QEVERI TEKNIKE !? SHKONI NË KAVAJË…

0

QEVERI TEKNIKE !?, SHKONI NË KAVAJË…

Nuk ka më shpresë. “Mushka” e së djathtës shqiptare edhe në “urën e varur mbi lumë” ftesa e fundit për të kaluar në zgjedhje nga titullarët më të lartë ndërkombëtarë, me gjithë ndjelljen si ogiçi i kopesë, ka ngulë patkonjtë mbi dërrasë dhe nuk bën as para e as mbrapa.
Lideri i ngjirur i së djathtës së bashku me ish liderin karizmatik, përveç fjalëve të marra nga “zënka kalamajsh në lojëra rrugësh”, një slogan kanë më për shpirt e më për kollajllëk: QEVERI TEKNIKE ose rashë e vdiqa.
Shqiptarët në këtë një çerek shekull demokraci (?!) kanë parë disa qeveri teknike e të pajtimit kombëtar, kanë parë majin e dhunshëm të vitit 1996 kur “zgjedhjet e lira” u mbyllën deri 99.99 për qind në…mesditë, kanë parë shkatërrimin e vendit deri në shkulje themelesh në pranverën e vitit 1997, kanë parë “revolucionin” berishian të vitit 1988…
Nuk ka vend në botën e qytetëruar që të shkulet themelesh një shtet siç u shkul, u dhunua, u përvetësuaa Shqipëri.
Në substancë të gjitha këto ndodhën nën okelion “qeveri teknike”…
Edhe tani, pas më se një çerek shekulli, në substancë kërkohet e njëjta hapësirë. Kërkohet që vendi të jetë me “qeveri”, pa “qeveri”, liri për të vjedhur, plaçkitur, vrarë me kallashnikovë e me të gjitha mjetet e “nxehta” dhe “të ftohta” të luftës, me “revolucion demokratik”, me “mosbindje civile”, me “bllokim rrugësh” pa hapësirë për të kaluar as ambulancat…
Bashkia e Kavajës, banor i përkohshëm i së cilës jam, ashtu si mijëra të tjerë, u bënë muaj (mbase edhe vite për shkak të përfoljes së njohur për kryebashkiakun e saj) që është në “Qeveri teknike”. Kryetari i bashkisë për shkak të një “njolle në biografi” është pushuar nga puna. Vendin e tij e ka “zënë” një person pa mandat zgjedhor, një “kryetar qeverie teknike”, krahët e të cilit nuk mund të hapen më shumë se sa diametralja e zyrës së tij apo edhe sheshi i qytetit transformuar sipas formulës së “qendrave urbane”.
“Qeveria teknike e Kavajës”, edhe po deshi, nuk mund të vijë deri tek Mali i Robit apo  Golemi, për të mos thënë më tej në hapësirat e tjera bregdetare ku fjalët fluturake flasin për një “port gjigand”, as në fshatra e qendra banime ku njerëzit kërkojnë ujë e bukë ,e mbështetje për zhvillimin e bujqësisë e të turizmit.
I ardhur nga Athina nëpër një sistem rrugor autostradash dhe ure  mbi det, nëpërmjet një sistemi tunelesh, sistem gjatësia e të cilëve e kalon me dy shifra tunelin e Rrugës së Kombit nga Athina në Patra e më tej nëpër hapësirën që po kap Janinën, në një udhëtim prej 11 orësh nga 13 orë në dhjetor, mendoja që ajo copë prej njëqind apo dyqind metra në hyrje-dalje të Tepelenës apo pak kilometra larg Memaliajt (nuk po flas këtu për bay-passin e Fierit) do të kishin lëvizur. Ashtu ishin, si dy-tre apo më shumë vite më parë.
Shpresova që në këtë fushatë plazhi i Mali të Robit do të kishte ndryshuar siç ndryshoi katër vite të shkuara kur me ngutin e njohur për të marrë vota u hodh një shtresë asfalti në rrugën paralel me detin. Një shtresë asfalti pa kanalizime anësore, pa trotuare, pa drenazhim e kullim ujërash. Një shi prej 4-5 milimetrash ra natën e së hënës dhe rruga as tash pas pesë ditësh me diell të nxehtë gjol është. Mund ta kalosh atë vetëm me çizme.
Një rrugë me emër të madh është ajo që lidh rrugën dytësore vijim i rrjedhjes së ujërave nga Mali i Robit, rruga “Skënderbe”, rrugë diku tek 500 metra gjatësi, rrugë që për të dalë në det disa vite më parë do të çonte në shkatërrimin e një pjese të resortit. Resorti u rrënua por rruga mbeti aty ku ishte, në gropa e në baltë. Turistët  që vijnë me dëshirë për të pushuar në resortin në fjalë që nga vendet nordike u duhet që ato 500 metra rrugë ti kalojnë duke u tundur si në dallgë detare 7 ballësh.
Shpresoja që në këtë fushatë rruga të asfaltohej dhe kanali në të majtë të saj të ishte futur në tuba e rrjedha e ujërave të zeza që aktualisht mban të mos mblidhej në një “gjol të zi” para derdhjes në det siç është e përshkruar me zë, me germa e me figurë vite e vite me radhë.
I rashë sot bregut të detit. Mungonte shteti, bashkia. Privati jo. Fiksova disa fotografi ndërtimesh të sapo dala nga themelet. Fiksova një “kërpudhë”  mbirë disa dhjetëra metra në det, ndërtim ende pa çati të plotë.
Shkova deri atje ku nuk mund të ecja më në këmbë. Një ndërtesë gjigande në ndërtim, disa zgjatime deri në ujin e detit, mure betoni si të ishin muret ndarëse të Trampit me Meksikën…nuk më linin ta shijoj bukurinë dhe pastërtinë e ajrit bregut të detit. Më tutje nuk shkohej në këmbë, mbase edhe me mjete lundruese…
Rruga e Golemit, nga tuneli nën autostradë përfundon me një shesh buzë detit…
Plazhi i Golemit nuk lidhet me plazhin e Malit të Robit përveçse me një rrugë “traktorësh me zinxhirë”.
Një ndërtim i madh turistik në një tabelë të të cilit shkruhet se leja është dhënë në vitin 2006 ka hedhë kaq inerte e baltë mbi “rrugën e traktorëve” sa tanket do ta kishin të vështirë të kapërcenin baltën dhe dunat e rërave.
Të hënën është 1 Maji, dita kur në bregdet hapet sezoni turistik, dita kur edhe në plazhin e Golemit dhe të malit të Robit, duhej të vinin qeveritarët e Kavajës për të ”prerë shiritin” e nisjes së pushimeve.
Nuk mund të vijnë. “Qeveria teknike e Kavajës” nuk e ka mendjen as tek plazhet, as tek njerëzit. Ajo është në krizë si të gjitha “qeveritë teknike të botës”.
Gjetkë e ka mendjen, lart në qiell e poshtë në tokën e 7 majit ku opozita pritet të bëjë të pabërën…

Abdurahim Ashiku

Mali i Robit

27 prill 2017

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.