Qato: S’kemi fshehur gjë materialet janë në Prokurori

0

Drejtori i komanduar i policisë së Elbasanit, Altin Qato ka reaguar ndaj sulmeve të opozitës ndaj policisë lidhur me arrestimin e biznesmenit 25-vjeçar Orest Sota. Qato theksoi se policia nuk ka fshehur provat, por menjëherë pas arrestimit të Sotës ka vënë në dispozicion të prokurorisë të gjitha provat materiale.

Shqetësimi mediatik për Orest Sota është i ekzagjeruar. Në mjetin e Sotës u gjetën para dhe patentat e Tahirit. Janë sekuestruar provat materiale. Të gjitha materialet janë dërguar në Prokurori, policia nuk ka fshehur asgjë. Për çdo veprim është vënë në dijeni edhe prokurori i çështjes“, ka thënë Qato.

Kryepolici i Elbasanit ka theksuar gjithashtu se patentat e Tahirit të gjetura në automjet nuk përbëjnë vepër penale. “Çdo material që është sekuestruar në mjet si pasaporta dhe leja e drejtimit është referuar në prokurori, nuk është se ka fshehur policia, por referimi është bërë për veprat e lartpërmendura pasi gjetja e një leje drejtimi nuk është vepër penale”.

Deklarata e plotë e Altin Qatos për çështjen “Sota”
“Kam ndjekur nga media dhe e shoh me shqetësim që është bërë mediatike më shumë, ose është ekzagjeruar duke paragjykuar edhe veprimet e Policisë së Shtetit. Në datën 2 nëntor, në orët e para të mëngjesit, policia ka bërë arrestimin e Orest Lefter Sota për fshehje të ardhurave, mosbindje të urdhrit të policisë dhe drejtim të mjetit pa leje.

Ngjarja fillesën e vet e ka një ditë më parë rreth orës 16:30 kur nga një kontroll rutinë në hyrje të Elbasanit, në drejtim të Peqinit, ku mjetit i është bërë shenjë të ndalonte, por nuk ka ndalur. Është komunikuar me shërbimet e tjera dhe pasi janë vënë në lëvizje shërbimet e tjera, mjeti është kapur duke hyrë në fabrikën e “Kurumit”.

Pasi është ndaluar, drejtuesi i mjetit ka deklaruar se ka ikur për shkak se drejtonte mjetin pa leje drejtimi. Pas verifikimit të mjetit, është konstatuar se në sedijen e pasme janë konstatuar një shumë të konsiderueshme në euro. Është njoftuar Task-Forca për krimin ekonomik në Prokurori dhe janë bërë të gjitha veprimet e duhura procedurale, këqyrja e provave, komunikimi i vazhdueshëm me prokuroren të cilës i janë referuar të gjitha materialet në datën 2 nëntor.

Policia materialet i referon në Prokurorinë e rrethit gjyqësor dhe jo në struktura të subjekteve politike apo mediatike. Ne çdo veprim e kemi bërë transparent, është vënë në dijeni menjëherë sapo është konstatuar vlera monetare në mjet prokurorit dhe Task-Forcës së krimit ekonomik në Prokurori. Çdo material që është sekuestruar në mjet si pasaporta dhe leja e drejtimit është referuar në prokurori, nuk është se ka fshehur policia, por referimi është bërë për veprat e lartpërmendura pasi gjetja e një leje drejtimi nuk është vepër penale.

Nuk ka fshehje. Mjeti është ndalur në orën 16:30 të datës 1 dhe Prokuroria është njoftuar që në momentin e konstatimit të shumës monetare. Për shkak të vlerës së madhe monetare ka dashur kohë këqyrja dhe numërimi dhe materialet janë dërguar në mëngjes në Prokurori. Por Prokuroria është njoftuar që në momentin e konstatimit të parave. E ndjej veten të shqetësuar kur shoh ato që thuhen në media. Garantoj se as ne si drejtues nuk kemi ndërhyrë në punën e oficerit që ka kryer hetimin”. 

“Zbardhim krimet e të shkuarës në Elbasan”
Qato ka deklaruar gjithashtu se qyteti i Elbasanit ka siguri, pavarësisht se siç theksoi ai, kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje të cilat kanë cenuar rendin dhe sigurinë e këtij qyteti. Ai tha se është detyrë e policisë së Elbasanit që të zbardhë ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur në të kaluarën në këtë qytet të cilat janë pa autor. “Elbasanin ne nuk e quajmë një qytetet që nuk ka siguri, por ka pasur disa probleme, disa ngjarje me të cilat ne po merremi. Synimi është të parandalojmë ngjarjet kriminale, por edhe për të zbardhur ngjarjet e mëparshme që kanë mbetur pa autor. Por policia e ka në kontroll situatën“.

Ngjarjet e fundit në Elbasan si goditja e automjetit të zv/drejtorit të policisë, Gjergji Oshafi nga “Audi” në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, vuri në pikëpyetje profesionalizimin e policisë së Elbasanit. Për këtë shkak, kryepolici Haki Çako shkarkoi të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ndërsa komandoi në krye ish-numrin dy të Policisë së Shtetit, Altin Qato.

Akuza ndaj policisë së Elbasanit pati edhe për ngjarjen e fundit, atë të arrestimit të biznesmenit Orest Sota, 25-vjeç, i cili nuk iu bind urdhrit të patrullës së policisë. Në automjetin e të riut u gjetën 835 mijë euro, dy patenta në emër të Saimir Tahirit për drejtimin e mjeteve të lundrimit si dhe një patentë drejtimi automjeti në emër të bashkëshortes së ish-ministrit të Brendshëm.

Në një deklaratë për mediat më herët, Policia e Shtetit hodhi poshtë akuzat për fshehje të ngjarjes dhe sqaroi se menjëherë pas arrestimit në flagrancë i ka referuar dosjen Prokurorisë së Elbasanit.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.