e ekspertizës më të mirë akademike dhe shkencore në procesin e hartimit të politikave dhe të kuadrit ligjor, – theksoi më tej Agaçi, – është jo thjesht një aset, një kontribut që i shtohet procesit ligjbërës në Shqipëri, por edhe një mundësi shumë e mirë për shkëmbimin e mendimeve mes teknokratëve dhe akademikëve për rritjen e nivelit të analizës së kuadrit ligjor, në nivele shkencore tashmë dhe rritjes së transparencës dhe konsulencës në këtë proces.”​

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.